• |
ide | kryesore

Intervistë/ Një roman për të vërtetën dhe drejtësinë, autori Klajdi Thaçi flet për sfidat e humanëve

-Instant, Blog



“Shpesh e gjej veten duke bërë pyetje ekzistencialiste”, përgjigjet autori i romanit “Sfidat e një humani”, teksa tregon se ku e gjen frymëzimin për të shkruar. Klajdi Thaçi ose Clyde, siç ka zgjedhur të prezantohet në veprën e tij të parë, është një autor i ri, që spikat për origjinalitetin në stil dhe guximin në trajtimin e disa tematikave delikate shoqërore.

Eksplorimi i anës së brendshme të njeriut dhe zbulimi i arsyeve që i çon humanët drejt zgjedhjeve të caktuara, qëndrojnë në themel të romanit. Truenti, personazhi kryesor i veprës, përmes 11 sfidave, zbulon disa nga dimensionet e tij personale, por edhe të atyre që e shoqërojnë në rrugëtimin e jetës.

Autori i romanit, në këtë intervistë për Lapsi.al, zbulon disa detaje, që nga ngjizja e historisë dhe deri te dilemat e zgjidhjet që duhet të gjente rrugës.

Në qendër të romanit është Truenti, një djalë i ri me shumë ideale që përballet me një botë që shpesh është e padrejtë me të. Sfidat me të cilat ai ndeshet (siç edhe titulli sugjestionon) përfshijnë problematika të ngjashme me ato që shumë prej nesh hasim në përditshmërinë tonë. Por përtej kësaj, për lexuesit që mund të jenë kuriozë, cila është historia e Truentit?

Truenti është një djalë i ri, i cili jeton në një vend të varfër ku është e vështirë të mbijetosh financiarisht, por edhe pa u thyer shpirtërisht nëse je i ndjeshëm, si ai. Ambicia e ndërthurur me idealizmin dhe paaftësinë për të bërë kompromise, ia vështirësojnë rrugëtimin drejt qëllimit parësor që ai ka dhe që është: Të marrë atë që ai mendon se i përket. Një prej sfidave të tij është edhe krijimi i marrëdhënieve të sinqerta dhe te vërtëta me njerëzit, pasi natyra e tij detektuese dhe vëmendja që i kushton detajeve, e bën të zhgënjehet në jo pak raste, kur zbulon qëllimet jo dhe aq të fisme të atyre që e rrethojnë.

Si u krijua personazhi i Truentit?

Duke qenë se në jetë ndeshemi shpesh me njerëz të padrejtë dhe jetojmë në një shoqëri sipërfaqësore, kisha dëshirë që të krijoja një personazh idealist që vë në dyshim dhe nxjerr në pah këto aspekte të humanëve.

Ajo që vihet re gjatë leximit është që Truenti qëndron shumë në praninë e mendimeve të veta, që paraqesin botën e brendshme dhe të jashtme të personazhit kryesor. Përse është bërë kjo zgjedhje?

Lidhet pak edhe me stilin tim dhe kuriozitetin që kam për të zbuluar arsyet dhe qëllimet që i çojnë njerëzit drejt veprimeve të caktuara. Edhe në librat që lexoj, përshkrimet e detajuara të një peme, shtëpie, apo shandani i kaloj pak me shpejtësi sepse ajo që më intereson është njeriu dhe të gjithë pikëpyetjet që lidhen me të. Gjithashtu kisha dëshirë që të përqendrohesha te një aspekt tjetër i realitetit që është edhe më i rëndësishëm se sa ajo që ne shohim gjatë gjithë kohës. Prandaj në roman përfshihen të dy botët, ajo e jashtme dhe e brendshme, për të patur një panoramë më të qartë të gjithçkaje që ndodh.

Nëse do të kredhemi në psikologjinë e vetë personazhit, kuptojmë që për Truentin materializmi dhe njerëzit që jepen pas saj janë, sipas tij, qënie “boshe”. Por, nëse do të zhbirilojmë përtej sipërfaqes kuptojmë se Truenti reagon në këtë mënyrë për shkak se ai dëshiron të ndiejë emocione të forta, që nuk i kishte marrë ende nga një “njeri i gjallë”. A shfaq Truenti një anë të natyrës njerëzore e cila “ngulmon” për një lidhje (shpirtërore/fizike) midis njerëzve? Sa e rëndësishme është kjo në ditët e sotme?

E vetmja vlerë që sjell ana materiale sipas Truentit është të qenit i lirë. Kur t’i nuk varesh prej dikujt ke lirinë maksimale për t`u shprehur në përputhje të plotë me mendimet që ke dhe vlerat e tua. Paraja i kufizon shpesh njerëzit dhe i bën të sillen më mirë se sa duhet me ata që nuk e meritojnë, si dhe të bëjnë zgjedhje të gabuara në jetë.

Truenti kërkon përjetimin e dashurisë së sinqertë, si dhe krijimin e marrëdhënieve të vërteta me njerëzit, të prira nga dashamirësia. Ajo që gjen në realitet është e kundërta dhe kjo e bën të ndihet vetëm. Kupton se është vështirë të gjesh njerëz të papërlyer apo “mbinjeriun” që ai kërkon. Të gjithë ata që ai njeh shfaqen vulnerabël, të brishtë, të thyeshëm, ashtu siç të gjithë njerëzit janë krijuar, me plot kufizime.

Duke u ndalur tek materializmi, ju personalisht si e gjykoni këtë doktrinë në raport me zhvillimin e shoqërisë njerëzore dhe pikën në cilën gjendet sot. A mund të shpëtojnë njerëzit nga etja e pamasë për të patur sa më shumë gjëra materiale? Apo mendoni se mund të gjendet një e mesme e artë?

Mendoj se njerëzit janë verbuar prej botës materiale dhe kanë humbur krejtësisht veten e tyre. Qëllimi kryesor pse duan të jenë të pasur shpesh herë është që t’i shesin mend të tjerëve, si dhe që të kënaqin e rrisin egon e tyre. Kjo është tepër e trishtë. Një botë e tërë po shkon në një drejtim të gabuar dhe ende asnjë zë i fortë nuk po dëgjohet e nuk po i shkund këta njerëz, e t`i zgjojë nga gjumi.

Megjithëse disi dyshues te njerëzit, Truenti bie në dashuri me Retorikën, një gazetare që nganjëherë shfaqet po aq e drejtëpërdrejtë dhe e vetëdijshme për realitetin e vrazhdë në të cilin jeton sa Truenti, por megjithatë përfundon duke e zhgënjyer të riun idealist njëlloj si gjithë pjesa tjetër e shoqërisë. A është i destinuar një shpirt i pastër si Truenti për të mos e gjetur kurrë dashurinë?

Truenti është aq i vëmendshëm kur është puna për të vërejtur qëllimet jo të drejta të njerëzve të tjerë, aq sa është naiv vetë për të bërë veprime të djallëzuara dhe që mund të dëmtojnë dikë. Në një shoqëri si ajo e Trembadit, që ngjan shumë edhe me tonën, ku antivlerat ngjiten gjithmonë e më shpejtë në të përpjeta dhe vlerat lihen në harresë ose nënçmohen, Truenti ndihet krejt i braktisur dhe i pakuptuar.

Ajo çka më ka pëlqyer gjatë leximit është lidhja që emrat kanë ndonjëherë me personazhet. Çfarë ju bëri të mendonit për këtë gjetje?

Ka ndodhur krejt natyrshëm, pa asnjë plan të mirëpërcaktuar. E di që kjo ngjan e çuditshme, por kështu është. Duhet të falenderoj muzën time për këtë 😛

Një gjetje tjetër interesante është edhe krijimi i një vendi (Trembad) i cili nuk ekziston në botën reale. Përse “Trembad”?

Kam përshtypjen që kjo do të jetë një zgjedhje që do e bëj gjithmonë. Nuk më pëlqen që njerëzit të nisen prej paragjykimeve që mund të kenë për banorët e një shteti të caktuar në momentin që gjykojnë veprën. Mesazhet në vepër janë universale dhe dua që këtë natyrë të ruaj subjekti me të gjithë elementët e tij. Në fokus të librit është njeriu me sfidat e tij, kësisoj në këtë roman mund ta gjej veten kushdo nga secili kënd i botës.

Pjesë e këtij vendi të trilluar janë edhe disa konstrukte shoqërore dhe një prej tyre ka të bëjë edhe me rolet që dy gjinitë luajnë. Në këtë rast pozicioni i burrave dhe grave ndikohet nga mjedisi në të cilin ata ndodhen, ku në njëfarë mënyre tregohet se çfarë pritet prej të dyja sekseve. Çfarë perspektive na jep kjo gjë mbi jetën dhe a janë këto konstrukte të dëmshme në një shoqëri?

Në një vend të varfër dhe patriarkal si Trembadi, kërkohet që burri të jetë shtylla kryesore e shtëpisë në të gjithë aspektet, por sidomos materialisht. Për këtë arsye, një pjesë e tyre ndiejnë një presion të lartë nga shoqëria dhe i preket jo pak vlerësimi për veten, e për rrjedhojë bëhen më të brishtë si rezultat i këtyre pritshmërive. Nga ana tjetër, në këtë luftë për mbijetesë, gratë ashpërsohen me kalimin e viteve dhe bëhen më të forta duke e humbur sadopak feminilitetin. Ajo që mendoj unë është se në shoqëri të varfra nuk mund të presësh sjellje të shëndetshme dhe mirëfunksionim të ndonjë gjëje. Në përpjekje për mbijetesë, varësisht rrethanave dhe kushteve ku njeriu gjendet, ndodh një denatyrim i natyrës së tij të vërtetë dhe një zvetënim i idealeve dhe parimeve e vlerave që do të dëshironte të përqafonte. Megjithatë, njerëzit e fortë dhe që duan të ruajnë disa vlera e të mos humbasin identitetin e tyre kërkojnë për një rrugë që do t`i ruajë nga këto kompromise të dhimbshme që duhen bërë për hir të realitetit ku gjendesh.

Gjatë librit tuaj, ju gjithashtu e përshkruani televizionin si “një gënjeshtër të madhe”. Këtë përpiqeni më pas ta elaboroni me anë të Retorikës, e cila ndodhet brenda botës së medias, dhe Truentit, që na dhuron perspektivën e një teleshikuesi. A janë këto konstatime pasojë e eksperiencave personale, pasi duhet theksuar që ju me profesion jeni gazetar? Çfarë ndryshimesh do të donit ju që të shikoni në median shqiptare?

Vijnë edhe prej eksperiencave personale, por edhe si vëzhgues i realitetit mediatik në Shqipëri, por jo vetëm. Mendoj se në Shqipëri ka më shumë media nga sa duhet, të cilat janë të brishta financiarisht e për pasojë shfrytëzojnë punonjësit për të bërë shumë punë që në fund janë pa cilësi. Realizimi i një produkti të mirë kërkon kohë, gjë që vështirë se të jepet në mediat ku stafet janë tepër të kufizuara në burime njerëzore (e vë theksin më shumë te televizionet). Ajo që do të dëshiroja unë është që në median shqiptare të rritet standarti profesional i gazetarëve, redaktorëve dhe të gjithë hallkave që e përbëjnë atë, por mendoj se tregu ynë është shumë i varfër në këtë aspekt krahasuar me kërkesën edhe më duket një pikë deri diku e pazgjidhshme. Gazetari ka një detyrë tepër të rëndësishme dhe duhet të jetë i formuar si akademikisht, por mbi të gjitha si qytetar e njeri. Besoj se media është në një pikë shumë të ulët. Për të fituar vëmendje dhe audiencë, sa vjen dhe e dobëson nivelin e produktit të saj. Pa ideale dhe parime nuk mund të ketë institucione funksionale, të çfarëdolloji qofshin.

Në këtë libër, një temë që paraqitet është edhe emigracioni, një çështje aktuale edhe në ditët e sotme. Truenti është një pasqyrë e rinisë, por ndryshe nga të tjerët ai lufton mendimin për t’u larguar nga vendi i tij. Përse? Çfarë duhet të mësojnë të rinjtë shqiptar nga ky personazh?

Truenti ka dëshirë të largohet, por për shkak të kufizimeve ligjore të vendosura kundrejt shteteve të pa integruara, nuk e arrin dot këtë dëshirë të tijën. Një gjë e tillë i duket e padrejtë, pasi ai mendon se njerëzit duhet të jetojnë aty ku ndihen në përputhje të plotë me veten e tyre dhe asnjë ligj nuk duhet ta kufizojë këtë. Më pas i dorëzohet rrethanave ku jeta e ka vendosur dhe përpiqet të luftojë në “burgun” ku ka lindur, që është Trembadi.

Të rinjtë shqiptar prej Truentit duhet të mësojnë që të mendojnë më shumë, të jenë më të ndjeshëm dhe empatik ndaj të tjerëve, si dhe të luftojnë për atë që është e drejtë.

Folëm pak më sipër për stilin tuaj unik dhe për realitetin e një vendi të sjellë ‘në jetë’ tërësisht nga ju. Kjo me siguri ka dashur kohën e vetë për t’u trilluar. Përafërsisht sa ju desh për krijimin e librit?

Jo shumë. Ideja për këtë libër më ka lindur 7-vjet më parë. Gjeta kohë për ta rinisur nga fillimi këtë vit dhe e kam shkruar për 3 javë, gjatë muajit mars. Më pas e ripërpunova edhe 3 herë të tjera derisa në fund kontaktova Shtëpinë Botuese “Dituria”.

Pse pikërisht e quajtët “Sfidat e një humani”?

Ndonëse në jetë pëlqej t`i planifikoj gjërat, në procesin e krijimit më ndodh krejt e kundërta. Pjesa më e madhe e ideve, duke filluar që nga titulli, më vijnë spontanisht. Për çudi unë librin e nis nga titulli. Ai më vjen i pari. Kam edhe disa tituj e ide të tjera që po i ruaj në sirtar deri kur të vijë momenti i duhur për t`i realizuar. Nëse filloj dhe vras mendjen për të kërkuar idenë e duhur, ajo nuk shfaqet asnjëherë.

Çfarë ju inspiroi për të krijuar këtë libër?

Natyra njerëzore. Që fëmijë kam qenë kurioz dhe bëja shumë pyetje. Më pëlqen të zbuloj më shumë rreth njerëzve pavarësisht rezulatit, i cili për fat të keq në më të shumtën e rasteve nuk është pozitiv. Shpesh e gjej veten duke bërë pyetje ekzistencialiste dhe në fund të ditës përfundoj me dhembje koke. Po përpiqem ta reduktoj këtë zakon të pashëndetshëm.

Cila ishte gjëja më befasuese që mësuat gjatë krijimit të librit tuaj?

U befasova nga vetja dhe i gjithë procesi i krijimit. Edhe pse pa një plan të mirëpërcaktuar, të gjithë copëzat u ndërlidhën shumë mirë me njëra-tjetrën, duke filluar nga emrat e vendeve, personazheve, disa kode që unë kam përdorur, ngjarjet, e gjithçka tjetër.

A kishit momente kur ju nuk ishit i inspiruar për të shkruar? Çfarë bënit për t’u zhytur sërish në rrjedhën krijuese?

Pati momente kur ndihesha i lodhur, pasi duke qenë një natyrë tepër analitike, më ndodh shpesh që fizikisht të mos e përballoj gjithë atë intensitet në të menduar, që përkthehet në rastin tim gjithnjë me dhembje koke. Në sfond kam mbajtur gjithashtu muzikë klasike. Më shpesh kam dëgjuar “Spring Waltz” nga Chopin, disa vepra të Beethoven dhe një përmbledhje këngësh e melodish me titull “Sad Songs”, por që mua nuk më jepnin aspak ndjesi të ngjashme me titullin.

Përse vendosët që në libër të mos shkruanit emrin tuaj të vërtetë, por të përdornit pseudonimin “Clyde”?

Ka disa arsye që më bënë të përzgjidhja vetëm emrin tim, por të shkruar në gjuhën angelze. Gjithsesi në pjesën e brendshme të librit kam shënuar në kllapa edhe emrin e mbiemrin origjinal.

Mendoj se gjatë procesit të krijimit ndodh një lloj magjie që e shkëput autorin edhe nga vetja, tejkalon njeriun e zakonshëm, atë që je përditë. Duhet të luash njëkohësisht disa role dhe të mund të kuptosh natyrën e thellë të të gjithë personazheve që ke zgjedhur të përfshish, të cilët mund të ndajnë edhe qëndrime që janë në kundërshtim të plotë me mendimin tënd si autor. Emri Clyde më ngjan se i përshtatet më mirë natyrës rebele dhe të drejtëpërdrejtë, që unë shfaq në të shkruar.

Një arsye tjetër është për çështje marketingu dhe për të shmangur paragjykimet që njerëzit kanë në përgjithësi për letërsinë shqiptare. Doja që së paku, ata të lexojnë përmbledhjen e librit, t’i hedhin një sy subjektit përpara se të vendosin nëse lidhet me interesat e tyre momentale ose jo. Nuk dua që vepra të penalizohet vetëm nga një emër dhe mbiemër, sepse ajo që më intereson mua më shumë është që mesazhi të shkojë te lexuesi dhe jo fama personale. Kjo e fundit madje nuk më intereson aspak. Gjithçka e bëj për pasionin që kam për të shkruarin dhe letërsinë në përgjithësi.

Plus mendoj se kur libri të përkthehet në një gjuhë të huaj, mbiemri im do të jetë i vështirë për t`u shqiptuar. Parë nga të gjithë këto aspekte, Clyde mendoj se ka qenë zgjedhja e duhur edhe pse si fillim ideja më erdhi në mënyrë intuitive. Të gjithë këto llogari i bëra më vonë teksa mendoja se si do të ishte më mirë të prezantohesha.

Sa i lidhur është një autor me veprën e tij?

Autori është njeriu që koncepton dhe ndërton veprën nga fillimi deri në fund. Nisur nga ky fakt, ai është pashmangshmërisht i lidhur me atë që ka shkruar. Nëse flasim për lidhjen që ka vepra me historinë personale, në rastin tim mund të them se me Truentin dhe personazhe të tjerë në libër ndajmë ide të përbashkëta, por edhe të kundërta. Një prej sfidave të autorit është të futet nën lëkurën e tipologjive të ndryshme të njerëzve, të kuptojë dhe ndiejë botën e tyre, në mënyrë që çdo personazh të jetë sa më real. Sa i takon historisë, e gjitha është një trillim dhe i vetmi personazh real që kam pëfshirë është një mace që jeton në rrugë dhe të cilën kisha dëshirë ta përfshija, kjo sepse i dua shumë kafshët. Doja t`i jepja një vemendje të munguar, një krijese vulnerabël, që meriton më shumë nga sa i jepet.

Libri juaj ishte prezent në Panairin e Librit, që u mbyll në 21 nëntor. Cili ka qenë feedback-u i marrë nga ky event? Po në tërësi nga lexuesit tuaj?

Duke qenë se jam autor i ri dhe mendoj se e njoh pak a shumë psikologjinë e blerësve, nuk kisha pritshmëri të larta. Nëse je autor shqiptar dhe veçanërisht i ri, të nevojitet një marketing shumë i mirë që njerëzit fillimisht të mësojnë për ekzistencën e librit dhe më pas të arrijnë deri aty sa ta blejnë. Jam i surprizuar për mirë nga mënyra se si ka ecur deri më tani duke marrë parasysh faktorët që rendita më lartë. Kam besim te ajo që kam shkruar, por pavarësisht kësaj, dyshimi është gjithmonë aty nëse subjekti do arrijë të kuptohet si duhet dhe a do të mbërrijë te njerëzit e duhur. Kam marrë mesazhe tëpër inkurajuese dhe frymëzuese nga lexuesit e mi të parë dhe më vjen mirë, që disa prej tyre i kam bërë të ndihen të kuptuar duke gjetur veten në libër. Personalisht përmbajtja më është dukur deri diku pesimiste, pasi jam treguar tepër realist dhe kam depërtuar në anë të errëta të njeriut, por për çudi, lexuesve të deritanishëm ky roman u ka dhënë më tepër forcë dhe më vjen shumë mirë për këtë.

Në mbyllje të intervistës sonë, cili është mesazhi juaj për të rinjtë të cilët janë ende në gjetje të së vërtetës individuale, por edhe për humanët e tjerë, që kërkojnë të vendosin drejtësi mbi fatin e tyre?

Qartësia fitohet me eksperiencën. Gabimet në adoleshencë dhe në rininë e hershme janë të pranueshme pasi njeriu është në kërkim të vetvetes dhe i duhet kohë të gjejë vendin e tij në botë. Nuk ka njerëz pa një aftësi, talent dhe pa një shteg të hapur posaçërisht për ta. Të rinjve u sugjeroj që të mos shohin në asnjë moment të tjerët, por të eksperimentojnë në punë e fusha të ndryshme dhe të zbulojnë se çfarë ata dinë të bëjnë më mirë. Jini origjinal, pasi vetëm kështu do të mund të spikasni duke qenë në përputhje të plotë me veten tuaj.

©Lapsi.al

 



2 Comments

  1. E kam adhuruar romanin “Sfidat e nje humani” qe ne momentin kur i kam lexuar titullin ne panair. Dhe nuk u zhgenjeva. Klajdi Thaci, ky emer i shkelqyer i prozes shqiptare, nje pene e arte, vepra e tij teper intriguese premton per nje shkrimtar te nivelit botror qe i lind shqiptarise. Eshte vertet e mrekullueshme te lexosh faqet gjeniale te kesaj vepre me kaq brume artistik. Rinia shqiptare e ka tani heroin e saj te ri qe quhet Klajdi Thaci. E perseris dhe nje here, Klajdi Thaci, emer i arte qe do te ngelet ne majat letrare te gjuhes shqipe, sado qe mund te me akuzojne se po thur lavde te padenja, por jam adhuruese e ketij artisti te ri kaq te talentuar. Te lumte Klajdi. mos resht se shkruari dhe se na mrekulluari me vepra te tjera te te njejtit kaliber. Nga lexuesja jote, Dea.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *