• |
ide | kryesore

Dëshmitë/ Si e rrahën policët gazetarin e Abcnews Ermal Vija në Dajt

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Fakti që kamerat e televizioneve ishin duke filmuar kur polici shtyu kameramanin e Top Channel Endrit Aga dhe ky rrezikoi të binte në greminë bashkë me gazetaren Anila Hoxha provokuan menjëherë reagimin e Drejtorit të Përgjithshmë të Policisë, Gledis Nano dhe atë të Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi. Të dy nxituan të shprehnin respektin për profesionin e gazetarëve, duke pezulluar menjëherë policin që shtyu kameramanin dhe duke u angazhuar për mbrojtjen e lajmësve në çdo rast nga dhuna policore.


Por që indinjata e drejtuesve të policisë ishte kryekëput një hipokrizi për t’iu hedhur hi syve mediave e tregon një ngjarje që ndodhi po atë ditë. Kur Anila Hoxha u rrëzua në tokë, disa metra më tej, pranë vendit ku u gjet trupi i Ruzhdi Hoxhës, një gazetar tjetër është mbajtur peng dhe është rrahur nga një grup policësh.


Bëhet fjalë për gazetarin e Abcnews, Ermal Vija që në përpjekje për të marrë disa pamje më të mira për televizionin ku punonte, bashkë me kameramanin mundi të kalojë shiritat rrethues të policisë dhe të afrohet në vendin ku u gjet trupi i pajetë i biznemenit, në Dajt.

Kur është pikasur nga policët, gazetari është goditur, është marrë dhunshëm dhe është futur në një mjet privat aty afër dhe është kërcënuar nga policët, që të irrituar kanë pasur një sjellje rrugaçërore.
Ky rast u përmend edhe nga Anila Hoxha në një status në Facebook, ku ajo shkruan “ate dite hipen ne nje furgon, kolegun Ermal Vija dhe i shqepen bluzen dhe e goditen me shuplaka. Si ky polic dhe pese te tjere ne pyll”.

Ndërkohë kolegu Julian Kasapi, duke denoncuar dhunën e policisë ndaj gazetarëve dhe duke iu referuar të njëjtit rast, ka treguar: “Në duart e “Pemës” së kalbur ra një tjetër koleg, Ermal Vija. Kësaj here nuk kishte video për të dokumentuar tejkalimin e kompetencave, nuk kishte video për të dokumentuar grisjen e këmishës dhe marrjen e celularit me dhunë e përplasjen brenda makinës e fjalorit Jo etik. Nuk kishte asgjë për të dokumentuar”.

Edhe vetë drejtuesit e Abcnews kanë heshtur për këtë ngjarje, kanë bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh dhe nuk kanë mundur të artikulojnë asnjë denoncim publik për dhunën e policëve ndaj gazetarit Ermal Vija. Për këtë rast, ka heshtur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano dhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Fakti që nuk pati filmime të dhunës policore ndaj gazetarit Ermal Vija, i ka mjaftuar Gledis Nanos dhe Bledi Çuçit, që historia të kalojë në heshtje, megjithëse dhuna ndaj reporterit nuk qe një reagim impulsiv i disa policëve, por një seri veprimesh presioni dhe goditjesh ndaj tij. Heshtja e tyre tregon se edhe reagimi për kolegen e Top Channel, ishte hipokrizi, lot krokodili për t’u distancuar nga një kulture abuzimi dhe keqtrajtimi të gazetarëve, por vetëm atëherë kur kamerat janë ndezur./Lapsi.al

4 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.