• |
ide | kryesore

Covid në Maqedoninë e Veriut, 13 jetë të humbura dhe 155 raste të reja

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni të Veriut ka regjistruar të hënën 13 viktima dhe 155 raste të reja të infektimit me koronavirus, pas testimit të 1,179 mostrave.

Sipas raportit, katër viktima janë regjistruar në Veles, tre në Shkup, dy në Kumanovë dhe nga një Prilep, Manastir, Shtip dhe Kriva Pallankë.

Të gjithë kanë vdekur nëpër spitale, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore nga ky virus. Nga të infektuarit, 113 janë në Shkup, ndërsa numër më i vogël është regjistruar në 13 qytete tjera.

Nga shpërthimi i pandemisë, autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë regjistruar 212 mijë persona me koronavirus. Prej tyre 7,449 e kanë humbur jetën ndërsa 8,290 raste janë aktive.

Për shkak të rritjes së numrit të viktimave dhe të të infektuarve, Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar masa të reja shtrënguese.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe nuk ka treguar se për çfarë masash bëhet fjalë por ka thënë se ato janë hartuar në bashkëpunim me ekspertët e shëndetësisë dhe pret të japin rezultate në ruajtjen e situatës relativisht stabile epidemiologjike në vend dhe rritjen e shkallës së vaksinimit.

Masat pritet të miratohen nga Qeveria të martën, 23 nëntor. Jozyrtarisht është mësuar se masat kanë të bëjnë kryesisht me ndalimin e lëvizjes së të pavaksinuarve në ambientet e mbyllura.

Ministri i Shëndetësisë ka bërë apel për vaksinimin e popullatës, duke njoftuar se rreth 80 për qind e personave të shtruar në spitale janë të pavaksinuar.

Sipas të dhënave të Ministrisë, deri më tani në Maqedoninë e Veriut është vaksinuar afër 40 për qind e popullatës apo rreth 818 mijë persona, shifër kjo larg pritjeve të institucioneve shëndetësore, të cilat kishin paralajmëruar vaksinimin e gjysmës së popullatës dy milionëshe deri në mesin e muajit tetor.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *