• |
ide | kryesore

Gjashtë shenja/ Si të dalloni infektimin me Omicron nga ftohja

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Gazeta britanike “Independent” publikoi pwrfundimet e njw grupi shkencwtarwsh qw studiuan shenjat e infektimit me variantin e ri “Omicron”.

Ata që vuajnë nga dhimbje të lehta muskulare, gërvishtje në fyt dhe kollë e thatë mund të jenë të infektuar me variantin e ri të Covid-19.

Ata sqarojnë se simptomat e pacientëve të infektuar me Omicron ka një ndryshim të madh nga pacientët me Delta. Sipas gazetës britanike, përpara pandemisë së COVID, nëse dikush kishte rrjedhje hundësh dhe dhimbje koke mund ta trajtonte atë si një ftohje të lehtë dhe të vazhdonte rutinën normalisht.

Por si mund të jeni të sigurt se kjo është një ftohje dhe jo Omicron?

Ftohja shkaktohet nga një lloj virusi i ndryshëm nga COVID. Por me variantin që konsiderohet shumë ngjitës, Omicron, që shpesh shkakton simptoma të lehta si hundë të zëna, dhimbje fyti dhe kollë të thatë është e vështirë të dallosh ndryshim pa kryer ekzaminimin e duhur.

Profesori Tim Spector i aplikacionit ZOE Covid në Britani tha se ishte më e rëndësishme se kurrë të bëhej një test COVID edhe nëse nuk keni simptoma. Nga ana e saj, Christina Marriott, CEO e Shoqërisë Mbretërore të Shëndetit Publik (RSPH), tha: “Gjithnjë e më shumë, njerëzit që kanë marrë dy doza të vaksinës priren të kenë simptoma më pak të rënda, si dhimbje koke, rrjedhje hundësh ose teshtima, dhimbje të fytit dhe humbje e nuhatjes”.

“Është e rëndësishme që njerëzit që janë vaksinuar plotësisht të qëndrojnë vigjilentë për simptoma të ngjashme me të ftohtin dhe t’i nënshtrohen një testi Covid nëse jetojnë ose punojnë me njerëz që i përkasin kategorive me risk më të lartë”.

Për Irene Petersen, profesoreshë e epidemiologjisë në University College London (UCL), “Ftohjet dhe dhimbjet e kokës janë simptoma të shumë infeksioneve, por ato mund të jenë gjithashtu simptomat e para dhe të vetmet simptoma të Covid”.

Studimi i Simptomave të Covid (ZOE), i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, ka identifikuar simptoma të zakonshme të sëmundjes që tregojnë pak dallime në varësi të faktit nëse dikush është i vaksinuar apo jo.

Dhimbja e kokës 

Edhe pse dhimbja e kokës është një simptomë më pak e njohur e Covid-it, ajo është një nga shenjat më të hershme, sipas studimit të ZOE. Sipas studimit dhimbja e kokës për shkak të COVID, shfaqet në të dy anët e saj dhe jo në një zonë, mund të zgjasë më shumë se tre ditë dhe ka tendencë të jetë rezistente ndaj qetësuesve të zakonshëm.

Rrjedhje hundësh 

Dimrin e kaluar, studimi i ZOE zbuloi se rrjedhja e hundëve ishte simptoma e dytë më e zakonshme e raportuar pas dhimbjeve të kokës, me gati 60% të atyre që rezultuan pozitivë për Covid.

Teshtima 

Studimi zbuloi se teshtima më shumë se zakonisht mund të jetë një shenjë e Covid tek njerëzit që janë vaksinuar, megjithëse sugjeron që teshtima ka shumë më tepër gjasa të jetë një shenjë e një ftohjeje ose alergjie.

Dhimbje fyti 

Shumë njerëz me Covid ankohen se kanë një dhimbje të fytit që i ngjan asaj kur jeni thjesht të ftohur. Dhimbja e fytit e lidhur me Covid ka tendencë të jetë e fortë dhe nuk zgjat më shumë se pesë ditë, kështu që një dhimbje shumë e fortë e fytit që zgjat më shumë mund të jetë diçka tjetër.

Humbja e nuhatjes 

Ky mbetet treguesi më i fortë i infeksionit Covid, pavarësisht nga mosha, gjinia apo ashpërsia e sëmundjes tek një person. Ndërsa të sëmurët mund të mos e humbin plotësisht shqisën e nuhatjes, ajo mund të ndryshojë dhe ata mund të mos jenë në gjendje të nuhasin gjërat me një aromë të fortë. Mund të ndikohet edhe shqisa e shijes.

Kolla e vazhdueshme 

Kjo pranohet gjerësisht si një nga tre simptomat kryesore të Covid-it, por sipas studimit të ZOE, vetëm rreth katër në 10 e shfaqin atë./faxnews



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *