“Mendoj se është një ditë e mirë për Vllazninë, pasi skuadra tregoi një paraqitje të mirë, sidomos në pjesën e parë, si luajtëm. Ishte e vështirë në këto kushte të luaje, por si reaguam në pjesën e dytë menjëherë, me ndryshimin që hodhëm Da Silvën, i cili shënoi menjëherë. Mendoj se sot kemi marrë vendimet e duhura”. Tekniku Thomas Brdaric është i kënaqur me rezultatin, pas fitores 1-0 me Lacin, por pikërisht në ditën e suksesit flet për problemet që ekzistojnë në Shkodër, edhe pse ndoshta nuk duken: “Po punojmë në kushte të vështira këtu në Shkodër, askush nuk e di se çfarë ndodh pas kuintave. Kemi një stadium shumë të bukur, por duhet të përmirësohemi në çdo drejtim. Është padyshim e rëndësishme të festojmë përballë një skuadre si Laçi që është një ekip i madh dhe një kundërshtar i vështirë”.
Vllaznia është vënë në ndjekje të kryesuesve, duke u kandiduar tashmë në garën për titull: “Në futboll dhe në këtë kampionat është shumë e shpejtë gjithçka. Kur fiton, shkon për titull, kur humb shkon për mbijetesë. Ky është sezon i vështirë me të gjitha skuadrat që mund të mposhtin njëra-tjetrën, duhet të fokusohemi te vetja se si luajmë. E rëndësishme për ne është të fitojmë ndeshjet ndaj kundërshtarëve tanë. Duhet të jemi të durueshëm se është një rrugë e gjatë”, përfundoi tekniku gjerman.