• |
ide | kryesore

Basha i mëshon vettingut në politikë: Shpagimi për shqiptarët

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Lulzim Basha deklaroi sot se është korrupsioni që lejon që paketat fiskale dhe buxheti të bëhen në mënyrë jo transparente dhe në mungesë totale të konsultimit me qytetarët dhe me grupet e interesit.

Teksa Kuvendi pritet të miratojë sot buxhetin 2022, Basha tha në seancë se vettingu në politikë është shpagimi për shqiptarët që kërkojnë fundin e pandëshkueshmërisë në nivelet e larta dhe janë lodhur së paguari faturat e korrupsionit 30-vjeçar

“Është korrupsioni që lejon që qeveria që merr borxhin më të madh në tre dekada, qeveria që rrit taksat më shumë se të gjitha paraardhëset, qysh prej kohës që regjistrat e shtetit mbaheshin në osmanllisht, të jetë mospërfillëse ndaj kërkesave dhe nevojave elementare të qytetarëve dhe sipërmarrjeve, dhe të kujdeset vetëm për veten e vet dhe për klientët e vet. Është korrupsioni që pengon investimet e huaja të vijnë në Shqipëri në nivele të ngjashme me ato të rajonit.

Është korrupsioni o i marrë, do të thoja për të perifrazuar Bill Clinton, kur në shtetin më demokratik të botës, me ekuilibrat e pushtetit të konsoliduar nga njerëz të fortë dhe ligje të forta, kishte vendosur theksin e programit të tij tek ekonomia. Ne e kemi të qartë që problemi numër një është korrupsioni. Ne kemi propozuar edhe zgjidhjet me të cilën kërkojmë t’i vijmë në ndihmë institucioneve të paralizuara të drejtësisë, për të nisur misionin për të cilin ato u krijuan dhe për të cilin u mbështetën bujarisht nga taksapaguesit e vendeve europiane dhe SHBA, e tani po aq bujarisht nga taksapaguesit e varfër shqiptarë, ata që paguajn me paga të majme në mënyrë që ti japin fund pandëshkueshmërisë. Zgjidhja që ne kemi ofruar është vettingu në politikë”, deklaroi kreu i PD.

Ai theksoi se është një projekt që kërkon vullnet, mbështetje dhe burime njerëzore, por ky projekt nuk është një punë shtesë.

“Është një mision, një angazhim kombëtar që kërkon vullnet, nga politika, nga drejtësia dhe nga shoqëria. Një angazhim madhor, ndoshta më madhori në këto 30 vite pluralizëm që do të shënojë ndarjen përfundimtare me politikanët e inkriminuar dhe të korruptuar.

Por, sidoqoftë, për shqiptarët që kërkojnë fundin e pandëshkueshmërisë në nivelet e larta, që janë lodhur së paguari faturat e korrupsionit 30 vjeçar të politikanëve që kanë abuzuar me pushtetin e tyre, të qytetarëve që janë varfëruar duke paguar dëmet e prodhuara nga politikanët e papërgjegjshëm, vettingu në politikë përfaqëson shpagimin e merituar për kohën e humbur dhe për vonesën shqiptare në ngushtimin e distancës që na ndan nga Europa.
Si dhe mjetin për t’iu përgjigjur jo me retorikë, por me një qëndrim kurajoz, moral, ballëlart dhe të drejtpërdrejtë vullnetit të shumicës së tyre për të pasur një politikë të pastër, që u shërben qytetarëve dhe çliron potencialin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë”, tha Basha.



2 Comments

  1. Jep doreheqjen,beje nese te ka ngelur sadopak njerzillek,per hir te qindra e mijera demokrate qe te besuan dhe i zhgenjeve pamase !
    Jep doreheqjen,nese je njeri i lire !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *