• |
ide | kryesore

SHBA njofton sanksione për grupin kriminal të Veselinoviç në Kosovë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mërkurën kanë vendosur sanksioneve ndaj një grupi kriminal në veriun e Kosovës. Në njoftimin e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja thuhet se Zvonko Veselinoviç si lider i Grupit të Organizuar Kriminal, është një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe të Kosovës.

“Veselinoviç është e përfshirë në skemë të gjerë të ryshfetit me zyrtarë kosovarë dhe serbë të sigurisë të cilët e lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Grupi akuzohet ndër të tjera edhe për marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar në zgjedhje dhe për t’iu dhënë mbështetje financiare për ta. Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.

“Veselinoviç dhe grupi i tij u paditën për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjen e liderit politikë serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç në janar të vitit 2018. Veselinovic dhe anëtarët e tjerë të tjerë të grupit, Milan Rajko Radojçiç, Zeljko Bojiç dhe Marko Rosiç, të gjithë u përmendën në aktakuzë për vrasjen, secili duke shërbyer rolin e tij në atentatin për ndërmarrjen kriminale”, vazhdon njoftimi

Në lidhje me lajmin ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, teksa ka mirëpritur vendosjen e këtyre sanksioneve, duke sqaruar gjithashtu se institucionet janë të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Tëitter, ka potencuar se do të bashkëpunojnë me SHBA-në që rajoni të mos bëhet parajsë e sigurt për grupet kriminale.

“I mirëpres sanksionet ndaj Veselinoviçit dhe grupit të tij të krimit të organizuar transnacional nga veriu i Kosovës”.

“Institucionet janë plotësisht të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë me Shtetet Bashkuara të Amerikës për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet një parajsë e sigurt për grupe të tilla kriminale”, ka shkruar ajo.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *