• |
ide | kryesore

“Thesi i mafias siciliane”/ Si doli në skenë emri i Francesco Zummo

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Një operacion mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane çoi në zbulimin e një skeme financiare të një grupi kriminal në fushën e pastrimit të parave.

SPAK njoftoi këtë të premte arrestimin e dy personave, dhe shpalljen në kërkim të një të treti, të akuzuar për pastrim parash dhe grup kriminal. Të arrestuarit janë Artur Balla dhe Bledar Lilo. Ndërsa në kërkim është shpallur biznesmeni i naftës, Rezart Taçi.

SPAK ka sekuestruar po ashtu një shumë monetare prej mbi 18 milionë euro. Kurse mediat italiane shkruajnë se bëhet fjalë për 20 milionë euro që duhet të pastroheshin për llogari të biznesmenit kontrovers, Francesco Zummo.

Ky i fundit është një sipërmarrës 90-vjeçar nga Palermo, ish-ortak i kryebashkiakut mafioz të Palermos, Vito Ciancimino, i dënuar në të shkuarën për vepra të ndryshme penale dhe i hetuar edhe Giovanni Falcone.

Zummo njihet si pjesë e ‘thesit të mafias’ në Palermo.

Emri i tij doli aksidentalisht në skenë në vitin 1979. Në Toronto të Kanadasë u vra një nga emrat më të njohur të mafias siçiliane, i quajtur Michael Pozza.

Por në makinën e tij u gjetën disa shënime, ku shfaqej edhe emri i ndërtuesit Zummo.

Gjyqtari Giovanni Falcone zbuloi gjatë hetimeve të tij se disa prej llogarive të biznesmenit Zummo përdoreshin për operacione të lidhura me trafikun e drogës.

Pas shumë hetimesh, Zummo u dënua me pesë vite burg dhe iu sekuestruan një numër pasurish me vlerë prej të paktën 200 milionë euro. Mes të tjerash u zbulua se ai kishte punuar për të fshehur pasuritë e kryebashkiakut mafioz dhe i kishte shoqëruar fëmijët e tij të paktën dy herë në Kanada për të blerë pasuri të paluajtshme.

Megjithatë Gjykata e Lartë e riktheu vendimin dhe u desh të vinte viti 2020 që sekuestroja ndaj pasurive të merrte formë përfundimtare.

Në vendimin e gjykatës thuhej se që nga vitet ‘60, Zummo së bashku me kryebashkiakun mafioz Vito Ciancimino kishin ngritur një perandori në fushën e ndërtimit, me një portofol prej të paktën 2700 pronash.

Por pasuritë e tij janë shpërndarë edhe në vende të ndryshme të botës. Prokurorët vazhdojnë të ndjekin gjurmët e parave, që këtë herë i kanë çuar edhe në Shqipëri.

Sot Zummo është 90 vjeç dhe gjykata e ka lënë në arrest shtëpie. Gazeta ‘Repubblica’ shkruan se mbi të gjitha, ai është një nga ruajtësit më të mirë të sekreteve të Palermos/ marrë nga SYRI.net



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *