• |
ide | kryesore

Video/ Milan ‘shtyp’ Romën: Ibrahimovic humb penalltinë në shtesë, verdhekuqtë e mbyllin me 9 lojtarë

-Instant, F1, Sport, Video



Milani e nis vitin 2022 dhe fazën e dytë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mposhtur Romën 3-1 në San Siro dhe duke kaluar në -1 nga Interi kryesues. Kuqezinjtë e nisën fuqishëm ndeshjen dhe kaluan në avantazh në minutën e 8-të falë penalltisë së Giroud, ndërsa dyfishuan në minutën e 17-të me Messias, pas një shtylle të francezit. Kryeqytetasit rihapën ndeshjen në minutën e 40-të me një prekje të Abraham, por Leao e mbylli në minutën e 82-të në kundërsulm. Ibra pati kohë të humbte një penallti (93′), ndërsa Karsdorp dhe Mancini u ndëshkuan me karton të kuq.

Pavarësisht mungesave të shumta (dhjetë lojtarë përfshirë dëmtimet, Covid dhe thirrjet për Kupën e Afrikës), kuqezinjtë gjetën shpirtin dhe lojën e kohëve më të mira për të mposhtur Romën. Në San Siro përfundoi 3-1 me golat e Giroud (penallti), Messias, Abraham dhe Leao në fund të një ndeshjeje plot raste shënimi (Djalli duhet t’i bëjë një monument Maignan, vendimtar në të paktën tre rrethana; verdhekuqtë duhet t’i thonë faleminderit fatit të mirë, në formën e një traverse dhe një kryqëzimi të shtyllave), përfshirë edhe një penallti të shpëtuar nga Rui Patricio ndaj Ibrës në kohën shtesë.

Pesëmbëdhjetë minuta nga fundi, Karsdorp u ndëshkua me karton të kuq, në shtesë u përjashtua edhe Mancini (në rastin e penalltisë). Me këtë fitore, Milani ngushton në -1 diferencën nga vendi i parë, edhe pse dukshëm renditja kondicionohet nga ndeshja më pak e Interit. Roma dorëzohet edhe një herë përballë një ekipi të madh dhe shikon me shqetësim vendin e katërt, gjë që bëhet edhe më e ndërlikuar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *