• |
ide | kryesore

Shoqëritë e kursim-kreditit me rritje rekord me 25% në tremujorin e tretë të vitit

-Instant, Lajme, Të fundit



Tregu i shoqërive të kursim-kredititi arriti norma rekord të rritjes gjatë tremujorit të tretë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të tregut në fund të tremujorit të tretë të vitit arriti vlerën e 14.6 miliardë lekëve ose pothuajse 120 milionë eurove. Vetëm gjatë tremujorit të tretë, aktivet e këtij sektori janë rritur me 14%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ato janë rritur me pothuajse 25%. Kredidhënia për anëtarët përbën edhe zërin kryesor në bilancin e këtyre kompanive, me 68% të totalit të aktiveve. Pjesa tjetër e aktiveve konisiston kryesisht në depozita të vendosura në institucione të tjera financiare, ndërsa një pjesë të papërfillshme zënë investimet në letrat me vlerë dhe aktivet jo financiare.

Portofoli i kredisë të dhënë nga SHKK-të në fund të muajit shtator të këtij viti arriti në pak më shumë se 10 miliardë lekë, në rritje me 20% krahasuar me një vit më parë. Shoqëritë e kursim-kreditit funksionojnë në formën e kooperativave financiare ku anëtarët mund të vendosin depozita dhe të përfitojnë kredi. Modeli i SHKK-ve ka rezultuar efikas për financimin e atyre segmenteve të shoqërisë që kanë akses të kufizuar në sektorin bankar, sidomos për fermerët dhe bizneset e vogla në zonat rurale. Aktiviteti ndërmjetësues i SHKK-ve mbështetet, në pjesën më të madhe, te depozitat e anëtarëve. Në fund të shtatorit, depozitat përbënin afërsisht 73% të detyrimeve totale të sektorit. Në vlerë ato prekën shifrën e 10.6 miliardë lekëve, në rritje 23% me bazë vjetore. Gjatë tremujorit të tretë, ritmi i rritjes së depozitave pothuajse është trefishuar krahasuar me tremujorin e dytë. Me sa duket, efekti pozitiv që sezoni veror sjell tek depozitat është ndier edhe në sektorin e SHKK-ve, përveçse në sektorin bankar. Ndryshe nga sa ndodh në sistemin bankar, struktura e depozitave të SHKK-ve dominohet nga leku. Në mesin e këtij viti, pothuajse 84% e depozitave totale pranë këtyre institucioneve ishin në monedhën vendase.

Rritja e depozitave të SHKK-ve vitet e fundit është mbështetur shumë edhe nga përfshirja e tyre në skemën e sigurimit të depozitave. Që prej vitit 2017, depozitat pranë SHKK-ve janë të siguruara deri në vlerën e dy milionë lekëve. Por, sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së. Por, duke qenë institucione me kapacitete të kufizuara njerëzore dhe financiare, shpeshherë plotësimi i kritereve rezulton i vështirë. Për këtë arsye, një pjesë e SHKK-ve ende nuk janë anëtarësuar në skemën e sigurimit të depozitave, sipas kërkesave ligjore. Nga 16 SHKK të licencuara aktualisht nga Banka e Shqipërisë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave raporton vetëm tetë subjekte të anëtarësuara zyrtarisht në skemën e sigurimit të depozitave. /Monitor



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *