• |
ide | kryesore

Bullgaria nuk tërheq veton për Maqedoninë e Veriut: Shqipëria të ndahet

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



“Bullgaria konfirmoi veton e saj për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit midis Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut gjatë një takimi të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, duke thënë se vendi ende duhet të përmbushë kriteret për të zhbllokuar procesin”, – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Aktualisht, progresi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ka ngecur për shkak të vetos së Bullgarisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, e vendosur kur qeveria e mëparshme bullgare kërkoi lëshime nga Shkupi për çështjet dypalëshe gjuhësore dhe historike.

“Fatkeqësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut ende nuk i përmbush kriteret për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare”, – tha pas takimit ambasadori i Bullgarisë në BE, Rumen Aleksandrov.

Ai shtoi se Shqipëria duhet të vlerësohet e pavarur nga Maqedonia e Veriut, bazuar në arritjet e saj. Aktualisht, procesi i dy shteteve është i lidhur së bashku dhe vetoja e Sofjes ndaj Shkupit bllokon fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE edhe me Shqipërinë.

Aleksandrov gjithashtu vuri në dukje se Bullgaria ka propozuar disa opsione për tejkalimin e çështjeve me Maqedoninë e Veriut lidhur me të drejtat e njerëzve me kombësi bullgare, si dhe me zbatimin e traktatit të miqësisë të nënshkruar mes dy shteteve.

“Partnerët tanë në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëjnë angazhime specifike detyruese, një pjesë e të cilave të përmbushet në afat të shkurtër dhe pjesa tjetër të përfshihet në kërkesat e kornizës së ardhshme të negociatave. Derisa kjo të ndodhë, nuk mund të pritet përparim në procesin e zgjerimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, – tha Aleksandrov.

Bullgaria ishte nën presionin ndërkombëtar për të zhbllokuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më parë në nëntor, senatorët e SHBA Klaudia Teni dhe Uilliam R. Keting, të dy anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës, i kërkuan Sofjes të gjente një kompromis dhe të zgjidhte situatën.

Në një letër drejtuar ambasadorit të Bullgarisë në Uashington, Tihomir Stoytchev, ata shkruanin se bllokimi i mëtejshëm i procesit do të hapte derën për ndikim më të fortë rus dhe kinez në rajon.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *