• |
ide | kryesore

Nga qelitë e Hagës në Kosovë, Kadri Veseli lejohet të marrë pjesë në varrimin e nënës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Kadri Veseli, ish-kryetar i Parlamentit të Kosovës dhe ish-themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka ardhur në Kosovë, me leje speciale nga Gjykata në Hagë, për varrimin e nënës së tij, e cila vdiq të premten e javës së kaluar, në moshën 93 vjeçare.

Veselit i mundësohet ardhja në Kosovë, sipas rregullores së Dhomave të Specializuara, e cila lejon lirimin e përkohshëm, nëse ekzistojnë shkaqe humanitare – një ndër to, vdekje e një familjari.

Zëdhënësja për media e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, pati treguar për Albanian Post se gjasta janë që Veseli të lirohet për varrimin e nënës së tij, Ajshe Veseli.

”Kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon personat e ndaluar të bëjnë kërkesa tek Paneli kompetent kur ka arsye bindëse humanitare”, deklaroi Griep për Albanian Post.

Të premten e shtatë janarit, në moshën 93-vjeçare, vdiq nëna e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Ajshe Veseli.

Kjo ishte bërë e ditur nga familjarët e Veselit përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Të dashur familjarë e miq, me pikëllim të thellë, ju njoftojmë se sot, në moshën 93 vjeçare, ndërroi jetë nëna, gjyshja jonë Ajshe Veseli”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, tutje bëhen të ditura edhe informacione të tjera lidhur me varrimin.

“Varrimi bëhet sot, në orën 14:30, në Broboniq të Mitrovicës. Falënderojmë të gjithë qytetarët për ngushëllimet dhe ndarjen e dhimbjes me ne!”.

Ndryshe, më 5 nëntor, janë bërë një vit që kur ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ish Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli u nisën për në Hagë, si të dyshuar për krime lufte.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./ AP



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *