• |
ide | kryesore

Sulm me dron në rezidencën e kryeministrit të Irakut/ 10 të plagosur, mes tyre edhe kryeministri

-Instant, Arkiva, Planet



Kryeministri i Irakut Mustafa al-Kadhimi ka mbetur i plagosur pas një sulmi në shtëpinë e tij në kryeqytetin, Bagdad. Zyrtarët thanë se rezidenca e tij në Zonën e Gjelbër të kryeqytetit ishte shënjestruar nga një dron i ngarkuar me eksploziv, në një tentativë të supozuar për vrasje.

Raportet e mëparshme të mediave thanë se zoti al-Kadhimi ishte dërguar në spital, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në një postim në Twitter, ai bëri thirrje për “qetësi dhe përmbajtje nga të gjithë, për hir të Irakut”.

Zyrtarët thanë se të paktën gjashtë persona nga detaji i sigurisë së kryeministrit u plagosën. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, në një zonë të qytetit ku ka shumë ndërtesa qeveritare dhe ambasada të huaja. SHBA e ka dënuar incidentin dhe ka ofruar ndihmën e saj me hetimin. “Ky akt i dukshëm terrorizmi, të cilin ne e dënojmë me forcë, ishte drejtuar në zemër të shtetit irakian,” tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA Ned Price.

Z. al-Kadhimi, një ish shef i inteligjencës, u betua në detyrë në maj të vitit të kaluar. Në javët e fundit, mbështetësit e grupeve politike të lidhura me Iranin kanë organizuar demonstrata pranë Zonës së Gjelbër. Ata kanë protestuar kundër rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të muajit të kaluar, për të cilat ata thanë se kishin parregullsi votimi. Më shumë se 100 persona u plagosën gjatë përleshjeve të dhunshme me forcat e sigurisë këtë javë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *