• |
ide | kryesore

Video/ Më në fund, Tirana do të stërvitet si një klub Europian: shikoni tre fushat e reja të 25 herë kampionëve

-Instant, F1, Sport, Video

Tituj e emër i madh, por kompleksi stërvitor i Tiranës linte shumë për të dëshiruar dhe nuk ishte në nivelin e standardit që tentonte të krijonte klubi. Deri tani… sepse Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me klubin e futbollit Tirana kanë rikonstruktuar së fundmi tre fushat e kompleksit “Skënder Halili”. Një investim që është përuruar pikërisht ditën e sotme, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Presidenti i KF Tirana, Refik Halili, trajnerët e ekipeve dhe akademive të Tiranës si dhe futbollistët e futbollistet e këtij klubi.


Zhvillimi i futbollit të fëmijëve është një nga prioritetet kryesore të Federatës së Futbollit. Çdo gjë kalon nga infrastruktura bazë dhe cilësore, përmes së cilës fëmijët shqiptarë do të kenë mundësinë të luajnë futboll ashtu sikurse bashkëmoshatarët e tyre në vendet europiane. Projekti i “100 Fushave” i shpallur prej kohësh nga FSHF-ja ka nisur tashmë të implementohet dhe ashtu sikurse në Tiranë, fusha të tjera do të rikonstruktohen dhe ndërtohen në të gjithë Shqipërinë. Për këtë gjë, Federata e Futbollit ka ftuar herë pas here pushtetin qendror dhe atë vendor, biznese që duan të investojnë në dobi të futbollit, t’i bashkohen këtij projekti.


Me rastin e inaugurimit të këtyre fushave, presidenti Armand Duka, në fjalën e tij për të gjithë të pranishmit theksoi edhe një herë se prioriteti i FSHF-së është futbolli i fëmijëve, teksa u ndal të falënderonte edhe klubin e Tiranës për bashkëpunimin gjatë gjithë kësaj kohe. Gjithashtu, presidenti Duka foli edhe për projektin e “100 fushave” si dhe u shpreh se Federata e Futbollit do të jetë gjithmonë në mbështetje të klubeve si dhe akademive: “Ndihem vërtetë mirë që jam këtu sot me një lloj infrastrukture të ndryshuar, të rinovuar me tre fusha të reja me tapet artificial, që në fakt është baza e zhvillimit të futbollit. Nëse nuk kemi një infrastrukturë të mirë dhe nëse nuk kemi trajnerë të mirë, e kemi të vështirë që të kemi shumë fëmijë dhe që të na bashkohen sa më shumë djem e vajza në lojën tonë, për të luajtur sport, për të qenë të shëndetshëm, për t’u edukuar më mirë.

Ky është prioriteti kryesor i Federatës së Futbollit, futbolli i fëmijëve, zhvillimi i sa më shumë i akademive dhe pikërisht për këtë bashkëpunim me klubin Tirana, që dua të falënderoj Presidentin Halili dhe të gjithë administratën për një administrim të shkëlqyer me administratën e Federatës së Futbollit në rikonstruksionin e këtyre tre fushave me bar artificial dhe në projektin për të rinovuar edhe tjetrin me bar natyral për ekipin e parë. Në fakt ka shumë nevojë, sepse Tirana është një qytet me 1 milion banorë dhe për të bërë aq fusha sa fëmijë të Tiranës dëshirojnë të luajnë futboll, duhen shumë më shumë se kaq”, – tha Presidenti Duka, duke e vënë theksin te projekti i 100 fushave, duke ftuar të gjithë ata që janë të interesuar për t’u bërë pjesë e zhvillimit të infrastrukturës sportive – tha ndër të tjera Presidenti i FSHF-së.

Ndërsa, Presidenti i Tiranës, Refik Halili, falënderoi të gjitha ata që kanë punuar për rikonstruksionin e fushave dhe shprehu dëshirën që akademia të vazhdojë të prodhojë sa më shumë elementë të vlefshëm të cilët mund të luajnë me klube më të mëdha të Europës në të ardhmen: “President, ju falënderoj për gjithçka keni bërë për futbollin dhe për ne. Falënderoj të gjithë ata që kanë punuar në këto ambiente gjatë gjithë kësaj kohe. Falënderoj shumë gjithashtu trajnerët e akademisë, stafin e akademisë e në veçanti drejtorin e akademisë, Devi Muka. Ju premtoj juve dhe tifozëve të Tiranës që ne do të ecim para dhe shpresojmë që të prodhojmë sa më shumë elementë, të cilët do të mund të luajnë nëpër klube europiane siç kemi bërë deri më tani, pa kërkuar madje shpërblime shumë të mëdha vetëm që futbollistët të kenë një shans të mirë. Shpresoj që në këto ambiente ne të kemi sa më shumë futbollistë. Unë ju kam bërë një kërkesë që në të ardhmen të mund të ndërtojmë edhe dy fusha të tjera në kuadër të projektit të 100 fushave. Shpresojmë që të bëjmë gjithçka gati e të trokasim tek ju për ta vazhduar bashkëpunimin më tej”, – u shpreh Halili.

Një mesazh për të gjitha vajzat që duan të luajnë futboll dha edhe kapitenia e skuadrës së Tiranës për femra, Daniel Kodra. “Kam qenë dëshmitare e ndryshimit që ka ndodhur me futbollin e femrave. Dua t’ju falënderoj për ndihmën dhe përkrahjen që i jepni futbollit të femrave, duke filluar që nga projekti ‘Groë’ e duke vazhduar edhe më tej me atë ‘Playmaker’. Do të doja shumë që çdo vajzë e cila është e aftë dhe e ndjen veten të gatshme të jetë pjesë e lojës, të mos e ketë më tabu, por që ta vazhdojë këtë ëndërr ashtu si çdo vajzë që ka ëndrrat e veta”, – tha Kodra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu