• |
ide | kryesore

Protesta e Berishës te selia e PD, Prokuroria e Tiranës bën bilancin: 34 të arrestuar

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



34 persona janë arrestuar në protestën e dhunshme të zhvilluar të shtunën në selinë blu me iniciativë të ish-kryeministrit Sali Berisha. Në bilancin e prokurorisë nënvizohet se të arrestuarit akuzohen për vepra penale të ndryshme si “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen hetime për çështjen penale me Nr. 182 të vitit 2022, për ngjarjen e datës 08.01.2022, të ndodhur në selinë e Partisë Demokratike. Nga veprimet e para hetimore të kryera rezultojnë të jenë arrestuar 34 persona, të dyshuar për vepra penale të ndryshme si “Shkatërrim prone” sipas nenit 150 të Kodit Penal, “Prishja e qetësisë publike” sipas nenit 274 i Kodit Penal, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” sipas nenit 282 te Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” sipas nenit 278 i Kodit Penal dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” sipas nenit 279 i Kodit Penal. Po kryhen veprimet e duhura në drejtim të individualizimit të veprimeve të kryera nga secili prej personave të arrestuar dhe personave të tjerë të përfshirë në veprime në kundërshtim me ligjin.

Nga hetimet e deritanishme rezulton të jenë ngritur si pista hetimi: – dhuna e ushtruar nga protestuesit në drejtim të selisë së PD-së dhe pasojat e ardhura si shkatërrim prone, – përdorimi i lëndëve të panjohura në drejtim të protestuesve para ndërhyrjes së policisë dhe dhuna e ushtruar në drejtim të tyre, – mbajtja e sendeve të ndryshme të paligjshme dhe individualizimi i autorëve, – si dhe çdo e dhënë tjetër e pretenduar deri në këtë fazë”, thuhet në njoftim.

Hetuesit kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth selisë blu që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes., për të verifikuar personat që kanë hyrë e dalë nga PD, para dhe pas protestës, pasi ka dyshime se persona të armatosur kanë qenë prezent dhe janë larguar para ndërhyrjes së forcave të policisë. Prokuroria ka kërkuar ekspertim edhe për pluhurin e bardhë të hedhur nga brenda godinës drejt protestuesve.

“Hetimet vijojnë në mënyrë intensive në drejtim të marrjes së të dhënave me vlerë hetimore. Po kryhen të gjitha veprimet si: – sekuestrimet e pamjeve filmike në të gjitha ambientet me vlerë hetimore, – marrja në pyetje e të gjithë personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, – si dhe çdo lloj veprimi tjetër që do dalë i nevojshëm nga dinamika në vijim. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është e angazhuar maksimalisht për kryerjen e hetimeve me objektivitet si në çdo rast, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të çdo personi që ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin”, thuhet në njoftim.

Në prokurori për të pyetur si dëshmitarë në lidhje me protestën pritet të thirren edhe Lulzim Basha e Sali Berisha. Një ditë para saj policia e shtetit ka kallëzuar mundësinë e incidenteve nga persona të armatosur ndërkohë që pas akteve të dhunës, janë pyetur disa prej deputetëve demokratë.

Ndërkohë disa persona po procedohen në gjendje të lirë. Mes të proceduarve janë edhe sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi dhe deputeti Flamur Noka. Ndaj Bardhit janë ngritur akuzat e “Shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse dhe radioaktive” dhe “Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme”. Ndërsa deputeti Noka që është edhe anëtër i komisionit të rithemelimit të partisë demotratike do të hetohet për “Organizim dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Gjithashtu po punohet edhe për identifikimin e personave të tjerë që të përfshirë në protestën e dhunshme në selinë e partisë demokratike.



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *