• |
ide | kryesore

Biletë për askund/ Aeroporti i Kukësit në krizë për fluturime, bosh prej 2 muajsh

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Në pistën e aeroportit “Zayed-Flatrat e Veriut” në Kukës nuk dëgjohet më zhurma e avionëve prej pothuajse dy muajsh.

Terminali i aeroportit është gjithashtu i boshatisur, ndërkohë që lëvizjet e vetme janë ato të punonjësve të sigurisë. Në katin e dytë, një grup punonjësish janë mbledhur në një sallë dhe qëndrojnë të patrazuar përballë kompjuterave.

Është prag festash, por në aeroportin e Kukësit nuk gjen biletë për askund.

“Aeroporti nuk është i mbyllur, ashtu siç po flitet. Aeroporti është i hapur, por fluturimet kanë rënë për shkak të sezonit,” tha drejtori operacional i aeroportit të Kukësit, Altin Progonati.

“Në të gjithë aeroportet e botës, periudha nëntor-shkurt është e bllokuar, sidomos tani në kohë pandemie,” pretendoi ai për BIRN.

Aeroporti i Kukësit u inaugurua me bujë në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit dhe kryeministri Edi Rama e quajti atë një ‘fabrikë buke”, që do të krijonte vende të reja pune si dhe mundësi biznesi dhe turizmi.

Aeroporti u hap zyrtarisht më 9 korrik, por entuziazmi u zbeh me përfundimin e sezonit turistik.

Nga korriku në shtator, në aeroportin e Kukësit operuan dy kompanitë ajrore “Helvetic Airways” dhe Air Albania me linjat e Zyrihut dhe Stambollit. Por prej mesit të shtatorit, aktiviteti u reduktua në një fluturim të vetëm në javë.

Sipas faqes së internetit të aeroportit të Kukësit, fluturimi i fundit kanë qenë në datën 21 tetor. Kompanitë “Helvetic Airways” dhe “Air Albania” nuk kanë planifikuar fluturime të tjera.

Progonati e lidh ndërprerjen e fluturimeve të programuara me rënien e fluksit të pasagjerëve në sezonin e dimrit, sidomos në kushtet e pandemisë. Ai renditi gjithashtu si faktorë moshën e re të aeroportit të Kukësit si dhe faktin se udhëtarët tipikë të kësaj periudhe –biznesmenët – zgjedhin të fluturojnë nga Tirana ose Prishtina.

“Ata nuk e kanë problem çmimin e biletës,” shtoi Progonati.

Terminali i boshatisur i aeroportit të Kukësit. Foto: Bashkim Shala.

Aeroporti i Kukësit u ndërtua në vitet 2000 përmes një donacioni prej 30 milionë USD nga princi i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe pavarësisht premtimeve në kohë fushate, qëndroi për më shumë se një dekadë i mbyllur për shkak se kontrata koncesionare e Rinasit nuk lejonte aeroporte të tjera në vend.

Perspektiva ndryshoi në vitin 2017, kur kryeministri Edi Rama i përfshiu aeroportet në retorikën e tij politike dhe përveç Kukësit, paralajmëroi ndërtim të aeroporteve edhe në Vlorë dhe Sarandë.

Në fund të vitit 2018, qeveria vlerësoi se aeroporti i Kukësit kishte nevojë për investime shtesë dhe vendosi dhënien e tij me koncesion për 35 vjet te kompanitë “Global Technical Mechanichs” sh.p.k., e lidhur me grupin Kastrati dhe Bami. Prej dhjetorit 2020, kompania Kastrati operon gjithashtu edhe aeroportin e Rinasit.

Me ndërprerjen e fluturimeve, bizneset që operojnë në aeroportin e Kukësit janë mbyllur në pritje të ditëve më të mira.

“Për momentin e kemi mbyllur bar-kafenë se nuk ka punë, pasi nuk ka pasagjerë që po udhëtojnë permes aeroportit,” tha Muhamet Cena, pronar i një lokali në terminal.

Jashtë terminalit të aeroportit të Kukësit janë 6 subjekte të shërbimit të makinave me qira, kryesisht me pronarë nga Kosova.

“Për momentin nuk po punojmë se nuk ka fluturime. Sa të fillojnë fluturimet ne do vazhdojmë aktivitetin,” tha Ardi Mara, pronari i kompanisë “MARA Rent a Car” nga Prishtina.

Drejtori operacional i aeroportit i tha BIRN se pavarësisht ndërprerjes së fluturimeve, të gjithë punonjësit janë në punë dhe prioritet në këtë periudhë është përfundimi i ndriçimit të aeroportit.

Ai u shpreh gjithashtu optimist se fluturimet do të rikthehen në shkurt me 2-3 fishimin e linjave.

“Presim të fillojë linja me Londrën, disa destinacione me Gjermaninë dhe Europën Veriore si dhe do jenë destinacionet e sezonit të kaluar…pikërisht “Air Albania” dhe “Helvetic Airways”, ku kjo e fundit krahas Zyrihut pritet të realizojë fluturime edhe në Gjenevë,” tha Progonati.

“Do kemi një fluks të shtuar edhe me chartera,” përfundoi ai. /BIRN

Bizneset e shërbimit të makinave me qira në aeroportin e Kukësit kanë ndërprerë gjithashtu punën. Foto: Bashkim Shala.



4 Comments

  1. Me fakt, ne te gjithe aeroportet e botes (Rilindase) Aaaaaaaasnjeri nuk udheton ne nentor-shkurt, sidomos nga 24 dhjetori e deri per vit te ri jane te gjithe poshte minderit duke ngrene bakllavane e Kristaqit

  2. Mire qe paguam me leket e femijeve kete rrangalle, por do paguajme edhe Behgjetin per rrangallen e Vlores..Miliona eur te kota..per nje idiot drogaxhi qe do te kete aksione e fitime kudo!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *