• |
ide | kryesore

Përplasje kreu në mbylljen e fazës së parë, Tirana kërkon arratinë: ja stadiumet dhe arbitrat ku do të luhet

-Instant, F1, Sport



Mbyllet me javën e 9 faza e parë e Superiores, në të cilën Tirana kërkon arratinë pikërisht në përplasjen e kreut me Kukësin, ndërsa Partizani e Laci duan konfirmimin se e kanë lënë pas momentin e krizës. Vllaznia pas tre ndeshjeve pa fitore nuk ka asnjë alternativë tjetër vec fitores, kur përballë të ketë Kastriotin. Krutanët janë të fundit, por shpresojnë të mund ta ndryshojnë këtë fakt, edhe pse të besuarit e Brdaric janë si një bishë e plagosur në kërkim të shpagimit.

Po sonte në mbrëmje luhet edhe Partizani-Laci, sfida mes dy skuadrave që vijnë një moment i mirë. Të kuqtë e Dajës kanë marrë për herë të parë tre fitore radhazi mes kampionatit e Kupës, por ende nuk janë testuar ndaj një skuadre agresive si kurbinasit, që me Josës në pankinë nuk njohin humbje dhe kanë një seri rezultatesh pozitive prej 5 ndeshjesh.

Kampionët në fuqi të Teutës do të zbresin në fushë të dielën kundër Skënderbeut, në një ndeshje që mund të duket e thjeshtë në letër, nëse nuk do të ishte fakti që korcarët vijnë nga fitorja e parë në kampionat dhe kualifikimi në cerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Ndoshta 120 minutat e kthimit me Bylis dhe stresi i penalltive mund të kenë peshë në këmbët e të besuarve të Memellit, që shpreson shumë në entuziazmin e krijuar, për ti bërë një befasi formacionit të Martinit.

Dinamo duhet të lërë pas dy humbjet radhazi, pavarësisht se ajo e fundit në Kupë me Tiranën u ëmbëlsua nga kualifikimi në cerekfinale, kur të ndeshet me Egnatian. Rrogozhinasit sapo kanë kaluar Kukësin në Kupë dhe tani duan të provojnë shanset për tu ngjitur edhe më lart në renditje, duke qenë se me 10 pikë në një renditje të ngjeshur situata nuk është e sigurtë. Kryendeshja e javës është përplasja e kreut me Tiranan që është aktualisht 6 pikë përpara dhe një fitore përballë Kukësit do a rriste diferencën në 9 pikë pas 9 javësh. Kështu, për Longon që vjen nga një situatë jo e qetë pas eleminimit në Kupë, është një rrezik që duhet shmangur.

ARBITRAT
Nis sot java e 9 e Superiores, me dy ndeshjet e para Vllaznia-Kastrioti dhe Partizani-Laçi. Në ndeshjen që do të hapë javën në Shkodër, që do të zhvillohet në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”, arbitër kryesor do të jetë Erjon Bastari, i asistuar nga Rejdi Zajmi dhe Elvis Gjoka. Arbitër i katërt do të Eldorian Hamiti. Në sistemin VAR pritet të jetë Kreshnik Bajramaj dhe në AVAR, Rejdi Avdo. Në ndeshjen e mbrëmjes, Partizani-Laci, në orën 19.45, arbitër kryesor do të jetë Juxhin Xhaja, me asistentë Emigers Ganxhi dhe Arbër Zalla. Arbitër i katërt do të jetë Adrian Beqiraj. Në sistemin VAR do të jetë Florjan Lata dhe në AVAR, Ani Koçiaj.

STADIUMET
Këtë sezon është një problem i vazhdueshëm cështja e stadiumeve për skuadrat e Superiores, edhe për shkak të rikonstruktimeve të fushës së disa stadiumeve, duke bërë që të intensifikohen ndeshjet në impiantet e mbetura. Kukësi, që për Kupë e priti Egnatian në Vlorë, ndërsa për kampionat do të udhëtojë në Shkodër për të pritur Tiranën. Bardheblutë në anën tjetër kanë nisur ndërhyrjen në Selman Stërmasi, duke qenë se në mars stadiumi “Air Albania” do të mbyllet, pasi duhet të jetë gati për finalen e Ligës së Konferencës. Deri tani më të sfiliturit janë Elbasan Arena dhe Arena Egnatia, në pritje të të qenit gati të Niko Dovanës, inaugurimit të stadiumit të Kukësit dhe atij të Partizanit.

SUPERIORE, JAVA 9
20/11/21
Vllaznia 16 : 45 Kastrioti
Partizani 19 : 45 Laçi
21/11/21
Teuta 13 : 45 Skënderbeu
22/11/21
Dinamo 16 : 45 Egnatia
Kukësi 19 : 45 Tirana



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *