• |
ide | kryesore

Situata me motin në Shqipëri/ Përmbytje e probleme në të gjithë vendin

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Reshjet intensive të shiut, të cilat nisën të dielën dhe pritet të zgjasin edhe këtë të hënë kanë shkaktuar probleme në disa qarqe të vendit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar të gjithë qytetarët në lidhje me situatën e rrugëve, duke u kërkuar të kenë kujdes edhe pse kontraktorët kanë bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo inerteve në trup të rrugës dhe janë në terren gati për çdo situatë.

Në Durrës, uji ka shkaktuar probleme në disa akse rrugore të qytetit bregdetar të Durrësit. Disa kryqëzime rrugësh në lagjet nr.1, nr.18 dhe në Plazh e Shkozet janë zgjuar të përmbytura nga ujërat, duke shkaktuar vështirësi dhe vonesa në qarkullim për këmbësorët dhe automjetet. Po ashtu probleme janë shënuar edhe në lagjet periferike të qytetit.

Në Shkodër, në njësitë administrative Rrethina dhe Ana e Malit nuk ka energji elektrike. 150-200 ha tokë është përmbytur në fushën e Muriqanit, e cila është shkaktuar si pasojë e daljes nga shtrati të ujit në përroin e “Balvaderit”.

Mësohet se kanali ujitës që vjen nga Berdica është burim përmbytjesh në zonën e Darragjit dhe Shiriqit për shkak se portat që shërbejnë për bllokimin e ujin nuk ekzistojnë fare.

Në bashkinë Pukë, nuk janë shfaqur probleme për shkak të reshjeve të shiut.

Në Vaun e Dejës si pasojë e reshjeve janë raportuar përmbytje tokash bujqësore në Bushat dhe Hajmel, po edhe mungesë energjie në disa fshatra të kësaj njësie administrative.

Në bashkinë Malësi e Madhe shqetësim është mungesa e energjisë elektrike kryesisht në njësitë Kastrat, Kelmend e Gruemirë. Qafa Berdolecit është e kalueshme por vazhdon të ketë reshje të dendura dëbore. Shqetesim është edhe Përroi i Rrjollit në fshatin Kçar i Poshtëm.

Në bashkinë Fushë Arrëz deri më tani nuk janë raportuar probleme, përveç mungesës së energjisë elektrike në disa zona të thella si njësitë administrative Iballë, Qafë-Mali dhe Blerim.

Në Lezhë, rreth 80% e fshatrave dhe një pjesë e qytetit kanë mbetur ditën e djeshme pa energji elektrike, ndërsa OSHEE bën me dije se po punohet për riparimin e defekteve të krijuara.

Mësohet se në zonat e ulëta bregdetare reshjet e shiut kanë qenë me një intensitet të ulët dhe mesatar gjatë natës, të cilat vijojnë edhe tani, kurse ne zonat malore në lartësisë mbi 1000 metra ka pasur edhe reshje dëbore.

Në bashkitë Lezhë e Kurbin, niveli i ujërave në lumenj dhe sistemin kullues është mbi kuotat mesatare por pa problem të prezencës së ujit në sipërfaqet e tokës bujqësorë dhe ato depressive.

Në bashkinë Mirditë reshjet shkojnë rreth 50 mm, kurse në lartësitë mbi 1000 metra kemi reshje të dëborës, pa problem për bllokimin e rrugëve rurale dhe ato bashkiake. Rrugët nacionale dhe rruga e Kombit janë të kalueshme dhe nuk janë hasur probleme.

Po ashtu në Vlorë është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit në portin e Vlorës për 6 ditët e ardhshme.

Kapiteneria e portit bën me dije se në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për ditën e sotme do të jetë në drejtimin JUG-JUGPERENDIM në forcën 4-5bft 08-10m/s brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë gjirit të Vlorës në forcën 6-7bft 10-17m/s me lartësi dallge nga 1.50 deri 2.50 metra.

Sipas kapitanerisë përmirësimi i situatës meteorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të nisë nga ora 16:00 e pasdites së sotme.

Sakaq edhe bashkia e qytetit në bazë të parashikimeve paralajmëron qytetarët të bëjnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme me automjete në akset problematike, si dhe parkimin e automjeteve në to për ditët në vazhdim. /Top Channel



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *