• |
ide | kryesore

Kurthi/ Kush janë “miqtë” që shoqëruan Enver Stafukën para zhdukjes në Krujë

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Pamjet filmike që publikoi gazetarja Klodiana Lala mbrëmjen e të mërkurës treguan se në momentet e fundit para rrëmbimit, Enver Stafuka ishte në shoqërinë e disa emrave të njohur të botës së krimit, për një takim që zgjati rreth 30 minuta në shkurt të vitit 2015. Rrëmbimi dhe më pas zhdukja e Stafukës (Video e emisionit KETU) është një nga ngjarjet më të bujshme që kanë ndodhur në Krujë jo vetëm për nga mënyra e zhdukjes, por edhe për dyshimet se ajo u krye për të mbyllur një herë e mirë disa ngjarje të rënda kriminale, për të cilat personi i zhdukur mund të rrëfehej.

Më parë në media ishte publikuar vetëm një pjesë e filmimeve. Ishte zbuluar fakti që Stafuka u lidh u fut në një makinë nga persona të maskuar, me veshjet ku ishte mbishkrimi “Policia”. Enver Stafuka nuk bën rezistencë kur futet në makinë, duke besuar se ishte arrestuar nga policia. Por video që publikoi emisioni “Shënjestër” tregon të plotë të gjithë ngjarjen, ku dalin në pah “miqtë” e tij.

Ata janë Durim Bami, Ramazan Rraja, Gentjan Bejtaj dhe një person tjetër i paidentifikuar. Dyshimet e familjarëve janë se Enver Stafuka u fut në kurth, pasi u thirr për një kafe ku ishte organizuar rrëmbimi dhe më pas zhdukja e tij.

Enver Stafuka

Enver Stafuka është një personazh për të cilin dihet shumë pak, por që mendohet se dinte shumë. Ai është arrestuar si bashkëpuntor në vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, pasi kishte vjedhur mjetin me të cilin u krye ekzekutimi. Enver Stafuka u arrestua së bashku me Gentjan Bejtajn, që është edhe një nga personat që ishte i pranishëm në kafen e fundit që ai konsumoi në Krujë.

Ai ka qenë edhe një nga personat që është mbajtur në përgjim nga prokuroria pas vrasjes së Artan Santos, bashkë me persona të tjerë të rrethit të tij shoqëror, megjithatë ende nuk ka asnjë informacion zyrtar për implikimin e tij në këtë ngjarje.

“Enveri shoqërohej me këta persona dhe këta kishin frikë se mos Enveri fliste për krimet apo atentatet e tyre. Kjo është arsyeja pse e rrëmbyen dhe e vranë” ka thënë motra e tij në një intervistë të disa viteve më parë.

Por kush janë personat me të cilët ai shoqërohej natën e rrëmbimit në 8 shkurt të vitit 2015 në Krujë?

Durim Bami

Filmimet tregojnë Durim Bamin, si një nga njerëzit e fundit që takoi Enver Stafukën. Ai është në shoqërinë e një personi tjetër ende të paidentifikuar. Durim Bami i njohur si Duri nga Fushë-Kruja u bë i famshëm në denoncimin e Tom Doshit për organizimin e një atentati ndaj tij nga Ilir Meta. “Duri” nga Fushë-Kruja iu prezantua atëherë deputetit të Shkodrës dhe ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit, si vrasës me pagesë që rrëfehej për atentatin që kishte marrë përsipër.

Në 2015 Bamit i kanë vënë eksploziv në makinën e tij tip “BMë X5″ me targa AA 858 IS, por nuk pati lëndime.

41-vjeçari ka qenë i dyshuar në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje. Ai është dyshuar për vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K. Veç kësaj, ai ka qenë i dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të pengmarrjes. Në 8 shkurt 2020, Operacioni Forca e Ligjit i ka sekuestruar atij një makinë të blinduar.

Gentjan Bejtja

Në filmimet e publikuara në emisionin Shënjestër shfaqet edhe Gentian Bejtja. I njohur si ish-polic i burgjeve shumë vite më parë, Bejtja ka qenë i arrestuar bashkë me Enver Stafukën për vjedhjen e makinës që u përdor në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në vitin 2013. Automjeti i ishte vjedhur një ditë para vrajes në rrugën “Aleksandër Goga” në Durrës dhe pas krimit, autorët e vrasjes e dogjën pranë Domjes në Tiranë.

Gentian Bejtja, nga fshati Larushk i Fushë- Krujës është plagosur me shpërthim eksplozivi në vitin 2016.

Fillimisht Bejtja u arrestua dhe u hetua nga prokuroria e Krimeve të Rënda, por më pas u la i lirë nga Gjykata e Durrësit e cila e ndyshoi masën e sigurisë dy herë. Në një rast kur policia shkoi të ndalonte, iu gjet në banesë një snajper pa leje. Pas procesit gjyqësor në Durrës, gjykata e shpalli të pafajshëm për akuzën e vjedhjes së automjetit të përdorur në vrasjen e kryekomisar Lamajt.

Ramazan Rraja

Shfaqja e Ramazan Rrajes në takimin e fundit me Stafukën është një fakt i panjohur më parë. Nipi i deputetit të Krujës, Rrahman Rrajes, është i njohur për problemet me drejtësinë. Rreth një vit më parë ai u arrestua në Belgjikë pas goditjes së një bande të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Por Ramazan Rraja u la i lirë pas 30 ditëve burg duke qenë se akuza nuk u provua. Rraja është akuzuar nga polici i Krujës, Emiljano Nuhiu për kërcënimet në lidhje me hetimin e dhunës ndaj Xhisiela Malokut.

Ramazan Rraja është denoncuar edhe për filmimet e dhunës ndaj një vajze në ambjentet e jashtme të QSUT.

Kurthi

Prokuroria i ka rihapur hetimet për zhdukjen e Enver Stafukës, por deri më tani të vetmet shpjegime të ngjarjes janë ato që kanë dhënë familjarët e viktimës. Sipas motrës së Stafukës “kafja mes miqve” ishte në fakt një kurth i ngritur për ta zhdukur vëllain e saj.

Pas rrëmbimit, ajo ka folur me Durim Bamin, i cili ka përmendur emrin e Shullazit si të përfshirë në këtë ngjarje. “Ai më tha se dyshoj se mund ta ketë rrëmbyer Shullazi, pasi para disa kohësh i bëra një atentat. Por, siç e theksova, vëllai im nuk ka pasur lidhje me krimet e Durim Bamit” ka thënë ajo.

Ndërkohë i vëllai i viktimës, duke folur për filmimet ka thënë se persona të maskuar i kanë kërkuar të heshtë për ngjarjen. “Jemi kërcënuar me maska, mua personalisht më kanë kërcënuar. Kam qenë duke ecur me makinë, më kanë ndaluar me maskë, më kanë thënë: “Po fole më, do të të çojmë tek vëllai yt”./ Lapsi.al



4 Comments

  1. shikoj katunaret e ndyr, ne lohen e sistemit nuk kishin koh te dilnin ne Fushe -Kruje, se pervec se cizmet e llastikut kishin ne vend te kepuceve.u ndrru sistemi filluan te dalin ne qytet.nga mengjesi deri ne dark.per drek qonin nje njeri per te marr ushqim ne per shtepit per te henger.sot jan detyruar shun Fushe-Krujas te braktisin ate qytet pikerisht nga keta bark pa ngopur.

  2. Të dy ata janë shpallur “Non Grata” nga DASH dhe si për ironinë e fatit njeriu që është sulmuar më shumë nga Berisha vitet e fundit, do të përcaktojë edhe fatin politik të tjetrit, më së paku atë të mandatit të deputetit.

  3. Në Bashkinë e Shkodrës, e cila drejtohet nga Voltana Ademi, dera e institucionit prej dy ditësh mbahet e mbyllur me zinxhirë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *