• |
ide | kryesore

119 kg kokainë/ Zbardhet dëshmia e plotë e shoferit në Romanat

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



ABC ka siguruar dosjen e prokurorisë në lidhje me 119 kg kokainë të kapur pak ditë më parë gjatë një aksioni në Tiranë në një kontejner që transportonte banane, të nisur në një nga portet e Ekuadorit. Në dëshmi, shoferi Hasan Salihu ka treguar itinerarin që ka ndjekur duke rrëfyer se është ndaluar nga katër persona të maskuar duke dhënë detaje në lidhje me fizikun dhe dialektin e tyre.

DESHMIA E PLOTE

Pyetje: Ndaj jush do të zhvillohen hetimet për veprën penale të “Trafikim narkotikësh e kryer në bashkëpunim”, të parashikuar nga neni 283/a/2 te K.Penal. Keni të drejtë të jepni ose jo shpjegime në lidhje me këtë ngjarje.

Përgjigje: Të drejtat e mia i kuptova dhe në prezencë të mbrojtësit tim Elton Hyseni unë do të jap këto shpjegime si më poshtë:

Jetoj në adresën e mësipërme së bashku me familjen time, e cila përbëhet nga bashkëshortja dhe 5 fëmijë. Aktualisht kam rreth 14 vjet që punoj si shofer te kompania “ZIKO SHA ” dhe me këtë kompani transportoj banane dhe mish, të cilën e marr nga Porti i Durrësit dhe e sjell te magazinat në Vaqarr ku i ka kjo kompani. Në date 28.12.2021 rreth orës 05:30 kam dalë nga banesa dhe pasi kam çuar nusen në punë në Kombinat, kam shkuar më pas në punë në Vaqarr dhe kam marrë trajlerin me targa AA 126 RE dhe karroceri ABR 604 dhe kam shkuar në Portin e Durrësit ku kam marrë një kontejner me banane, të cilin e solla te magazinat rreth 11:00, ku pasi kam shkarkuar rreth 2 orë jam nisur përsëri për Durrës për rrugën e dytë do merrja një kontejner me banane përsëri në port.

Nga Vaqarri jam nisur për të bërë rrugën e dytë rreth orës 13:30 -14:00 dhe kam shkuar në Portin e Durrësit. Pasi kam shkuar në port, kam lënë kontejnerin bosh dhe jam futur të merrja kontejnerin plot Pasi preva fletën e skanerit te dogana, jam nisur me kontejnerin dhe trajlerin me targa AA 126 RE dhe karroceri ABR 604 për në skanim të kontejnerit dhe mjetit. Kam dorëzuar letrat aty dhe kam bërë skanimin, kam pritur rreth 30 minuta për letrat e doganës, dhe pasi më ka dhënë fletë-daljen, jam nisur për Tiranë rreth orës 17:30 dhe kam dalë në Shkozet – Katër rrugët e Shijakut – te Vila Gold dhe u futa rrugës së vjetër për nga Ndroqi për të shkuar në magazina në Vaqarr. Duke ikur rrugës, në karburant ‘Kastrati’ në Romanat kam ulur shpejtësinë se është trafik dhe për një moment kam parë se para makinës trajler më kanë dalë 4 veta, të cilët ishin të moshës 35-40 vjeç, të veshur me rroba të zeza dhe të maskuar me kapuç dhe me një bluzë golf të zi kishin mbuluar fytyrën. Këta persona, pasi më dolën para makinës, më zunë në rrugë dhe më thanë ‘jemi shteti, hape krahun këtu’ dhe në sediljen e parë të pasagjerit më ka hipur njëri. Në këtë situatë unë kam hapur krahun në hyrje të një karburanti, dhe një nga këto 4 persona me tha ‘mbylle gojën ose do të zhduk me gjithë familjen, po e hape gojën’.

Tre personat e tjerë kanë bërë kontroll në kontejner, kanë hapur derën dhe janë futur brenda në kontejner ku kanë bërë kontroll për 30 minuta. Më pas kanë zbritur ky personi që ishte në kabinë dhe të 4 janë larguar në drejtim të rrugës nacionale për Durrës. Unë kam zbritur nga makina dhe pashë gomat e krahut të pasagjerit që ishin gati si të rëna dhe kam shkuar te dera e kontejnerit dhe kam parë që arkat me banane i kishin lëvizur, dhe pasi i kam sistemuar, kam mbyllur derën dhe më goma të rëna jam nisur në drejtim të karburant “Shaba Oil”, mos gaboj.

Aty te ky karburanti kam hapur krahun se kishte ndriçim dhe kam njoftuar përgjegjësin të më sillnin goma. Përgjegjësi Edi Shkreta më ka thënë se ‘gomën po ta sjellë një shofer tjetër i firmës’ Gëzim Kalaja. Duke pritur aty rreth 2 orë ka ardhur Gëzim Kalaja, më ka sjellë gomën dhe i kemi kërkuar një gomisti nga Durrësi të na ndërronte gomën. Pasi kam ndërruar gomën, jam nisur së bashku me shtatasin Gëzim Kalaja në drejtim të magazinave në Vaqarr ku kam shkuar rreth orës 21:30. Pasi kam parkuar makinën, kam shkuar në shtëpi i stresuar. Pasi kam folur atë natë në mëngjes i kam rënë në telefon shtetasit Marson Murataj dhe ishte gjumë.

Më pas kam shkuar e kam pritur te shtëpia se ka dalë dhe i kam thënë se kështu ndodhi mbrëmë siç e përshkrova më lart dhe ata personat e mbrëmshëm më thanë se po fole, do të zhdukim me të gjithë familjen. Më pas me menaxherin Marson Murataj kam shkuar te pika në Vaqarr dhe më parë mua më ka dhënë urdhër të shkoja në shtëpi të pushoj. Sot me datën 30.12.2021 më kanë njoftuar të paraqitesha në punë në Vaqarr ku edhe erdha.

Pyetje: A mund të na përshkruash personat që të ndaluan me çfarë automjeti ishin dhe çfarë dialekti kishin?

Salihu: E thashë dhe me lart ishin 4 persona të moshës rreth 35-40 vjeç të veshur me të zeza si sportive, njeri ishte i gjatë rreth 180 cm dhe tre të tjerët më të shkurtër dhe nuk e pashë se me çfarë makine ishin dhe se nga erdhën, unë kisha ndaluar në trafik dhe ata me dolën para më thanë “jemi shteti, do të kontrollojmë” dhe me kontrolluan siç e përshkrova me lart. Me sa kam dëgjuar njeri ishte me dialekt nga zona e Shkodrës dhe tre të tjerët si nga jugu. Me njërin që ka hipur te sedilja e parë kam komunikuar, ata të tjerë kanë bërë kontroll të kontejnerit.

Pyetje: Çfarë të thanë, përse kontrolluan kontejnerin, çfarë kërkonin?

Salihu: Nuk e di pse e kontrollonin dhe çfarë kërkonin, nuk më dhanë shpjegime, vetëm më thanë se ‘jemi shteti, do bëjmë kontroll’.

Pyetje: Po plumbçet i pe në port, ishin në rregull dhe me se i prenë, çfarë kishin në duar këta persona?

Përgjigje: Nuk i kam parë plumbçet në port nëse ishin në rregull dhe nuk e di se me çfarë i prenë. Në duar nuk kishin gjë, po i mbanin duart të fshehura, njërën si nga pjesa e barkut.

Pyetje: Po gomat si arritën të çaheshin të dyja?

Përgjigje: Nuk e di çfarë të them, s’e kuptoj.

Pyetje: Po shtetasit Gëzim Kalaja, i tregove kur të solli gomën?

Përgjigje: Jo, nuk i kam treguar asgjë Gëzimit kur më solli gomën se kisha frikë dhe isha i tronditur.

Pyetje: Përse nuk njoftove policinë në lidhje me këtë ngjarje që në datë 27.12.202 17?

Përgjigje: Kisha shumë frike nga këta persona se mos më ndiqnin

Pyetje: Po shtetasi Marson Murataj çfarë të tha kur e takove dhe i tregove situatën?

Përgjigje: Nuk më tha gjë nuk e mendoja këtë gjë kurrë.

Pyetje: Nga hetimet e kryera na del se kur ju keni takuar Marson Murataj i keni thene se: “Ti e di pronar, më keni jetën borxh e familjen”, çfarë kuptimi ka kjo?

Përgjigje: Jo nuk i kam thënë këtë gjë, i kam thënë se jam i kërcënuar familjarisht

Pyetje: Po gjatë rrugës nga porti deri ku të ndaluan këta persona, ke parë apo fiksuar ndonjë automjet që të ndiqte?

Përgjigje: Jo, nuk kam fiksuar gjë?

Pyetje: Po kur ikën këta persona me çfarë ikën dhe çfarë drejtimi morën?

Përgjigje: Kur kam zbritur të mbyllja derën e pasme kam parë që të tre ata persona iknin në drejtim të Durrësit rrugës nacionale me këmbë dhe tre iknin në një anë dhe një në anën tjetër të rrugës

Pyetje: Po herë të tjera të kanë ndodhur situata të tilla apo ke parë plumbçet e kontejnerit të hapura?

Përgjigje: Jo, nuk më ka ndodhur asnjë herë kjo situatë dhe plumbçet nuk i kam gjetur asnjë herë hapur me përjashtim të rastit kur na urdhëron dogana për kontroll

Pyetje: Brenda në kontejner është gjetur një elektrik me bateri si dhe kjo sasi e dyshuar lëndë narkotike të llojit kokainë, si e shpjegon këtë fakt?

Përgjigje: Nuk kam lidhje as me elektrikun dhe as me drogën që është gjetur aty.

Pyetje: Ke gjë tjetër për të thënë dhe deklaruar rreth kësaj ngjarje dhe pyetjes tuaj në këtë cilësi?

Përgjigje: Nuk kam gjë tjetër për të thënë….



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *