• |
ide | kryesore

Danny Murphy e drama e tërheqjes nga futbolli: “Pija, drogohesha e luaja kumar, të tjerë kanë tentuar vetëvrasjen”

-Instant, Sport



Tërheqja është momenti në jetën e një futbollisti që shënon një cesurë të pashlyeshme, por jo të gjithë janë gati të përballen me atë që vjen kur i varin këpucët në gozhdë. Ai që e rrëfen është Danny Murphy, ish-lojtari i Liverpool, Tottenham dhe me dhjetë paraqitje në kombëtaren angleze. Në një rrëfim me zemër të hapur për DailyMail, ish-mesfushori tregoi se tërheqja rezultoi papritur një problem i madh.

TËRHEQJA – “U zbavita dy vitet e para pasi u tërhoqa në 2013: luaja golf, shfaqesha ne TV dhe shkoja me pushime me familjen time. Por ajo që ndodhi më pas më goditi plotësisht, si me çekiç. Kur kuptova se nuk do të luaja më futboll në jetën time dhe se kisha humbur pjesën më të madhe të kursimeve të mia, rashë në depresion, diçka që nuk doja ta kuptoja në atë kohë. Gjatë asaj kohe të tmerrshme, e cila zgjati një vit, gjithçka bëra ishte të pija, drogohesha dhe të luaja bixhoz. Martesa ime u shpërbë, u grinda me familjen dhe miqtë e mi dhe mbeta i izoluar. Dhe kështu fillova të dilja më shumë, të vazhdoja të pija dhe të luaja kumar. Ato që duhet të ishin aktivitete për të më vënë në kontakt me njerëzit në fakt më izoluan edhe më shumë. Dhe padyshim problemet që përpiqesha të harroja ktheheshin edhe më presues mëngjesin tjetër. Duhej të kisha folur me profesionistë dhe në një farë kuptimi e konsideroj veten me fat: e di që shumë ish-futbollistë të tjerë i kanë këto probleme prej vitesh, disa kanë tentuar edhe vetëvrasjen”. Diçka jo e lehtë për t’u zbuluar, por që Murphy ka dashur ta shpjegojë.

RRJETA E SIGURISË – Murphy ka shtuar edhe se lindin lloje të tjera problemesh. “Të largohesh nga futbolli të privon edhe nga një rrjetë sigurie që e kishe gjithmonë. Kur je lojtar i Liverpool, Tottenham, i kombëtares, ke shumë njerëz përreth që mund të të ndihmojnë. A është dikush i sëmurë në shtëpi? Klubi të dërgon një doktor. A të duhen bileta për të shkuar në një koncert? Do të kujdeset menaxheri. Disa futbollistë kanë njerëz që merren edhe me gjëra si blerja e një makine ose prenotimi i pushimeve. Kur largohesh nga futbolli je shumë më pak i aftë se një njeri i moshës tënde për tu përballur me gjërat normale që ndodhin në jetë, sepse deri në atë moment ke qenë i privilegjuar. E pastaj kur je futbollist ditën ta organizojnë të tjerët. Ti di kur duhet të stërvitesh, kur duhet të luash, çfarë duhet të veshësh, çfarë duhet të hash. Të zgjohesh papritur në mëngjes dhe të duhet të gjesh diçka që të të mbajë të zënë dhe të të motivojë nuk është e lehtë. Dhe është mirë që ata që tërhiqen t’i dinë këto gjëra paraprakisht”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *