• |
ide | kryesore

Profil/ Përparim Rama, arkitekti që do të rivizatoj Prishtinën

-Instant, Kryesore



29 vite më parë u nis plot shqetësim me vetëm një valixhe të mbushur me ëndrra drejt një toke të panjohur, ndërsa sot rikthehet në Prishtinë me ide inovative dhe një besim që mund të ndryshojë qytetin që dikur e la të shkatërruar.

Ky është Përparim Rama, kryetari i ri i Bashkisë së Kosovës, që ndonëse i zgjedhur me mbi 1700 vota më tepër se Arben Vitia, rivali kryesor i tij në garë, mbetet ende një emër jo fort i dëgjuar.

Prezantimi i tij prej kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, qe i befasishëm. Askush nuk priste që një arkitet, jo partiak, siç e konsideron veten, të shfaqej papritur në një garë të ethshme dhe të vështirë, si ajo për kryetarin e Bashkisë së një kryeqyteti.

Pas krijimit të një fryme të re politike në Kosovë, ku nuk mjafton më të jesh një ish-komandant lufte për të qeverisur, por kërkohet edhe një projekt që të bindësh qytetarët, Përparim Rama e pati më të thjeshtë rrugën për te fitorja. E papërlyer në masë prej militantizmit, Prishtina vendosi të zgjedh një njeri që jo vetëm ndërton në profesionin e tij, por flet edhe për ndikimin që këto godina kanë në sjelljen e njeriut. Lidhur me këtë temë Rama ka shpalosur dijen që bart gjatë fjalimit të tij për TEDx në Prishtinë dhe Tiranë.

Braktisja e një Prishtine të pasigurt dhe suksesi në karrierë

Në moshën 16 vjeçare zgjodhi të largohej drejt Britanisë së Madhe, për shkak të pasigurisë që ndjente nga situata e vështirë që po kalonte Kosova.

“Emri im është Përparim Rama dhe unë kërkova azil në Britaninë e Madhe në vitin 1992. Jeta në Kosovë nuk ishte aspak e lehtë. Të gjithë të rinjtë e asaj kohe merreshin me dhunë nga forcat policore dhe ushtarake serbe për t’u dërguar në luftën me kroatët apo boshnjakët, ndaj e pashë të udhës që të vija në Britani e të kërkoja azil, sesa të përballesha me situatën e atjeshme”, ka treguar ai gjatë një interviste për CNN.

Në Londër, kreu studimet e larta në fushën e arkitekturës, ku numëron disa arritje.

Rama njihet për veprimtarinë e tij arkitekturale në disa shtete, si Angli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicër, Çeki, Shqipëri e vende të tjera, ku ka fituar edhe shumë çmime.

Në CV-në e tij pasqyron përvojën mbi 20-vjeçare në projekte të ndryshme që përfshijnë banesa, hotele dhe objekte komerciale, ndërkaq më parë ka punuar si këshilltar në Aeroportin e Southampton.

Në eksperiencat e mëparshme përfshihen edhe ato akademike. Njihet kontributi i tij si mësues në Shkollën e Arkitekturës në Universitetin Nottingham dhe si mbikëqyrës i Doktoraturave në Arkitekturën Gjeneruese dhe modelimin e ndërtesës SMART në programin MA dhe PHD në institutin SmartLab Media.

Në vitin 2012, në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, ai përfaqësoi Kosovën me veprën e quajtur “Punuesi i filigranit”. Në të njëjtin vit ka marrë pjesë si këshilltar i veçantë në Lojërat Olimpike.

“Puthja e fitores”

Paralelisht me karrierën, Rama krijoi në Londër edhe familjen e tij, e cila përbëhet nga bashkëshortja, Kristalja, si dhe tre fëmijët, Arra, Tigri dhe Broni.

Bujë në media bëri edhe momenti intim mes tij dhe bashkëshortes, një puthje në buzë që u etiketua kudo si “Puthja e fitores”.

Ai e ka falenderuar disa herë gjatë garës në Prishtinë bashkëshorten për mbështetjen që i ka dhënë dhe përkujdesin e treguar ndaj fëmijëve, në një moment angazhues si ky.

Kristalja është gjithashtu e suksesshme në profesionin e saj. Ajo është themeluese e “The Balkan Artists”, që është një burim novator i artit me bazë në Londër, galeri pop-up dhe platformë online, e cila promovon dhe mbështet artistët nga rajoni i Ballkanit.

Deklaratat si jo partiak dhe vizioni për Prishtinën

Pavarësisht se në garën për kryetar të Bashkisë së Prishtinës u prezantua si kandidat i një force politike, në rastin konkret i LDK-së, për Ramën dukej se kishte rëndësi që të nënvizonte faktin se ishte aty për qytetarët dhe jo për të mbajtur një qëndrim partiak.

“Nuk mendoj që gara për kryetar të Prishtinës është politike, më shumë është menaxhim i strukturave të kryeqytetit, është një projekt, një proces i cili duhet të menaxhohet në mënyrë të mirëfilltë. Unë jam a partiak dhe nuk kam qenë kurrë politik, politika është sekondare, mirëpo menaxhimi është primar. Si arkitekt menaxhoj projekte gjatë gjithë kohës”, u shpreh në një intervistë televizive.

Një ndër projektet kryesore të programit të tij është i ashtuquajturi “Ridefinimi i qendrës së qytetit”.

“Kjo qendër e re do ta ndryshojë hierarkinë e lëvizjes në trafik: këmbësori do të jetë i pari, transporti publik dhe ai alternativ i dyti, kurse veturat të tretat”, thuhet në program.

Plani i Ramës duket ambicioz dhe premtimet që ka dhënë janë jo pak sfiduese.

“Do të jem kryetar i cili do të mbahet në mend për projekte infrastrukturore të mëdha e të guximshme, të cilat do ta zhvillojnë Prishtinën për dekadat e ardhshme”, është shprehur ai.

Tashmë që nuk ka asnjë enigmë për drejtuesin e Prishtinës në katër vitet e ardhshme, mbetet për t`u parë nëse fjalët e thëna do të përkthehen në vepra.

©Lapsi.al

 



2 Comments

  1. Sot Lulzim Basha e ka zhveshur “revolucionin” e tij nga ngjyrat e PD dhe e kë lënë Sali Berishën pa asnjë argument politik përse I duhet Kuvendi I 11 Dhjetorit, përveçse si lëvizje kundër SHBA. Si të tillë është I lirë ta vazhdojë. Dhe Hysni Milloshi më 11 Dhjetor e nisi betejën kundër “agjentëve amerikanë” në Shqipëri. Shok partie e ka pasur Berishën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *