• |
ide | kryesore

Escobar: Ne mbështesim “Ballkanin e Hapur”, i gjithë rajoni po zhvillohet dhe integrohet, përveç Bosnjë-Hercegovinës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA dhe i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ndodhet në Bosnje dhe Hercegovinë këtë javë. Në takimin e sotëm me gazetarët, Escobar foli për qëllimet e vizitës së tij, duke theksuar se situata në Bosnje-Hercegovinë është një shqetësim i thellë për administratën amerikane.

“Kjo është vizita ime e tretë në Bosnje dhe më duhet të them se gjatë vizitave të mia në vendet e Ballkanit Perëndimor pashë se në çfarë krize realisht është Bosnja. Nuk e kam fjalën vetëm për krizën politike, por për krizën afatgjatë që ekziston në Bonje-Hercegovinë.

Kur shikon Ballkanin Perëndimor në tërësi, është edhe Shqipëria, e cila me shumë mundësi do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor dhe për pjesën e Ballkanit Perëndimor që nuk është pjesë e BE-së, ne jemi dëshmitarë të rritjes ekonomike fenomenale. Ekonomitë e Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës janë zhvilluar me një ritëm tepër të lartë. Administratat fiskale në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut i bëjnë ato unike dhe kështu kualifikohen për anëtarësim në BE. Me integrimin evropian dhe të gjitha proceset e lidhura ekonomike në rajon, Ballkani Perëndimor është tashmë rajoni me rritjen më të shpejtë në Evropë,” tha Escobar.

Megjithatë, Escobar thekson se Bosnja dhe Hercegovina aktualisht nuk është pjesë e një historie të tillë të suksesshme rajonale.

“Bosnja nuk është pjesë e gjithçkaje për të cilën po flas tani. Ekonomia e Bosnjës mezi është rritur vitin e kaluar dhe COVID-19 nuk është arsye për këtë. Ajo mezi mundi ta luftonte inflacionin. Ekonomia u rrit me një të katërtën e normës së rritjes së regjistruar në Kosovë. Largimi i të rinjve është dhjetë herë më i madh se në Maqedoninë e Veriut apo Serbi. Ndërsa vendet e tjera po bëjnë përparim në luftën kundër korrupsionit, korrupsioni është përkeqësuar këtu. Prandaj, problemi i vërtetë në Bosnje është korrupsioni i rrënjosur thellë, dhe ju e dini se njerëzit po largohen nga ky vend jo sepse nuk duan të jetojnë në një shtet multietnik. Po largohen nga ky vend se nuk gjejnë punë pa lidhje korruptive. Ky është problemi,” deklaroi Escobar.

I pyetur nga Dnevni Avaz se si e komenton faktin se ka rezistencë ndaj projektit “Ballkani i Hapur” në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi, që nënkupton krijimin e një tregu të përbashkët dhe zonës ekonomike mes vendeve të rajonit, Escobar edhe një herë theksoi se Shtetet e Bashkuara e mbështesin projektin.

“Ne mbështesim çdo përpjekje për integrim ekonomik rajonal. Procesi i Berlinit, Tregu i Përbashkët Rajonal, CEFTA dhe Ballkani i Hapur. Për sa kohë që është e hapur për të gjitha vendet, për sa kohë që ofron sisteme ligjore dhe rregullatore dhe i ngre ato në nivel evropian, për sa kohë që promovon drejtësinë, tregtinë e hapur, ne do t’i mbështesim këto parime. Unë do të thosha se kjo tashmë po ndodh, se ka një integrim të madh ekonomik rajonal pa ose me një treg të përbashkët rajonal. Por Bosnja është e vetmja që nuk merr pjesë. Për sa kohë që është një iniciativë ekonomike, mund të jetë pozitive,” theksoi Escobar.

Por i dërguari amerikan thekson se integrimit ekonomik duhet t’i paraprijë krijimi i institucioneve të forta.

“Gjithashtu, duhet të punohet edhe për forcimin e institucioneve. Nuk mund të kesh iniciativë për hapjen e kufijve nëse nuk ke rregullore të duhura për hyrjen e njerëzve, kundër pastrimit të parave, kundër kontrabandës etj. Të gjitha këto duhet të përfshihen në të gjitha këto nisma,” deklaroi Escobar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *