• |
ide | kryesore

Trauma e Shkodrës ka prishur ekuilibrat: Dinamo një fitore në pesë ndeshje

-Instant, Sport



Kualifikimi në Kupë në vetvete qendron, por mënyra si u arrit i jep më shumë vlerë fatit se meritës. E po të shtosh këtu faktin se në 5 javët e fundit të kampionatit Dinamo ka vetëm një fitore, atëherë nuk është e vështirë të bëhen llogaritë se skuadra e Shkëmbit po kalon një lloj traume, që rrënjët i ka në 6-3 e Loro Boricit kundër Vllaznisë. Ishte fundosja e parë e nëndetëses efektet e së cilës, sic duket, vazhdojnë të shfaqen tek lojtarët e Dinamos.

Që nga transferta e Shkodrës e deri në takimin me Egnatian kryeqytetasit kanë gëzuar vetëm një herë në Korçë, ndërsa janë mundur edhe nga Kukësi e Tirana, në një situatë që barazimi me rrogozhinasit është dukur si pozitiv. Në fakt nuk është kështu, sepse Shkëmbi priste tjetër gjë nga të tijtë, por u luajt një ndeshje me gabime, me neglizhenca nga ato që penalizojnë skuadrën, sic tregojnë edhe dy penalltitë në disfavor e që në fund edhe mund të humbej, sepse edhe VAR vonoi për të vendosur se Allmuca ishte në pozicion të parregullt. Të gjithë kësaj situatë i duhet shtuar edhe raundi i dytë i Kupës së Shqipërisë, që vërtetë u kalua përballë skuadrës që kryeson kampionatin, por kthimi u njollos me një humbje 2-0 që barazoi rezultatin e ndeshjes së parë e ku dy herë trarët e shpëtuan nga eleminimi, që do të ishte edhe më i sikletshëm për tu përballuar.

Në këtë pikë, shpresa e Shkëmbit për të pritur merkaton e ka një logjikë e të fortë madje, sepse në 7 daljet e fundit të tijtë kanë shënuar 7 gola e kanë pësuar dyfishin, e me një ecuri të tillë nuk shkohet askund, sepse në Europë nuk bëhet fjalë…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *