• |
ide | kryesore

Fiks 40 vjet më parë/ Pushtimi i Polonisë nga Rusia dhe si Lech Walesa u bë hero popullor

-Instant, Arkiva, Dossier



Sindikata polake Solidarnosc vuri në dyshim monopolin e komunistëve mbi pushtetin dhe sfidoi Moskën. Për të ndaluar kolapsin e sistemit, gjenerali Wojciech Jaruzelski shpalli gjendjen e luftës në vitin 1981.

13 dhjetori 1981 ishte një e dielë e ftohtë dhe me diell në Varshavë, ideale për shëtitje në qytet. Por ata që lanë apartamentet e tyre në mëngjes për të shkuar në kishë – ishte e diela e tretë e pragut të Krishtlindjes – për të bërë patinazh me fëmijët ose për të blerë një gazetë – u kthyen pas të frikësuar. Në rrugët me borë të kryeqytetit, në vend të autobusëve shihje tanke lufte. Ushtarë të armatosur ruanin ndërtesat qeveritare dhe objekte të tjera strategjike. Milicët kontrollonin makinat dhe kalimtarët. Atë që e kapnin me fletëpalosje në xhep, e merrnin me vete.

Telefonat e vdekur dhe gjenerali në TV

Ata që më vonë ngritën telefonat në shtëpi për të biseduar me miqtë duhet të kenë zbuluar se të gjitha komunikimet ishin ndërprerë. Ata që ndezën televizorin në kërkim të informacionit panë një gjeneral – liderin e partisë dhe të qeverisë Wojciech Jaruzelski – të shpallte vendosjen e një “gjendjeje lufte”. “Atdheu ynë është në prag të humnerës”, tha gjenerali me zë të ashpër. “Nuk janë ditë, por vetëm orë që na ndajnë nga një fatkeqësi e përmasave kombëtare,” – shpjegoi Jaruzelski për të justifikuar vendimin e tij. Ai fajësoi për fundosjen që e kërcënonte Poloninë lëvizjen opozitare Solidarnosc.

Që nga vala e grevave në bregun polak të Detit Baltik në verën e vitit 1980, që çoi në njohjen e sindikatës Solidarnosc të udhëhequr nga Lech Walesa, në Poloni ishte krijuar një lloj pushteti i dyfishtë. Lëvizja kombëtare, e cila shpejt numëroi dhjetë milionë anëtarë dhe nuk e fshehu antikomunizmin e saj, gradualisht po forconte pushtetin e saj përmes grevave dhe demonstratave. Publicistët më vonë e quajtën këtë periudhë “karnaval i lirisë”.

Partia në pushtet, Partia e Bashkuar e Punëtorëve Polake (PVAP) e dobësuar dhe e përçarë, shmangej vazhdimisht, por nuk ishte gati të ndante pushtetin me opozitën, aq më pak ta dorëzonte atë. Triskat e ushqimeve, si në luftë, synonin të lehtësonin vështirësitë e furnizimit – pa dobi. Imazhet e dyqaneve bosh dhe njerëzve që sillnin në shtëpi letër higjienike si trofeun më të madh, u bënë ikona trishtuese të gjendjes ekonomike të kohës.

Moska zemërohet me shokët polakë

Shokët në Moskë e shprehën në mënyrë demonstrative pakënaqësinë e tyre ndaj shokëve të tyre polakë. Manovrat e përbashkëta të trupave të Traktatit të Varshavës në dhjetor 1980 dhe mars-prill 1981 shërbyen si një mjet presioni ndaj Varshavës, pa dyshim për të kujtuar qëllimisht pushtimin e Çekosllovakisë në vitin 1968. “Ne duhet të ushtrojmë presion të vazhdueshëm,” – tha sekretari i përgjithshëm i CPSU, Leonid Brezhnev, sipas një procesverbali të Byrosë Politike të 16 prillit 1981.

Historianët ende pyesin sot nëse Moska ishte vërtet gati të pushtonte Poloninë apo thjesht po i frikësonte shokët nga Varshava. Meqenëse partia dështoi qartë të merrte kontrollin e Solidarnosc-it, erdhi ora e ushtrisë. Gjenerali Jaruzelski fillimisht u emërua në krye të qeverisë, pastaj mori edhe drejtimin e partisë dhe përqendroi të gjithë pushtetin në duart e tij. Ai vendosi burra të besuar me uniformë në të gjitha postet kryesore të qeverisë.

Goditje kundër Solidarnoscit

Natën e 13 dhjetorit 1981, Këshilli Ushtarak i Shpëtimit Kombëtar (WRON) mori pushtetin në vend. 70.000 ushtarë me 1.750 tanke luftarake dhe 30.000 militantë u mobilizuan në të gjithë vendin për të thyer rezistencën e opozitës. 3000 aktivistë të Solidarnosc-it, duke përfshirë pothuajse të gjithë udhëheqjen e sindikatës me Lech Walesa-n në krye, u arrestuan dhe u internuan në orët e para të gjendjes së luftës. Liria e grevës dhe e mbledhjes u eleminua dhe u vendos shtetrrethimi. Solidarnosc u ndalua dhe më pas u shpërbë.

Pavarësisht nga efekti i befasisë, Solidarnosc-i arriti të mobilizonte kolektivat në disa fabrika, për t’i mbrojtur ato kundër ardhjes së njësive ushtarake dhe milicisë. Luftimet më të ashpra shpërthyen më 16 dhjetor 1981 rreth minierës së qymyrit “Wujek” në Katowice. Nëntë minatorë u vranë në sulmin kundër minierës.

Fitorja ushtarake e Pirros

Junta arriti mjaft shpejt ta neutralizojë Solidarnosc-in si një lëvizje masive antikomuniste dhe të rivendosë pushtetin e regjimit të vjetër. Deri në fund të vitit 1982, u internuan afro 10.000 vetë dhe rreth 12.000 të tjerë u dënuan nga gjykatat ushtarake. Në korrik 1983, gjendja e luftës u hoq.

Vendi u zhyt në një stanjacion ekonomik dhe social. Qindra mijëra polakë, kryesisht të rinj, i kthyen shpinën vendit dhe emigruan, kryesisht në Republikën Federale të Gjermanisë. Borxhi i jashtëm u rrit për të arritur shumën atëherë gjigante prej 40 miliardë dollarësh. Vendi ishte praktikisht i falimentuar dhe i izoluar politikisht. Disa atentate politike, si ajo e priftit Jerzy Popieluszko, i vrarë nga zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, tronditën opinionin publik polak.

Në skenë del Gorbaçovi

Vetëm ndryshimet në skenën politike botërore sollën shpresë. Perestrojka dhe Glasnosti i Mikhail Gorbaçovit, në krye të Kremlinit që nga viti 1985, i kanë dhënë opozitës më shumë liri veprimi. Dy valë grevash në vitin 1988 treguan se Solidarnosc-i sigurisht qe shtypur, por nuk qe mundur. Një brez i ri punëtorësh sfidonte fuqinë e shtetit. Ky realizim çoi në 1989 në tryeza të rrumbullakëta dhe zgjedhjet e para parlamentare gjysmë të lira në të gjithë Bllokun Lindor. As tetë vjet pas internimit të tij, këshilltari i Solidarnosc Tadeusz Mazowiecki u zgjodh kryeministër i Polonisë. Një vit më vonë, heroi i punëtorëve Lech Walesa u bë President i Polonisë.

Tradhtar apo hero?

Deri në vdekjen e tij në 2014, politikanët dhe historianët debatuan për rolin e Jaruzelskit. Shumë e shikonin atë si tradhtar të kombit që kishte dërguar tanke dhe ushtarë kundër popullit të tij për të shpëtuar pushtetin e partisë. Të tjerët e shikonin atë si hero që shpëtoi vendin nga pushtimi sovjetik dhe për rrjedhojë nga një gjakderdhje.

Në vitin 2011, Lech Walesa e vizitoi gjeneralin e sëmurë rëndë në spital dhe i dha atij dorën. A e ka falur ai atë? Në intervistën për DW, Walesa deklaron se Jaruzelski ishte gjithashtu një patriot që donte të shpëtonte vendin e tij nga sovjetikët – por në mënyrën e tij: “Unë nuk kam luftuar kundër Jaruzelskit, kundër sigurimit të shtetit, kundër agjentëve. Kam luftuar kundër sistemit”, tha Walesa.

Në librin e tij “30 vjet më i moshuar” Jaruzelski shkroi: “Kërkoj falje për pasojat drastike të gjendjes së luftës. Por kjo ishte zgjidhja e vetme dhe rezultoi me vend. Ishte e keqja më e vogël, por edhe një e keqe e tillë është gjithmonë e keqe”. /DW



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *