• |
ide | kryesore

Pastrimi i parave/ Fijet që lidhin Rezart Taçin me mafian italiane

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Njeriu që bleu për herë të parë ARMO-n, ish-pronar i një televizioni në Tiranë, i prezantuar shpesh edhe si një bamirës, Rezart Taçi është vënë nën akuzë për pastrimin  e parave të mafias italiane.

Akuza e skemës së pastrimit të miliona eurove është ngritur për Taçin, kunatin e tij Artur Balla dhe ish truprojën Bledar Lilo përmes hetimeve që janë kryer nga Antimafia italiane dhe që kanë vënë në lëvizje edhe Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, SPAK. Skema e pastrimit të parave përmes transaksioneve përfshin edhe një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, pasu paratë që duheshin pastruar lëviznin në Shqipëri, Itali dhe Zvicër, ku Taçi dhe dy njerëzit e tij bashkëpunonin me 4 italianë për pastrimin e parave të Cosa Nostra-s.

SPAK ka lëshuar 3 urdhër arreste, për Rezart Taçin, ish bosin e naftës në vend, i cili është ende në kërkim dhe dy bashkëpunëtorët e tij Artur Balla dhe Bledar Lilo, që janë arrestuar ditën e sotme.
Taçi mësohet se do të përfitonte përqindjen e tij nga transaksionet bankare, duke qenë se
bashkëpunonte në Itali me 90-vjeçarin Francesco Zummon dhe Fabio Petruzzella-n, të cilët janë dy nga italianët e arrestuar në Itali.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga SPAK skema e pastrimit të parave të krimit drejtohej nga shtetasit italian Francesco Zummo, 90 vjeç dhe I.Z., në bashkëpunim me ekonomistin Fabio Petruzzella dhe italianin D.C., të cilët pastronin paratë në Zvicër dhe Shqipëri. Në Shqipëri bashkëpunëtori i tyre ishte Rezart Taçi, i cili së bashku me 2 të besuarit e tij Artur Balla dhe Bledar Lilo, pastronin paratë përmes bizneseve të tyre në Shqipëri në sektorin e naftës.

Gjatë hetimit janë sekuestruar 18 milion e 399 mijë e 941.50 Euro, që sipas akuzës janë përfituar pikërisht përmes pastrimit të parave të krimit. Këto para kanë ardhur nga italiani 90-vjeçarin Francesco Zummon gjatë muajit gusht 2021 në Shqipëri ku do të bëhej edhe pastrimi nga Taçi dhe dy bashkëpunëtorët e tij.

Zummo, një sipërmarrës 90-vjeçar nga Palermo, është partner i dyshuar i kryebashkiakut mafioz, Vito Ciancimino, i cili ka qenë një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Toto Rinës. Sipas mediave italiane Zummo ka ndihmuar Cianciminon në pastrimin e shumave të mëdha të parave. Po ashtu ai është hetuar nga gjyqtari Giovanni Falcone, i vrarë nga mafia, ndërsa është akuzuar se ka qenë në dispozicion edhe të Cosa Nostra-s. Petruzzella është ekonomist dhe vëllai i një gjyqtari në Palermo, i cili ndihmoi në zhdukjen mbi 18 mln eurove të Zummon, që do të konfiskoheshin, duke i transferuar në një llogari bankare në Tiranë. Janë pikërisht këto para që SPAK i sekuestroi ditën e sotme.

Pas publikimit të lajmit se ka një urdhër arresti për të mbi akuza për pastrim parash, Rezart Taçi ka reaguar menjëherë për Albanian Post duke i cilësuar ato tërësisht të pabaza dhe të pakuptueshme.

“Unë nuk arrij ta kuptoj se si mund të nxirret ndaj meje një urdhër i tillë arresti. Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt. Është një vendim tërësisht i pakuptimtë” ka thënë ai. Veç të tjerave, Taç ka thënë se ai as nuk e njeh 90-vjeçarin e akuzuar nga drejtësia italiane për pastrim parash dhe nuk e ka idenë se kush është ai.

Francesco Zummo që drejtoi skemën e pastrimit të parave nga Italia përmes Zvicrës dhe Shqipërisë, kishte krijuar një perandori ndërtimesh në Palermo.

Sipas medieve italiane të cilat i referohen autoriteteve, duke filluar nga fundi i viteve ’60, Zummo, bashkë me partnerin Vincenzo Piazza (i konsideruar këshilltar besnik i një familjeje mafioze) dhe me krahun e tij të djathtë Francesco Civello, ishte ndër përgjegjësit kryesor për ndërtimet në Palermo. Sipas tyre ai kishte krijuar një perandori ndërtimesh prej rreth 2700 pronash.
Gushtin e kaluar, Prokuroria Shqiptare Kundër Korrupsionit raportoi te prokurorët në Palermo se kishte bllokuar një llogari të hapur nga sipërmarrësi në një bankë në Tiranë me 19 milionë euro./Lapsi.al

Njoftimi i plotë i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e informacioneve dhe verifikimeve kryesisht, ka regjistruar procedimin penal nr.211 viti 2021, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) dhe (dh), nenet 28/4, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, në bashkëpunim dhe në koordinim me Drejtorinë Distrektuale Antimafia në Prokurorinë e Republikës në Gjykatën e Palermos, Itali, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme për organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.

Janë mbledhur prova se kjo skemë financiare është drejtuar nga shtetasit italian F.Z. dhe I.Z., në bashkëpunim me shtetasin italian F.P., të shtetasit zviceran me origjinë italiane D.C., si dhe të shtetasit shqiptar R.T., i përfshirë në biznese në sektorin e naftës. Ky i fundit në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar në këtë veprimtari personat e vet të besuar, rezidentë në Shqipëri, respektivisht shtetasin A.B. dhe shtetasin B. L.

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin nr.93, datë 07.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:

  • Caktimin ndaj personave nën hetim R.T., A.B. dhe B.L., të masës se sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit Procedurës Penale, si të dyshuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) e (dh), si dhe nenet 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Gjatë hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë procedim penal është vendosur masa e sekuestrimit për shumën monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) Euro.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 12.11.2021 masën e sigurimit personal të vendosur ndaj shtetaseve A.B dhe B.L.

Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.

 



10 Comments

  1. Po fijet qe e lidhin me Berishen?
    Hajde o trim, behu burr e na trego per fijet se te eshte ngatruar filli shume. Ec e fol se cliron barren qe te kan hedh mbi supe. Boll pastrove leket e te tjerve, tani ec e jep llogari se me leket e kujt u bere “boos”.

  2. Nuk ka asnje fakt dhe asnje prove ka thene Taci, copy paste Berisha. HaHaHaHaHa. Ando, vazhdon seriali telenoveles Berisha – Taci – Lili.

  3. Ku fijet gazetar? Asnje medie italiane nuk permend tacin..perkundrazi raportojne qe 18M euro do investoheshin ne ndertim ne shqiperi nepermjet bankave te niv 2..ndertimin dihet kush e ka ne dore ne tirane.
    Shashka pordhe me rigon alla kimete SPAKU qe te filloje llomotitja e perrallave per berishen dhe tacin.

  4. Sali Berisha mund të bëhet një personazh filmi dhe aty mund të ndodhë që spektatorët ta pëlqejnë ashtu siç pëlqejmë një vrasës me pagesë apo të distancohen prej tij. Kjo do të varet nga aktori që do ta luajë atë personazh. Ndërsa personazhi historik me emrin Sal Berisha, tani i përket asaj kategorie që në këtë vend kanë prodhuar haxhi-sali-qamilizmin.

  5. “Prapa Taçit janë Berishët”, Geri Kokalari: “Familja kishte pozicion të fshehtë pronësie në ARMO dhe aksione pritëse në Albpetrol, nëse privatizimi në 2012-n do realizohej”

  6. Idealizmi dhe heroizmi që ka kanë një korrelacion organik.

    Tragjizmi.

    Komizmi.

    Metamorfoza e personazhit politik të trefishtë Sali Berisha që në këto tre dekada ka kaluar nga idealizmi heroik në tragjizëm, tani është në dimensionin e fundit, atë komik.

    Foltoret e organizuara nga ai shëmbëllejnë me komeditë e Aristofanit, ku do të apostrofoj retë dhe zogjtë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *