“Memelli? Të rrish të merresh me deklarata e njërit dhe tjetrit është e drejtë e gjithsecilit të shprehet. Është e vështirë të luash kundër Skënderbeut që është një skuadër gjithë kohën në mbrojtje dhe shfrytëzon dy lojtarë për kundërsulm”. Mërzia e një barazimi që rihap kampionatin nuk i ka humbur dëshirën për replikë Orges Shehit, që kishte si qëllim të evidentonte sjelljen e skuadrës së Memellit, që pretendoi se humbi dy pikë. Rezultati i dytë radhazi zhgënjyes për Tiranën, të cilën tekniku Shehi i jep edhe arsyen: “Asgjë nuk ka ndryshuar te ekipi, na janë shtuar mungesat. Jemi profesionistë dhe futbolli ka edhe humbje e barazime. Mos harrojmë që jemi në vend të parë, kemi marrë pikë dhe në futboll të gjitha rezultatet janë të pranishme, edhe pse duam t’i fitojmë të gjitha”.
Forma e dobët e Ngo’o dhe mungesa e finalizimit ka bërë që tekniku të detyrohet tashmë të pranojë se nuk ka alternativa të tjera: “Po ta shohim me gjakftohtësi se çfarë bën në fushë, është në rritje. Ishte një ndeshje me shumë kundërshtarë në zonë, na duhej deri në fund. Ai është i rrezikshëm për të ndryshuar lojës më shumë se të gjithë ata që kemi në stol – shpjegoi tekniku që “qan” mungesën e Xhixhës të dëmtuar -. “Ishte i domosdoshëm sidomos në këtë ndeshje, mos të harrojmë periudhën e vështirë që ka kaluar. Ne kërkojmë më shumë, edhe ai kërkon më shumë nga vetja. Por ndonjëherë kur forma fizike nuk përgjigjet, bëhet e vështirë. Ne kemi fituar edhe me Majkëll, edhe pa të. Po të kishim Xhixhën besoj se do të ishim më efikas dhe nuk do të ndryshonim javë pas jave”.