• |
ide | kryesore

Mallkimi i Teatrit Kombëtar/ ArTurbina ul qepenat dhe anulon shfaqjen e tretë radhazi

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Plogështia ka përfshirë kudo hapësirat skenike kombëtare në fillim të këtij sezoni, por skena në përdorim nga Teatri Kombëtar ka kaluar në dimensione qesharake. Kur pritej që ArTurbina të gëlonte nga vënia në skenë e shfaqjeve të reja, drejtuesit e institucionit po shfaqin një talent të veçantë në njoftimet për anulim aktivitetesh.

Sezoni u çel me “Fermën e kafshëve”, por nuk kaloi shumë dhe shfaqja u ndërpre, sepse një prej aktorëve rezultoi pozitiv me Covid-19. Administrata e Teatrit i ra shkurt. Një status në rrjetet sociale njoftoi anulimin e shfaqjes dhe publikut iu dha ultimatum për tërheqjen e parave të biletave.

Infektimi me covid nuk vjen surprise në ditët e sotme, e megjithatë administrata e Teatrit nuk kishte marrë asnjë masë për të dalë nga situata e krijuar rëndom këto kohë. Dublimi i aktorit të infektuar me covid, se pari do të kishte mbrojtur repertorin, së dyti do të kishte kishte evituar keqpërdorimin e buxhetit për shfaqjen dhe ç’është më e rëndësishmja, nuk do të zhgënjente publikun.

Por në mungesë të një qëndrimi dinjitoz, Administrata e Teatrit mbylli menjëherë shfaqjen dhe gjithçka do të ishte harruar, sikur të mos ishte premiera e dytë e “Edmond”. Pas 4 shfaqjesh, edhe për këtë projekt njoftohet anulimi. Shkak u bë një aktor që aksidentohet. Shfaqja mbyllet menjëherë. Repertori kyçet. Historia përsëritet, ndërkohë që pagesat ishin kryer, që nga dekori, kostumet, të paguara honorare e shpenzime të tjera me radhë.

Për publikun mesazhi i zakonshëm: “Biletat rimbursohen po erdhët deri në këtë ditë etj etj” dhe asnjë zgjidhje. Asnjë reflektim nga anullimi i mëparshëm dhe asnjë analizë.

Pas dy dështimeve, në skenë u vunë dy shfaqje të tjera, “Vdis duke qeshur”, produksion i Teatrit “Andon Zako Çajupi” Korçë dhe “Një Madam nga Argjentina” produksion i Teatrit “Skampa”, Elbasan.

Teatrot lokale, me stafe minimale dhe buxhete akoma më të vogla u detyruan të mbajnë gjallë “gjigandin”, Teatrin Kombëtar.

Ajo që ra në sy ishte se në shfaqjen e Korcës, nga tre aktorë, dy ishin pjesë e stafit të Teatrit Kombëtar. E njëjta skemë edhe në shfaqjen e trupës nga Elbasani. Dy aktorë nga Teatri Kombëtar ishin aty.

Këto detaje kanë bërë që ndjekësit e rregullt të repertorit të teatrit të ngrenë një pyetje fare të thjeshtë: Përse Teatri Kombëtar nuk ka mundësi të dublojë aktorët që sëmuren, ndërkohë që aktorët e tij bëhen pjesë e trupave të teatrove të qyteteve të tjera?

Si të mos mjaftonin këto, në profilin e Teatrit Kombëtar në Facebook ka ardhur njoftimi i radhës. Shfaqja e trupës së Elbasanit “Një madam nga Argjentina” anulohet.

Gjithkush që ka parë të shembet godina e mëparshme e Teatrit Kombëtar, mund të mendojë se mallkimet e një padrejtësie që u bë ndaj memories së qytetit po ndjek nga pas ArTurbinën me dështime të njëpasnjëshme të projekteve të këtij sezoni.

Por nga reagimet në rrjetet sociale, publiku e vë gishtin tek keqmenaxhimi i aktorëve.
Në komentet në rrjetet sociale vihet në dukje fakti se përse Teatri Kombëtar nuk ka aktorë dublantë dhe shpjegimi i drejtorit të Teatrit Hervin Çuli është se kjo ndodh se nuk ka aktorë mjaftueshëm.
“Vazhdon …..u bë si barcaletë…dublantet ku i keni???? Teatri Kombetar, përfaqëson një shtet nuk është teater privat”, thotë një qytetar.

“A e shikon që është shfaqje e teatrit Skampa apo nuk shikon nga sytë???Edhe shfaqjen e teatrit Elbasanit t’a dubloje TK?!!! Ndërkohe kupton ti çdo të thotë dublant dhe kur aplikohet dublanti?Dublant e nderuar përdorin vendet e lindjes, në teatro me repertor shume vjeçar dhe me stafe aktorësh rezidentë 80 – 100 aktore, dhe jo si TK qe ka 28 aktore dhe kalendar të kufizuar.Po ti nuk e kupton dot kete, se ke nevojë që komplekset e tua ti të mos realizimit personal ti vjellesh në këtë faqe sa herë të jepet mundësia”, shkruan Hervin Çuli, drejtor i Teatrit Kombëtar në përgjigjen e tij. Fakt është që kësaj radhe Teatri Kombëtar, për të tretën herë gjendet përballë dështimit.

Ajo që e bën edhe më të çuditshme situatën është se emri i aktorit apo aktores së prekur me Covid në shfaqjen e radhës, mbahet i fshehtë. Në rrjetet sociale përsëritet sërish njoftimi i zakonshëm, që i bën thirrje publikut të kthehet, jo për të shijuar lojën skenike të aktorëve, por për të tërhequr paratë e biletave.

“Duke ju kërkuar dhe njëherë ndjesë për çdo shqetësim, ju bëjmë thirrje të afroheni pranë biletarisë tonë te ArTurbina për të rimbursuar biletën tuaj për shfaqjet “Ferma e Kafshëve” dhe “Edmond” brenda datës 20.11.2021 dhe shfaqjes së Teatrit “Skampa”, “Një Madam nga Argjentina” brenda datës 17.11.2021.” thuhet në njoftimin e fundit në rrjetet sociale.

Pandemia do të vazhdojë gjatë. Bashkë me të duket se do të zgjasë edhe mallkimi për ArTurbinën, godinën ku u vendos Teatri i ri Kombëtar mbi rrënojat e të vjetrit. Në mos qoftë kjo, atëherë thjesht kërkohet një menaxhim më i mirë i burimeve njerëzore për të evituar anulimin e shfaqjes së radhës./Lapsi.al



7 Comments

  1. Suel Çela, një person i akuzuar si i “bosi i krimit” në Elbasan, punon për Sali Berishën.

    Bardhi shtoi se për këtë është në dijeni dhe Flamur Noka sepse është thirrur dy ditë më parë.

  2. Mos prisni as 11 dhjetorin e këtij viti, as të vitit tjetër. Talibanët do rrijnë gjatë në Dajt duke pritur zbarkimin në Tiranë. Dhe nuk kanë për të hyrë kurrë bashkë, por vetëm një nga një të dëshpëruar dhe penduar që morën mend e një njeriu, që i përdori në fund të jetës si truproja të varrit të tij politik.

  3. Culi me mbylljen kazinove ku shkon per bixhoz apo te Plazza ku shkojne te gjithe. Tetatri i ri do kushtoje 48 miliard leke kurse ti ben si hallexhi kemi vetem 28 aktore, normal e keni marre me tapi shikoj disa fytyra aty qe ne cdo shfaqje e kapin nga nje rol. Hapjani deren aktoreve te rinj dhe prodhoni shfaqje te reja se late nam, celje sezoni me Fermen e Kafsheve te cilen e kemi pare 100 here si film po ashtu dhe si film vizatimor tani ta shofim dhe teater. Teatri i vjeter u be 2 vjet qe u shemb naten sikur te ishte ndertim pa leje, kur do nisim punimet per te riun o Cul apo e di Rama ti nuk di gje. Ky teater eshte nje turp i madh i cili shfaqjen me te sukseshme ne keto vitet e fundit ka Boing Boing ku teme ka humorin banal dhe kapjen nga bythet.

  4. Sali Berisha mund të bëhet një personazh filmi dhe aty mund të ndodhë që spektatorët ta pëlqejnë ashtu siç pëlqejmë një vrasës me pagesë apo të distancohen prej tij. Kjo do të varet nga aktori që do ta luajë atë personazh. Ndërsa personazhi historik me emrin Sal Berisha, tani i përket asaj kategorie që në këtë vend kanë prodhuar haxhi-sali-qamilizmin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *