• |
ide | kryesore

Vettingu, gjyqtari i Vlorës u dorëhoq pasi i kaloi barra e provës për pasurinë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Nga Edmond Hoxhaj. BIRN

Gjyqtari i Apelit Vlorë, Skënder Damnini kërkoi më 17 nëntor dorëheqjen nga detyra, vetëm pesë ditë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK i kishte kaluar barrën e provës për pasurinë, kriterin e rivlerësimit për të cilin është përmbyllur hetimi administrativ. Në përfundim, Damini ka kërkuar që procesi i vetingut ndaj tij të mos fillojë ose pushohet me qëllim shmangien e sanksionit që i ndalon rikthimin në drejtësi, megjithëse KPK ishte investuar për afro tre vjet në hetimin ndaj tij.


Kjo kërkesë e Daminit nuk është panuar nga KPK që ka vendosur më 14 dhjetor të ndëpresë procesin e rivlerësimit për këtë subjekt dhe ti ndalojë riemërimin në institucionet e drejtësisë në pozicione që kërkojnë gëzimin e statusit të magjistratit.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit shpjegohet se hetimi administrativ për Daminin ka filluar në mars vitit 2019 dhe është përmbyllur më 11 nëntor 2021 vetëm për pasurinë, kriter për të cilin i është kaluar barra e provës. Më 12 nëntor KPK i ka dorëzuar subjektit rezultatet paraprake dhe pesë ditë më vonë ai ka njoftuar se kishte paraqitur në Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGJ dorëheqje të parevokueshme nga statusi i magjistratit.

Më 23 nëntor KLGj e ka pranuar kërkesën e Daminit duke vendosur mbarimin e statusit të magjistratit për këtë subjekt, i cili sipas KPK, nuk e ka ankimuar këtë vendim.

Komisioni i ka kërkuar Daminit të ushtrojë të drejtën e tij për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, por ish-gjyqtari Apelit Vlorë është shprehur se nuk dëshiron ta ushtrojë këtë të drejtë. Ndërkohë, ai ka kërkuar që procesi i rivlerësimit ndaj tij të mos fillojë ose të pushohet.

Duke ju referuar jurispudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisioni vlerëson se kërkesa e subjektit nuk qëndron pasi dorëheqja e tij nga detyra plotëson kriteret e përcaktuara në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, ku në këto raste parashikohet dhe pasoja juridike e ndalimit për riemërimin e në sistemin e drejtësisë.

Me vendimin e 14 dhjetorit, trupi gjykues i kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Suela Zhegun dhe anëtar Lulzim Hamitajn ka vendosur të ndëpresë vetingun për Daminin si dhe ti ndalojë emërimin si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare.

Skënder Damini dhe dy kolegët e tij, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj u hetuan nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, pas vendimit për lehtësimin e dënimit të Dritan Dajtit.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e katër punonjësve të policisë dhe ndodhej në qeli prej masakrës së vitit 2009. Megjithatë, më 8 shkurt 2019 një trupë gjyqësore e komanduar pranë Apelit vendosi të shuante burgimin e përjetshëm për Dajtin, duke e dënuar atë me 25 vjet burg.

Pak ditë pas vendimit të debatueshëm, Krimet e Rënda urdhëruan kontrolle në shtëpitë e 3 gjyqtarëve, por pas një viti e gjysmë hetime dhe rikthimit të çështjes dy herë për rihetime të mëtejshme, Gjykata e Posaçme vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për pushimin e hetimeve.

Gjyqtari Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj janë shkarkuar më parë nga detyra prej KPK-së për problemet e konstatuara për pasurinë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu