• |
ide | kryesore

Juventus zgjidh kontratën me Ramsey, rinovime për Dybala e Cuadradon: ja lëvizjet e klubit në janar

-Instant, Sport



Historia mes Aaron Ramsey dhe Juventus është drejt mbylljes. Në fillim të sezonit Allegri u përpoq ta kthente në lojë duke e vënë përpara mbrojtjes, por tani uellsiani, i cili ka luajtur shumë më tepër në kombëtare sesa me Juventusin, është jashtë planeve të trajnerit (në 45 ditët e fundit, mes kampionatit dhe Champions League, vetëm 6 minuta në fushë) dhe po i afrohet gjithnjë e më shumë lamtumirës në janar. Shitja, opsioni që Juve do të preferonte, mbetet e vështirë nga kontrata e uellsianit (rreth 10 milionë në vit deri në vitin 2023) dhe për këtë arsye është më e lehtë të arrihet një marrëveshje për zgjidhjen e saj.

Cherubini dhe menaxherët e lojtarit, që mund të rikthehet në Angli ku ka ende disa admirues, po flasin për këtë mundësi: Ramsey është i disponueshëm për t’u larguar nga Torino, por për të arritur një marrëveshje do t’i duhet një shpërblim i fortë në dalje. Pasi të lirojë një vend në mesfushë dhe të lehtësojë barrën e pagave, Juventus mund të punojë kështu paraprakisht në një goditje në hyrje dhe emri në pole position për momentin është ai i Alex Witsel. Mesfushori belg, i cili do të lirohet në qershor, mund të largohet nga Borussia Dortmund në merkaton e dimrit dhe bardhezinjtë do të jenë gati për një operacion të mundshëm me kosto të ulët. E vetmja pengesë mund të jetë paga e lojtarit (7 milionë), por sipas raportimeve të Sport Bild, Zonja e Vjetër tashmë ka gati një ofertë për janarin.

Megjithatë, përpara merkatos së janarit, prioriteti i drejtuesve të Juventusit do të jetë rinovimi i kontratave. Tashmë gjithçka është vendosur për atë të Paulo Dybalas: menaxheri i argjentinasit pritet në Torino në fund të pauzës së kombëtares, mungojnë vetëm detajet e fundit dhe nënshkrimi i shumëpritur mund të arrijë në dhjetor. Mund të përfundojë edhe më herët ajo e Juan Cuadrados, i lidhur me bardhezinjtë prej gjashtë vjetësh dhe shumë afër zgjatjes për një sezon tjetër (deri në 2023).

Një tjetër lojtar që mund të rinovojë është edhe Federico Bernardeschi, por në këtë rast kohët mund të jenë pak më të gjata. Janari po afrohet gjithnjë e më shumë e manovrat e mëdha të Juventus tashmë kanë filluar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *