Antonio Conte është gati të përballet me ish-skuadrën e tij, por mund të mos ketë rastin të gjejë një nga ish-nxënësit e tij. Trajneri i Tottenham foli në një konferencë për shtyp dy ditë para ndeshjes së Carabao Cup kundër Chelsea, nga e cila Romelu Lukaku ka gjasa të përjashtohet sërish, siç ndodhi në kampionat kundër Liverpool: “Ai është një lojtar i një ekipi tjetër. Do të ishte mungesë respekti të flas për të dhe gjithashtu për Chelsea – ishin fjalët e ish-trajnerit të Inter – Për mua është më mirë të luaj kundër një skuadre që i ka të gjithë lojtarët në dispozicion dhe madje për ata që e shikojnë është më mirë që kampionët të jenë në fushë”.
Lukaku, i cili nën drejtimin e Contes shënoi 64 gola në 95 paraqitje me fanellën zikaltër, u mbajt në tribunë në ndeshjen e madhe të Premier League kundër Reds, si pasojë e intervistës në të cilën i kërkoi falje Interit për mënyrën sesi u largua nga klubi verën e kaluar dhe ku tha se shpresonte të kthehej në Milano një ditë.
Conte, gjithsesi, nuk u ndal shumë në këtë temë, duke preferuar të flasë për emocionet e rikthimit të tij në stadiumin e Blues, ku ishte trajner nga viti 2016 deri në 2018: “Për mua do të jetë një emocion i madh të kthehem në Stamford Bridge, hera e parë që kur u largova nga Chelsea. Së bashku kemi bërë një punë të rëndësishme dhe duhet të falënderoj këtë klub, i cili më dha mundësinë të kem përvojën time të parë në Angli. Megjithatë, tani jam trajner i Tottenham dhe dua t’i jap 100% kësaj shoqërie për të përmirësuar ekipin.”
Tekniku italian në fund pranoi “që për të fituar duhet më parë të ndërtosh dhe për momentin Chelsea është më i gatshëm, siç e ka treguar duke fituar Ligën e Kampionëve. Kemi hapësirë të mjaftueshme për t’u përmirësuar për t’u bërë një ekip që ka pritshmëri të mëdha për fitore”, përfundoi Conte.