• |
ide | kryesore

Falsifikoi dokumentet për të liruar Viktor Ymerin e Bandës së Gaxhait, pranga ish-zyrtarit të Burgut të Peqinit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ish-Shefi i Sektorit Ligjor të Burgut të Peqinit, Gani Shehu është arrestuar sot nga SPAK. Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se Gani Shehu paraqiti të dhëna të rreme për një të burgosur që t’i mundësonte lirimin.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr.252 të vitit 2020, për veprat penale të parashikuara nga nenet 79/dh, 78, 278, 333/a, 334 etj. të Kodit Penal. Në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet shtetasi V.B(I). Gjatë shqyrtimit të kërkesës së të arrestuarit V.B.(I), me objekt revokim/zëvendësim të masës së sigurimit nga ana e mbrojtjes së të hetuarit, u paraqit si provë një shkresë me lëndë: “Kthim përgjigje” e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Peqin e datës 14.01.2021.

Duke marrë shkas nga përmbajtja e kësaj shkrese, Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kreu hetime të thelluara në drejtim të vërtetësisë së të dhënave të pasqyruara. Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore, u krijua dyshimi i arsyeshëm se, në shkresën e datës 14.01.2021 të nxjerrë nga IEVP, Peqin, paraqiteshin të dhëna të rreme të cilat shkonin në drejtim të lehtësimit të pozitës së të hetuarit V.B.(I).

Gjithashtu, nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit krijohet dyshimi i arsyeshëm se, personi që ka përgatitur këtë shkresë në të cilën janë pasqyruar të dhëna të rreme, është ish – Shefi i Sektorit Ligjor të IEVP – së Peqin, G.Sh. Në vijim, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.95 datë 10.11.2021 ka caktuar ndaj shtetasit G.Sh. masën e sigurimit: “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal. Kjo masë sigurimi u ekzekutua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 11.11.2021″, thuhet në njofitmin e SPAK.

“I forti i Vlorës” bëri 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës. Lidhur me këtë ngjarje, pasi vuajti dënimin Ymeri u lirua nga burgu në 2019, por u rikthye sërish në burg në dhjetor të 2020, pasi SPAK rihapi hetimet për dy ekzekutimet e bujshme në 2005, të Vajdin Lame dhe Klodian Saliu. Ymeri është shpallur fajtor si një ndër autorët e kësaj vrasje. Pikërisht për këtë ngjarje ai mesa duke ka tentuar që të përfitojë nga skema e mashtrimit me kartelën e përgatitur nga dy zyrtarët e burgut të Peqinit që u arrestuan së fundmi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *