• |
ide | kryesore

Boks/ Beteja epike, 2.03 metra e 170 kg në një ring: Hulku iranian kundër njeriut më të frikshëm në botë

-Instant, Sport



Nuk është as film e as fluturim në kohët epike. E megjithatë imagjinata të con aty. Përplasjet mes titanëve nuk janë vetëm krijime filmash, faqe historish të zhytura në hijeshinë e lashtësisë. Me rrethanat e duhura ato kthehen në momente bashkëkohësie. Në O2 Arena në Londër, për shembull, diçka e ngjashme do të shfaqet më 2 prill, kur ringu dhe dorezat do të jenë gjithçka që nevojitet për një ndeshje boksi të formatit përbindësh, midis Martyn Ford dhe Sajad Gharibi. “Njeriu më i frikshëm në botë” përballë “Hulkut iranian”.

HULKU EKZISTON, VJEN NGA IRANI – Të dy duhej të sfidoheshin, sipas ideve fillestare, që në 2018. Disiplina? Arte marciale miks. Pastaj nuk u bë asgjë, deri në ndryshimin e idesë që tani entuziazmon boksin. Nga njëra anë, luftëtari aziatik Sajad Gharibi, i cili në rrjetet sociale prezantohet si Hulku që vjen nga Irani, pa lojëra fjalësh dhe me një dozë të mirë vetëvlerësimi, përvec përmasave mbresëlënëse. Bodybuilder i rritur me ngritjen e peshave, me diplomë në biznes dhe role në disa filma aziatikë, e quan veten edhe “Herkuli persian”. E për të kuptuar përse, mjafton të klikosh në profilin e tij në Instagram, për të parë videon në të cilën ai shkatërron një kockë me grusht, thuajse si të ishte rutinë. Thjesht për t’i shtuar historisë edhe pak përrallë.

MË I FRIKSHMI NË BOTË – Njeriu më i frikshëm në botë flet anglisht dhe ka muskuj të formatit extralarge. Ai quhet Martyn Ford, është i çmendur pas kriketit dhe vitet e fundit ka luajtur – ashtu si kundërshtari i tij i ardhshëm – në më shumë se disa filma. Në Instagram ai është një yll me mbi 3 milionë ndjekës (pesë herë më shumë se ata që numëron iraniani) dhe stërvitet nën këshillat e Eddie Hall, britaniku i fortë, fitues në vitin 2017 i titullit të njeriut më të fortë në botë (i mbiquajtur, jo rastësisht, “The Beast”). Ai është 2.03 m i gjatë, rreth njëzet cm më i gjatë se kundërshtari i tij, i cili balancon në peshore. Gharibi peshon 170 kg, në krahasim me 145 të britanikut.

BETEJA – Për të pritur sfidën mes gjigantëve (“Përplasja e titanëve”, duke cituar kinematografinë) do të jetë Arena O2 në Londër, e njohur edhe si North Greenwich Arena. Nuk mungojnë premisat për një takim të tensionuar. Madje as shigjetimet. “Jam i sigurt që do ta bëj copë dhe do t’u tregoj të gjithëve dallimin mes një sportisti dhe atij që nuk është. Jam i uritur…” ishte komenti i anglezit në Instagram. Përgjigja e iranianit? Në një foto. “Hulk po vjen, do të pendohesh për të gjitha.” Tashmë ka nisur numërimi mbrapsht për fansat.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *