• |
ide | kryesore

Libri i Lea Ypit nuk fsheh dot imazhin e regjimit

-Instant, Blog



Profesoresha e marksizmit në Londër, Lea Ypi, u ankua në median britanike së fundmi për sharje dhe fyerje që pati marrë pas publikimit të librit të saj në anglisht dhe në shqip. Anomalia e reagimit publik ndaj librit të Ypit nuk duhet të fshehë anomalinë tjetër më të madhe, e cila lidhet me mungesën e një ekosistemi mediatik të shëndetshëm në Shqipëri.

Nga Gjergj Erebara/ BIRN

Ishte fundi i nëntorit kur në median sociale u shfaq lajmi se Lea Ypi, një shqiptare profesoreshë në Londër, ka zgjedhur të prezantojë librin e saj Të lirë në një eveniment në vilën e diktatorit Enver Hoxha. Përmes medias sociale u mësua gjithashtu se në ceremoni morën pjesë gjysma e kabinetit qeveritar.

Autori i këtyre rradhëve mori vesh disa ditë më vonë, në formën e thashethemeve të shkëmbyera në një klub në orë të vona të natës mes gotave me London Dry Gin, (përzgjedhja ishte rastësore), se diçka e ngjashme me skandalin kishte ndodhur në ceremoninë e promovimit të librit, kur një aktiviste shqiptare i kishte vënë në dukje znj. Ypi se prania e gjysmës së qeverisë në një promovim libri stononte. Një qeveri e korruptuar gjen rastin të shfrytëzojë një promovim libri për t’i dhënë vetes një imazh sadopak njerëzish normalë, kur në fakt nuk janë të tillë.

Fakti që ky shkëmbim, që do të kishte qenë “lajm” për çfarëdolloj gazete apo gazetari në një vend normal, mbërriti te unë në formën e thashethemit urban dhe jo në formën e lajmit të raportuar në media mund të quhet anomalia e parë. Por kjo anomali nuk del nga asgjëja. Ajo ka një kontekst. Një promovim libri që tërheq vëmendjen e gjysmës së qeverisë, detyrimisht ta ha mendja se do të tërheqë edhe vëmendjen e medias. Dhe nëse është kështu, debati mbi librin apo mbi praninë e qeverisë apo mbi vendin e përzgjedhur për promovimin e librit do të mund të zhvillohej brenda kontureve të etikës në media. Por fakti ishte që në një ngjarje të tillë nuk kishte asnjë gazetar dhe asnjë kamera me përjashtim të kameras personale të kryeministrit. Dhe kjo është anomalia e dytë.

Fakti është që Shqipëria sot nuk ka media dhe as gazetarë kulture. Është e pamundur që të hapësh një gazetë dhe të gjesh në të një faqe që të ketë etiketën “Kulturë” në krye. Dhe në lajmet televizive nuk ka pothuajse kurrë asnjë lloj kronike që të flasë për ndonjë ngjarje kulturore në një vend ku çdo emision televiziv është në shitje dhe ku promovimi i një libri duhet të paguhet gjithashtu.

Dhe për rrjedhojë, nuk është e mundur të kihet një debat normal mbi një libër. Përgjegjësi për këtë mungesë të medias në përgjithësi dhe të gazetarëve të kulturës në veçanti nuk ka pse të kërkohet larg. Ai vështirë se gjendet nëpër defektet e kapitalizmit dhe as nuk shërben për të konfirmuar vlefshmërinë e teorisë marksiste. Përgjegjësi është ai që ka kameramanët e vet dhe nuk lejon asnjë kameraman tjetër në prani të tij, ai që prodhon “lajmet” e veta të cilat më pas transmetohen si “lajme” të pavarura nëpër të gjitha televizionet që nuk kanë asnjë gazetar kulture sepse kultura nuk paguhet nga korrupsioni politik, ndryshe nga lajmet politike.

Në mungesë të diskutimit brenda një seti vlerash etike të një mediaje, gjërat diskutohen në kuadër të vlerave komunitare të medias sociale.

Me pak fjalë, Shqipëria nuk është një vend normal ku mund të diskutohet një libër. Është vendi anormal ku diskutohet thjeshtë marrëdhënia që një intelektual vendos të ketë me pushtetin e një prej vendeve më të korruptuara në kontinent. Kjo është çështje zgjedhjeje dhe nuk ka lidhje me librin.



3 Comments

  1. Publiciteti qe ju be kesaj autore nga shtypi pro qeveritar ishte i besdisshem, kur jam i sigurte qe asnje nga qeveritaret e degjeneruar te ketij vendi qe “zbukuronin” ambjentin e promovimit te librit s’jane te afte te lexojne me shume se 10 faqe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *