• |
ide | kryesore

Pandemia e mosbesimit/ Çfarë fshihet realisht pas hezitimit global ndaj vaksinave

-Instant, Arkiva, Planet



Përhapja e shpejtë e varianti të ri të koronavirusit, Omicron, shkaktoi një shqetësim të madh tek autoritetet shëndetësore në mbarë botën. Edhe pse varianti i ri u zbulua në Afrikën e Jugut, ojq-të, OBSH-ja dhe ekspertët e shëndetit global, janë shprehur se varianti i ri ishte një pasojë e parashikueshme e pabarazisë në shpërndarjen e vaksinave.

Vendet e pasura po grumbullojnë shumë doza vaksinash, thanë ata, duke e lënë pas dore pjesën më të madhe të botës në zhvillim. Por në realitet, vendet me shkallë të ulët të vaksinimit po vuajnë nga më shumë faktorë se sa kjo lloj pabarazie.

Afrika e Jugut, vendi ku u raportua për herë të parë varianti i ri, i mori shumë vonë vaksinat, pjesërisht sepse vendet e pasura nuk i dhuruan doza të mjaftueshme, ndërsa kompanitë farmaceutike refuzuan të ndajnë më të teknologjinë e prodhimit të tyre.

Në një moment, Afrika e Jugut u detyrua të eksportonte doza të vaksinës Johnson & Johnson që kishte prodhuar në vend, që të plotësonte kushtet e një kontratë që kishte nënshkruar me kompaninë. Vaksinat kundër Covid-19 duhet të mbahen të ftohta. Por për shkak se jo kudo në Afrikën e Jugut ka rrugë dhe frigoriferë të besueshëm, ky vend e ka pasur shumë të vështirë t’i ruajë dhe transportojë vaksinat në zona të largëta.

Sot Afrika e Jugut ka sasi të bollshme vaksinash. Por tani ajo po përballet me të njëjtin problem, që po shqetëson vendet në mbarë botën:shumë njerëz nuk duan të vaksinohen. Afrika e Jugut ndaloi kohët e fundit dërgesat e vaksinave J&J dhe Pfizer, pasi ka më shumë rezerva sesa mund të përdorë.

“Ne kemi shumë vaksina dhe kapacitete, por hezitimi është një sfidë e madhe për ne”-deklaroi për Bloomberg kohët e fundit Nicholas Crisp, zv/drejtori i përgjithshëm i departamentit të shëndetësisë në këtë vend. Përvoja e Afrikës së Jugut, është një shembull se si ndjenja kundër vaksinës është bërë një fenomen global, pikërisht në kohën më të keqe.

Sipas një sondazhi të zhvilluar më nëntor nga kompania ‘Morning Consult” në 15 vende, gati 25 për qind e rusëve, 18 për qind e amerikanëve dhe rreth 10 për qind e gjermanëve, kanadezëve dhe francezëve, nuk janë “të gatshëm” të vaksinohen. Afrika e Jugut nuk ishte pjesë e këtij sondazhi.

Por një studim i verës së shkuar, zbuloi se ajo kishte një nivel të lartë hezitimi ndaj vaksinave, kur krahasohej me normën globale. Rreth 1/3 e popullsisë në Afrikës së Jugut është vaksinuar, një përqindje më e lartë sesa shumica e vendeve të tjera afrikane.

Por sipas një studimi të kryer në pranverën e këtij viti, 22 për qind e afrikano-jugorëve nuk ishin të gatshëm të vaksinoheshin, krahasuar me vetëm 4 për qind të njerëzve në Etiopi dhe 38 për qind e njerëzve në Republikën Demokratike të Kongos. Kohët e fundit, Malavi dhe Sudani i Jugut asgjësuan mijëra doza vaksinash pasi nuk ishin në gjendje t’i shpërndanin ato përpara sesa të skadonin.

Shtetet e Bashkuara nuk duhet që të fajësojnë Afrikën e Jugut – ose ndonjë vend tjetër – për hezitimin e një pjesë të popullsisë ndaj vaksinave, dhe as të ndalin dërgimin e vaksinave tek vendet që kanë nevojë për to. Qasja e gjerë tek vaksinat anti-Covid është thelbësore.

Por hezitimi ndaj vaksinave është një problem urgjent dhe global. Variantet e reja, mund të shfaqen kudo ku popullatat mbeten të pa vaksinuara. Në fakt, ka të ngjarë që Omicron të jetë shfaqur diku tjetër, dhe të jetë zbuluar rastësisht në Afrikën e Jugut.

“Sikur të kishim imunizuar të gjithë njerëzit në botë që janë mbi moshën 18 vjeç me të paktën një dozë të vaksinave kundër Covid, Omicron mund të mos ishte shfaqur”- thotë Noni MacDonald, vaksinolog në Universitetin Dalhousie në Nova Scotia.

Disa sondazhe sugjerojnë se hezitimi ndaj vaksinave është në fakt më i lartë në vendet e pasura, sesa në ato të varfra. Prandaj virusi ka po aq gjasa të evoluojë në një formë të re të tmerrshme në trupin e një amerikani të pa vaksinuar, sa edhe në trupin e një kongolezi apo rusi.

Në rast se politikë-bërësit duan të kufizojnë vërtet dëmin, që po shkakton aktualisht varianti Omicron dhe variantet e ardhshme, ata duhet të kuptojnë më mirë arsyet pse njerëzit i refuzojnë vaksinat. Një problem aq kompleks sa hezitimi ndaj vaksinave, është i prirur të ketë shumë shkaqe.

Por kërkimet sugjerojnë se këtë hezitim e nxit një instinkt bazik:mungesa e besimit. Që njerëzit ta kapërcejnë hezitimin e tyre, duhet rikthyer besimi i tyre tek shkenca, udhëheqësit e tyre, por edhe tek njëri-tjetri. Kriza e hezitimit të vaksinave, dhe kriza e rrënimit të besimit tek institucionet janë e njëjta gjë.

Në mbarë botën, njerëzit ndihen të gënjyer, të padëgjuar, dhe të lënë pas dore nga qeveritë. Ata nuk kanë më asnjë besim tek udhëheqësit e tyre. Ndaj ata janë duke sulmojnë qeveritë dhe zyrtarët e shëndetësisë, në disa raste nëpërmjet refuzimit të vaksinës kundër Covid-19.

Populizmi, një shprehje politike e këtij mosbesimi, lidhet me hezitimin ndaj vaksinave. Në një studim të vitit 2019 , Jonathan Kennedy, sociolog në Universitetin Mbretërsha Meri në Londër, zbuloi një lidhje të rëndësishme midis përqindjes së njerëzve që votuan për partitë populiste brenda një vendi, dhe përqindjes së atyre që besojnë se vaksinat nuk janë të rëndësishme apo efektive.

Studimet e shkuara kanë zbuluar në mënyrë të ngjashme, se populistët në mbarë botën kanë më shumë të ngjarë të besojnë tek teoritë e konspiracionit për çështje të tilla si vaksinimi dhe ngrohja globale. “Hezitimi ndaj vaksinave dhe populizmi politik, nxiten nga dinamika të ngjashme: një mosbesim i thellë tek elitat dhe ekspertët”- shkruan Kennedy.

Në politikë, populizmi manifestohet si parti dhe figura mbështetëse jashtë rrymës tradicionale, si Donald Trump në SHBA apo UKIP në Britani. Por populizmi mund të shprehet ndryshe në sfera të tjera. “Në fushën e shëndetit publik, ekziston një mosbesim dhe zemërim në rritje ndaj mjekëve, por edhe ndaj kompanive farmaceutike. Populizmi mjekësor, është një skepticizëm i ushqyer nga mungesa e informimit”-thekson Kennedy.

Literatura mjekësore zbulon një lidhje të fortë midis hezitimit të vaksinave dhe mosbesimit ndaj kompanive farmaceutike, zyrtarëve qeveritarë dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor, madje edhe midis vetë punonjësve të kujdesit shëndetësor.

Studimet dhe sondazhet nga vende të ndryshme gjatë 2 viteve të fundit, tregojnë se njerëzit që ngurrojnë të vaksinohen kundër Covid-19, kanë më shumë gjasa të votojnë për partitë politike ekstremiste, të mos i besojnë qeverisë, dhe të citojnë mosbesimin e tyre si arsye për të mos u vaksinuar.

Në një sondazh të kohëve të fundit në Gjermani, gjysma e të anketuarve të pa vaksinuar, thanë se kishin votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare për partinë populiste të ekstremit të djathtë, Alternative für Deutschland. Ndjenjat kundër vaksinës janë gjithashtu më të zakonshme në zonat populiste të Austrisë, Francës dhe Italisë.

Në Afrikën e Jugut, hezitimi ndaj vaksinave është më i madh tek afrikano-jugorët e bardhë sesa tek zezakët, edhe pse të bardhët kanë më shumë gjasa të jenë vaksinuar, ndoshta për shkak të qasjes më të madhe në sistem. Disa afrikano-jugorë të bardhë, nuk i besojnë qeverisë së vendit, e cila drejtohet kryesisht nga politikanë zezakë.

Rusia, dhe Evropa Lindore në përgjithësi, kanë një nivel jashtëzakonisht të ulët të besimit tek institucionet: 1 në 3 evropiano-lindorë nuk i beson sistemit të kujdesit shëndetësor, krahasuar me 1 në 5 banorë të Bashkimit Europian.

Rumania dhe Bullgaria, kanë vaksinuar vetëm një pjesë të vogël të popullsisë së tyre, pavarësisht sasisë së madhe të vaksinave, pjesërisht sepse besimi tek sistemi shëndetësor është shumë më i ulët në këto vende ish-komuniste. “Një nga trashëgimitë e sistemit sovjetik të kujdesit shëndetësor është niveli i lartë i burokracisë, që e gërryen besimin e publikut”- thotë Elizabeth King, profesoreshë e sjelljes shëndetësore në Universitetin e Miçiganit, që ka studiuar në veçanti rastin e Rusisë.

Rikthimi i besimit tek institucione do të jetë i vështirë. Hapi më i thjeshtë që mund të ndërmarrin qeveritë menjëherë, është ta bëjnë më të lehtë marrjen e vaksinës, dhe të japin informacione të hollësishme rreth saj. Vendet në zhvillim, nuk kanë pasur para për të investuar në fushatat reklamuese pro-vaksinave. (Nga Olga Khazan – “The Atlantic” – bota.al)



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *