• |
ide | kryesore

Orët e tensionit/ Si rrezikoi të degradonte situata në PD nga konflikti Basha-Berisha

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Më shumë se asnjë ditë tjetër, selia e partisë më të madhe në opozitë rrezikoi të shndërrohej në një arenë dhune. Berisha dhe Basha qëndruan për disa orë pak metra larg duke matur forcën dhe durimin e njëri-tjetrit, ndërsa mes militantëve pati kërcënime dhe kanosje për konfrontim fizik.
Situata nuk u krijua rastësisht. Prej muajsh tashmë Lulzim Basha akuzohet, ofendohet, tallet dhe nënvlerësohet në takimet e Foltores, për vendimin që mori për përjashtimin e Sali Berishës.
Por Basha nuk është tërhequr megjithëse mijëra demokratë mbushën sallat e Foltores në muajt e fundit.

Mijëra delegatë që u mblodhën në Kuvendin e Air Albania nuk e bindën Bashën për fuqinë e Berishës. Të nesërmen ai mblodhi Këshillin Kombëtar dhe shpalli fillimin e punës për Kuvendin e 18 dhjetorit, në të njëjtën ditë kur Berisha me të tijtë organizon referendumin për shkarkimin e Bashës me votë.

Situata e tensionuar sot në PD ngërtheu të gjithë tensionin që prej muajsh ka përfshirë partinë më të madhe në opozitë dhe përplasja fizike qe më afër se asnjëherë tjetër. Por si rrodhën ngjarjet që çanë në dysh godinën e njohur dikur si SHQUP dhe që sot është selia e Partisë Demokratike.

Deputetët e PD në SPAK nga kolegët

Herët në mëngjes në media u shpërnda lajmi se deputetët e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, Edmond Spaho, Albana Vokshi, si dhe Ivi Kaso dhe Ervin Minarolli ishin kallëzuar në SPAK nga kolegët e tyre për falsifikim të vulës dhe stemës së PD. Ngjarja është e paprecedent. Nuk ka ndodhur asnjëherë që vetë një parti të kallëzojë në prokurori deputetët e saj.

Basha në seli për një mbledhje rutinë “Sot ditë e bukur”

Lulzim Basha ka qenë sot në selinë e PD-së bashkë me deputetët që e mbështetësin, mes tyre Gazment Bardhi, Alfred Rushaj, Flutura Açka, Oriela Nebiaj etj. Basha hyri rreth mesditës në seli dhe nga ajo që u tha gazetarëve u duk se nuk e kishte idenë se çfarë do të ndodhte. ““Sot është një ditë e bukur, edhe më bukur do të bëhet”, tha Basha për gazetarët që ishin të pranishëm jashtë godinës së PD-së.

Në një nga sallat në selinë e PD-së, Basha me të tijtë u mblodhën për të zhvilluar një mbledhje rutinë që më vonë u njoftua se kishte të bënte me FRPD.

Berisha prin Komisionin e Rithemelimit në selinë e PD

Pak pasi Basha hyri në selinë e Partisë Demokratike, në oborr u shfaq një grup që ishte Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike. Deputetëve dhe anëtarëve të komisionit u printe Sali Berisha.
Basha qëndroi i mbyllur në sallën e katit të dytë të selisë. Në të njëjtin kat, në një sallë tjetër të selisë hyri edhe Berisha. Ajo që ra menjëherë në sy ishte mungesa e karrigeve, megjithatë Komisioni i Rithemelimit nisi menjëherë mbledhjen.

Bashkë me Komisionin, në PD hynë edhe shumë militant që thërrisnin dhe brohorisnin për Berishën.

Orët e tensionit në PD, Basha në kurth

Për më shumë se një orë dy grupimet, ai i Bashës dhe ai i Berishës zhvilluan mbledhjet respektive në dy salla të ndryshme në PD. Por ndërkohë që të dy ishin në mbledhje, militantët mbështetës të “rithemelimit” mbushën hollin e godinës në katin e dytë. Shumica e tyre me thirrjet dhe brohorimat për Sali Berishën. Një grua që ishte vendosur të ruante sallën ku Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij qëndronin të mbyllur u ankua se ishte kërcënuar nga militantët për faktin se qëndronte në derën e sallës.

Situata qe e tensionuar. Nga sa u shpreh më vonë Lulzim Basha, duket se në mendje i kishte shkuar historia e rrahjeve të zyrtarëve të Partisë Demokratike ndër vite.

Lexo edhe: Basha ia faturon Berishës 21 Janarin: Ne nuk bëjmë atë që bëri ai

Lexo edhe: Mësohet kurthi që përdori Berisha për të hyrë në seli

Lexo edhe: Prapaskenat e asaj që ndodhi brenda godinës / Çarku ku mbeti i mbyllur Basha kur Berisha i’a mësyu selisë (fotot)

Berisha në konferencë, Basha në sallë

Pas mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një konferencë me gazetarët, të cilëve u tha se kjo ishte më e veçanta në karrierën e tij politike, pasi ishte konferenca e rikthimit të tij në Partinë Demokratike. Berisha paralajmëroi se do të rikthehej në krye të PD-së, ndërsa e quajti Lulzim Bashën një besëprerë që ka plaçkitur kartat e anëtarëisë. Berisha u bëri thirrje deputetëve të shkëputen nga ajo që e quajti “shoqata Basha-Bardhi”. Gjatë konferencës së Berishës, Basha vazhdoi të qëndronte i mbyllur në sallë me mbështetësit e tij.

“Incidenti” i kërcënimit me armë në korridoret e PD-së

Ndërsa Berisha ishte në konferencë, në media doli lajmi se disa të rinj të FRPD-së ishin kërcënuar me armë nga mbështetës të Lulzim Bashës. Më vonë Belind Këlliçi doli para mediave dhe tha se bravat e zyrës së tij ishin ndryshuar dhe disa të rinj që e shoqëronin i kishin thënë se disa mbështetës të Bashës i kishin kërcënuar me armë. Pas kësaj, Belind Këlliçi lajmëroi policinë dhe kur uniformat blu nuk iu përgjigjën shkoi të bënte denoncim në polici.

Berisha largohet nga PD, Basha del në konferencë

Pasi është shmangur përplasja në selinë blu, Lulzim Basha ka dalë në konferencë për mediat duke bërë disa nga akuzat më të forta ndonjëherë ndaj Berishës.

Basha i faturoi Berishës për 21 Janarin, siç nuk kishte bërë asnjëherë më parë, e akuzoi se bashkëpunon me emra të njohur të botës së krimit si Suel Çela në Elbasan, e akuzoi për bashkëpunim me oligarkët, për bashkëpunim me socialistët e Ramës dhe sulmoi gazetarët e një televizioni opozitar si Syri Tv për të cilët tha se ishin “për bukën e gojës”.

Basha mbledh Kryesinë në orët e mbrëmjes

Lulzim Basha ka mbledhur Kryesinë dhe deputetët për të diskutuar lidhur me futjen e ish-kryeministrit Sali Berisha në selinë blu gjatë paradites së të hënës.
Në mbledhje janë diskutuar masat për të ardhmen, në lidhje me situatën që u krijua sot. Gjatë emisionit Të Paekspozuarit, deputeti Belind Këlliçi tha se nga selia e PD-së po telefonohen njerëz të cilëve u ofrohet punë për 50 mijë lekë nata për të ruajtur godinën.
Ndërkohë Berisha u është përgjigjur akuzave të Lulzim Bashës, i cili deklaroi se ai nuk ka lënë ish-kryetar PD-ja pa rrahur.

“Unë kuptoj se ai ka ndenjur sus para meje nga frika se mund të grushtohej. Ai ka thënë se unë 8 vite nuk kam marrë vendim dhe po të dëgjosh avokatin e tij, ai thotë se PD ka qenë me dy kryetare. Besoj se në këtë kontekst ato shkojnë me njëra-tjetrën”, tha Berisha për Syri Tv.

Me herët Basha gjatë konferencës për mediat kishte thënë: “Kemi bërë gjitha përpjekjet dhe ja kemi dalë të shkëputemi nga falsifikimet mashtrimet apo rrahjeve në sallat e Këshillave Kombëtarët që ka qenë pjesa me e zezë e traditës së Berishës që nuk ka lënë ish-kryetar të PD pa rrahuar apo pa ja thyer dhembët”./Lapsi.al



9 Comments

    1. Basha e ka sfazuar Bushatin i cili ne dizekuiliber ka filluar te shkruaje te paverteta te mjerueshme. Ka mbledhur mijra Berisha, por sa mijra more Bushat. Vetem Dash Shehi ne mbyllje te fushates se fundit te LZK e mbushi plot sallen e pallatit te kongreseve. Ja kuvendi Berishes po ta quajme se ka mbledhur 3 here me teper se Shehi, kaq qenka uragani per And Berishen. Qeshareka nga halli.

  1. Zorra e by..thes po i del Saliut kete muaj.
    Cohet plaku 77 vjec nga halli te shpetoje kalamajte nga Burgu.
    Kenaqem kur e shikoj keshtu……., nje njeri i vogel, i ndryshkur…

  2. Ai i kujtoi Berishës ngjarjet e 97 duke thene se e ka nxjerrë në pah anën e tij më të errët. “Është rikthyer versioni i 1997-s i Sali Berishës, këtë herë version më i plakur dhe më qesharak”, tha Basha.

    Ish-Kryeministrin e fajësoi edhe për 21 janarin 2011, që e cilësoi si i njëjti skenar që realizoi me hyrjen në selinë e PD. “Sali Berisha erdhi me të njëjtin skenar si ai i 21 janarit, veçse unë nuk iu përgjigja ndërsa më 21 janar, Sali Berisha u përgjigj”, u shpreh Basha.

  3. O laps i mos i egzagjeroni. As një rrezik nuk pati vetëm një sjellje prej të çmënduri i Bashës. A është në mëndje ky person .Mor se paskemi ditur e kuptuar kët njeri!!

  4. Sali Berisha vërtetë po lufton për jeta a vdekje për të gjetur një strehë politike për Familjen e tij non grata, por kur vjen puna e konsumimit të veprave penale, përdor gjithnjë të tjerët, duke shpëtuar prapanicën e tij.

    Urdhëroi verbalisht SHIK për zhdukjen e Remzi Hoxhës vetëm se Hoxha e pa në një takim me Mollosheviçin në Shën Naum.

    Urdhëroi Bashkim Gazideden për përgjimin e Azem Hajdarit, rrahjen kundërshtarëve në PD dhe PS, lidhjet me celulat terroriste, për pushtimin e Jugut etj.O Gimi o torollak por keto te lapsit e kane pare njelloj si te gjithe,por ti kontrollo perdorimin e Haleperidolit

  5. Kush e riaktivizoi Sali Berishën pikërisht tani kur qeveria, specialistët e fushës, dhe vetë Edi Rama po u kërkojnë shqiptarëve “vaksinohuni, merrni dozën e tretë, kujdes me masat anticovid”, ndërkohë që ai mbledh 4-5 mijë vetë njëherësh në stadium. Kush e ka riaktivizuar Sali Berishën, pikërisht tani kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po intensifikikojnë përpjekjet e tyre për investuar në Shqipëri, për të nxitur BE-në të çelë sa më parë negociatat me aleatin e tyre kryesor në Ballkanin Perëndimor.

    1. Berishën e aktivizoi Basha si kollonë e Sorrosit ,nevoja për opozitë të fortë për tju vënë antishqiptarit Rama.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *