• |
ide | kryesore

Jorida Tabaku kundër emërimit të Denar Bibës në krye të Autoritetit të Konkurencës

Arkiva

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka shprehur votën kundër kandidaturës së Denar Bibës për të marrë drejtimin e Autoritetit të Konkurrencës.


Nga foltorja e Kuvendit, ajo shprehet se me miratimin e tij, finalizohet dhe procesi i kapjes së institucioneve.


Deputetja demokrate ka akuzuar Denar Bibën se ka shkuar deri në Strasburg dhe u ka bërë shantazh gjyqtarëve lidhur me ligjin e pronave të Shqipërisë.

“Dua të ndalem në dy momente kryesore. Autoriteti i Konkurrencës është institucioni kryesor për mbrojtjen e konkurrencës në treg. Ky institucion ka dështuar. Ne në komision presim kryetaren e Autoritettit të konkurrencës dhe sot e dy muaj është ende e infektuar me koronavirus. Nuk kemi asnjë vendim në të mirë të qytetarëve për rritjen e çmimeve të ushqimit. Në rolin e këtij institucioni, sot në Ditën e Luftës kundër Korrupsionit, Kuvendi do të miratojë zotin Denar Bibën. Unë nuk e njoh fare zotin Denar Biba dhe nuk e kam takuar asnjëherë. Por unë di pozicionin e tij që shkoi në Strasburg për t’i bërë shantazh gjykatësve për të mbrojtur ligjin antikushtetues të pronave në Shqipëri. Di raportet ndërkombëtare të BE, Gjykatës së Auditit, Departamentit të Shtetit që sot sektori më i korruptuar ai i Prokurimeve Publike. Atij i kanë kërkuar të bëjë diçka dhe ai e ka bërë. Sot qeveria po i var mëlçitë në qafë ujkut” – tha Tabaku.

Duke e konsideruar si një akt të paprecedent, Jorida Tabaku deklaroi zgjedhja e Denar Bibës nuk është një çudi pasi kjo është mënyra se si ka funksionuar qeveria shqiptare në këto 8 vite.

“Është një vend që kishte ngelur i vetmi ku kishte një përfaqësi opozita. Nuk ka në asnjë institucion tjetër dhe këtë vend na e zunë. Sot me plot gojën, përveç kapjes së sistemit të drejtësisë, ku në organet e vetingut janë familjarë ministrash, po kalojmë në një nivel ku dhe një vend që kishim në Autoritetin e Konkurrencës, na e morën. Pas zgjedhjeve të 25 prillit, ne jemi akoma opozitë, është fatkeqësi për shqiptarët. Na kanë votuar 600 mijë qytetarë, dhe ata e meritojnë që të kemi një pozicion. Me pozicionin e Denar Bibës, përfundojmë procesin e kapjes përfundimtare të institucioneve shtetërore. Për mua, kjo është e paprecedentë, që opozita të mos ketë pasur asnjë përfaqësi. Por nuk është çudi se si ka funksionuar kjo qeveri gjatë këtyre 8 viteve. Në emër të PD, deklaroj votën kundër për pozicionin që do të zërë zoti Denar Biba. Kisha shpresuar që të mos na sfidonit me këto vendime” – tha Tabaku.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.