• |
ide | kryesore

SHBA të tjera sanksione në Ballkan/ Dodik “minon” stabilitetin e rajonit

Arkiva, Kryesore

Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar për zgjerimin e sanksioneve për vepra korruptive, në të cilat është përfshirë anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Siç thuhet në njofim, sanksionet janë vendosur edhe ndaj Televizionit ‘Alternativa’ nw Banja Lluka, që ndërlidhet me familjen e Dodikut.


Departamenti i Thesarit tha se sanksionet shprehin përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovuar llogaridhënien “për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes”.

“Dodiku ka minuar institucionet e Bosnje e Hercegovinës duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke iniciuar krijimin e institucioneve paralele në entitetin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës. Për më tepër, Dodik ka përdorur pozitën e tij zyrtare që ka në Bosnje për të përfituar pasuri për vete përmes ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit. Retorika e tij ndarëse ento-nacionaliste reflekton në përpjekjet e tij për të avancuar këto qëllime politike dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive. Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe minojnë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, dhe në këtë mënyrë rrezikojnë stabilitetin më të gjerë rajonal”, tha Departamenti amerikan i Thesarit.

Sipas njoftimit, sanksionet nënkuptojnë se të gjitha pronat, interesat në prona të individëve dhe entiteteve të përfshira në sanksione, që i kanë në SHBA ose janë në pronësi apo kontroll nga qytetarët amerikanë, bllokohen dhe duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja, zyrë kjo në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit.

Po ashtu, personave dhe entiteteve të sanksionuara u ndalohen të gjitha transaksionet me personat amerikanë.

Më herët, ministrja e Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, paralajmëroi sanksionet kundër Dodikut.

Ajo tha se ekziston një qëndrim i harmonizuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe se ky nuk do të jetë fundi, por vetëm fillimi i vendosjes së sanksioneve.

Ndryshe, në nëntor të vitit të kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi se Shtetet e Bashkuara, të cilat ndërmjetësuan në arritjen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit për Bosnje e Hercegovinën në vitin 1995, mund të vendosin sanksione ndaj atyre që përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore ose të destabilizojnë marrëveshjen.

Dodik: Sanksionet nuk janë të shenjta

Millorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje dhe Herzegovinës, tha më 5 janar në Banja Llukë]a të Bosnje e Hercegovinës se janë të mundshme sanksionet për individët në Bosnje dhe Herzegovinë.

Dodik, i cili është gjithashtu president i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur iu përgjigj pyetjes së një gazetari në lidhje me sanksionet e mundshme të cilat i paralajmëroi ministrja e Jashtme e Bosnje e Hercegovinës, Bisera Turkoviq.

“Këto janë sanksionet e tyre, nuk janë tonat. Unë nuk kam ndërmend të aplikoj për vizë në Amerikë, edhe nëse do të mi heqin sanksionet nesër”, tha Dodik.

Dodik tha se nuk mund ta imagjinonte një vend në të cilin, siç thotë ai, ministrat si është Bisera Turkoviq përshendesin sanksione për qytetarët e tyre.

Puna e institucioneve shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë është bllokuar që nga korriku i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit e njësisë Republika Sërpska refuzuan të marrin pjesë në çdo vendimmarrje. Kjo ndodhi si përgjigje e tyre ndaj faktit që ish-përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinës, Valentin Inzko, inicioi ndryshime në Kodin Penal që ndalon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Pas kësaj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkuan zhbllokimin e punës së institucioneve në këtë shtet.

U kërkua që Republika Sërpska, e cila është një nga dy njësitë brenda Bosnje dhe Hercegovinës, të heqë dorë nga ngritja e një agjencie ilaçesh mjeksore dhe aktivitetet e mëtejshme që synojnë të marrin në mënyrë të njëanshme kompetencat e shtetit.

E gjithë kjo ka shkaktuar krizën më të madhe politike në Bosnje e Hercegovinë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit në vitin 1995, prandaj disa zyrtarë ndërkombëtarë kanë folur për mundësinë e vendosjes së sanksioneve.

Megjithatë disa politikanë evropianë si kryeministri hungarez Viktor Orban kanë kundërshtuar mundësinë e sanksioneve kundër disa zyrtarëve të Republikës Sërpska, duke përfshirë anëtarin e presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik.

Më 10 dhjetor të vitit të kaluar Asambleja e Republikës Sërpska miratoi konkluzionet që parashikojnë “kthimin e kompetencave” nga niveli shtetëror te njësia, si dhe Deklaratën mbi Parimet Kushtetuese të Republikës Sërpska, e cila udhëzon institucionet e këtij mekanizmi të hartojnë një kushtetutë që do ta bënte Banja Llukën kryeqytetin e entitetit, ndërkaq Pale, që është jo shumë larg kryeqytetit, Sarajevës, të jetë kryeqyteti historik.

Deklarata saktëson se “të gjitha ligjet e vendosura nga Përfaqësuesi i Lartë janë antikushtetuese”.

Më parë, më 20 tetor të vitit të kaluar, i njëjti organ ka miratuar Ligjin për barnat dhe Pajisjet Mjekësore, i cili parashikon themelimin e një agjencie ilaçesh mjeksore, e cila operon në nivel shtetëror që nga viti 2009.

Ditë më parë, sanksione ndaj liderit të serbëve të Bosnjës ka kërkuar edhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Ajo tha se Bashkimi Evropian duhet që ta sanksionojë liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik për përpjekjet e tij për t’u shkëputur nga Bosnje e Hercegovina.

Baerbock, tha se situata në Bosnje dhe Hercegovinë është “shqetësuese” dhe se përpjekjet e Dodikut që Republika Sërpska të shkëputet nga Bosnja, ishin “të papranueshme”.

Dodik u sanksionua nga SHBA-ja më 2017

Në janar të vitit 2017, Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara kishte vendosur sanksione kundër liderit nacionalist të Republika Sërpska në Bosnjë Hercegovinë, Millorad Dodik.

Vendimi ishte marrë pasi ishte thënë se Dodik në mënyrë aktive po pengonte përpjekjet për zbatim të Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, me të cilën përfundoi lufta në Bosnjë Hercegovinë.

Pas vendosjes së këtyre sanksioneve autoriteteve amerikane iu mundësohet që të bllokojnë qasjen në ndonjë pasuri ose fond të tij nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët amerikanë kishin deklaruar se Millorad Dodik paraqet kërcënim të rëndësishëm për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës.

Kush është Millorad Dodik?

Millorad Dodik është një politikan serb i Bosnje e Hercegovinës që fuqinë më të madhe politike e fitoi në vitet e 90.

Ai ka shërbyer si president i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) që nga krijimi i saj në vitin 1996 dhe më vonë ka ushtruar pozita të ndryshme në kuadër të Republikës Sërpska, entiteti me shumicë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë.

Dodik ka qenë kryeministër i Republika Sërpska nga viti 1998 deri në vitin 2001 si dhe këtë pozitë e ka mbajtur sërish në periudhën 2006-2010. Dodik ishte edhe president i Republika Sërpska nga 2010 deri në vitin 2018.

Në fillimet e tij në politikë, Dodik ishte konsideruar nga Perëndimi si politikan i moderuar dhe reformist, megjithatë me kalimin e viteve ai është kritikuar se ka ndjekur një linjë gjithnjë e më nacionaliste dhe separatiste, duke thirrur të drejtën e serbëve të Bosnjës për vetëvendosje.

Përgjatë viteve, Dodik është kritikuar se ka pasur qasje autoritare, se ka refuzuar institucionet federale boshnjake si dhe është akuzuar për lidhjet e tij të ngushta me Serbinë dhe Rusinë.

Millorad Dodik, i cili është anëtar serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, është një mohues i rregullt i shkallës dhe natyrës së gjenocidit të ndodhur në Srebrenicës në vitin 1995, ku forcat serbe të Bosnjës vranë 8,000 burra dhe djem boshnjakë.

Dodik nxiti tensione pasi e quajti të padrejtë dënimin e Ratko Malladiqit për krime luftë të kryera në Bosnje e Hercegovinë. Ai e cilësoi atë “legjendë”.

Mes tjerash, Dodik po ashtu ka mbrojtur rolin e Radovan Karaxhiqit gjatë luftës si dëshmitar në gjykimin e tij për krimet lufte dhe krime kundër njerëzimit pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë.

Urdhri ekzekutiv që zgjeroi sanksionet për Ballkanin Perëndimor

Më 8 qershor të vitit 2021, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden kishte nënshkruar një urdhër ekzekutiv përmes së cilit zgjeroheshin sanksionet për individët e përfshirë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Përmes këtij urdhri ekzekutiv, u zgjeruan sanksionet për personat e përfshirë në aktivitete që: kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të çdo zone në Ballkanin Perëndimor, minojnë proceset apo institucionet demokratike në Ballkanin Perëndimor, pengojnë zbatimin e marrëveshjeve rajonale të paqes, çojnë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor, ose lidhen me korrupsionin.

Radio Evropa e Lirë

9 Comments

    1. Të njejten fate munde të ket edhe Berisha dhe television i tyre a po harrova se edhe lapsi eshte bër si syri

  1. Berisha është vetëm një puçërr në… fundshpinën e Trumpit”.

    Ish presidenti miliarder, sado difektoz në marrëdhëniet me shtetin dhe me interesin publik, nuk mund të honepsë një intrigant të vogël të Ballkanit, i cili në shtator 2013 guxoi t’u bëjë SHBA-ve sfidën më të rëndë që një politikan shqiptar i ka bërë superfuqisë së botës, duke i prirë turmës së tij të paformë në rrethimin e ambasadës amerikane.

  2. Agjenti serb Salih Kurva shume shpejt burgoset dhe i sekuestrohet e gjithe pasuria e vjedhur Bashke me kurven e vucidolit arrestohen dhe femijet e tij orangutane

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.