• |
ide | kryesore

Afera e inceneratorëve/ Basha paralajmëron: Duhen gjetur ata që janë në kërkim përpara se t’i vrasin

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Lulzim Basha tha sot se dy personat e shpallur në kërkim nga SPAK për aferën e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja duhen gjetur përpara se t’i vrasë dikush duke theksuar se në krye të skemës është kryeministri Edi Rama. Ai tha se PD është në ballë të betejës me denoncimet, me kallëzimet, me kërkesën për vettingun e politikanëve, dhe do të vazhdojë të jetë në ballë të betejës derisa drejtësia t’i shkojë deri në fund.

“Komisioni hetimor do vazhdojë punën, jo për të hetuar, por për të ndihmuar. Komisioni parlamentar ka kërkuar transparencë, ata që pengojnë transparencën duhet të merren forcërisht dhe të çohen para komisionit”, tha Basha.

I pyetur nëse PD ka të tjera dosje dhe denoncime për afera korruptive, Basha pohoi, por deklaroi se sot thelbi është mafia e inceneratorëve dhe se nuk do të devijojë nga kjo çështje.

“Përgjigjja është po, por nuk kam ndërmend t’i jap kënaqësinë askujt të devijojë nga thelbi, thelbi sot është mafia e inceneratorëve, që beteja jonë është e drejtë, që duhet vazhduar me arrestime të tjera. Që duhet vënë në ndjekje penale kryeministri, sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë etj. Duhen gjetur këta që janë në kërkim përpara se t’i vrasë dikush, në veçanti kjo Stela, se ata të tjerët janë ustallarë. Të gjenden llogaritë jashtë shtetit, pagesat.

Pa diskutim që ka afera të tjera, do vazhdojmë t’i diskutojmë dhe aferat e tjera, por sot do bëj gjithë përpjekjet e mia që t’ju jap fuqi ju si gazetarë dhe mediave tuaja që të mos i ikin as sot, as nesër, as pasnesër këtij skandali, kësaj mega afere që do të kishte çuar 4-5 drejtues të qeverisë në pranga”, tha kreu i PD.

Duke u kthyer tek korrupsioni në kohën e qeverisjes së PD, Basha garantoi se “jemi të vetëdijshëm dhe për gabimet tona dhe nuk do të bëhemi mburojë dhe nuk do ndalemi së pastruari brenda vetes këdo që ka shfrytëzuar pushtetin në kohën tonë për t’u pasuruar nëpërmjet korrupsionit”.

“Kam thënë fare qartë që pa diskutim ish-qeverisja e PD ka pasur korrupsion dhe që ne jemi të vendosur ta luftojmë atë për të ecur përpara për të ardhmen e shqiptarëve. Ta luftojmë atë brenda partisë sonë. Kemi gjëra për t’u krenuar, por edhe gjëra që na vjen turp.

Disa prej protagonistëve të këtyre aferave i tha thithur Rama si lubi, disa i ka bërë aleatë, disa në strukturat e tij, sepse ndajnë të njëjtat vese.

Nuk jemi të pavetëdijshëm që ka ndodhur korrupsion dhe në kohën tonë dhe që kjo plagë e madhe për shoqërinë nuk është krijuar vetëm nga Rama dhe PS, pa diskutim afera e inceneratorëve dhe afera të tjera, si në raportet ndërkombëtare tregojnë që qeveria Rama është qeveria më e korruptuar e 31 viteve tranzicion dhe më e korruptuar e Europës. Ne do bëjmë gjithçka për ta pastruar Shqipërinë nga kjo plagë, për ta luftuar armikun e mirëqenies së shqiptarëve. Po e bëjmë këtë me ata që kanë 8 vjet që qeverisin. Ka 4 vite që i ka çelësat e gjithçkaje. Kjo është detyra e parë, e dytë dhe e tretë, por ju garantoj se jemi të vetëdijshëm dhe për gabimet tona dhe nuk do të bëhemi mburojë dhe nuk do ndalemi së pastruari brenda vetes këdo që ka shfrytëzuar pushtetin në kohën tonë për t’u pasuruar nëpërmjet korrupsionit”, deklaroi Basha.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *