• |
ide | kryesore

Cilët ishin 8 spiunët rusë të inflitruar në selinë e NATO-s në Bruksel

-Instant, Arkiva, F1, Lajme, Planet, Të fundit



Një nënkolonel me lidhje të nivelit të lartë në Kremlin, një zbulues spiunësh dhe një specialist i të dhënave kibernetike… identitetet e 8 rusëve të dëbuar së fundmi nga selia e NATO-s në Bruksel zbulojnë pse Moska reagoi kaq ashpër dhe çfarë po bënin aty operativët e saj.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg që njoftoi dëbimin e tyre tetorin e kaluar tha se 8 personat për të cilët Rusia i prezantonte si se ishin “diplomatë” në ambasadën e saj në selinë e NATO-s në Bruksel, në fakt ishin oficerë të padeklaruar të inteligjencës që kryenin aktivitete që nuk ishin në përputhje me akreditimin e tyre.

NATO kurrë nuk i zbuloi publikisht emrat e tyre, që do të thotë se ata mund të shkonin në heshtje në shtëpi apo të dërgoheshin në vende të tjera, jashtë NATO-s, nën mbulimin diplomatik.
Më pas Rusia mbylli të gjithë ambasadën e saj në NATO. Reagimi i saj u pa si një përpjekje për të nënçmuar aleancën perëndimore, ndërsa Rusia dhe NATO po mbajnë bisedime mbi kërcënimin e Moskës për një luftë të re kundër Ukrainës.

Por lidhjet e nivelit të lartë të disa prej atyre që dëboi Stoltenberg treguan se zemërimi i Kremlinit mund të kishte pasur edhe një dimension personal. Ata treguan rëndësinë e shtabit të NATO-s si një objektiv në sytë e Rusisë. Dhe CV-të e tyre hedhin dritë mbi llojin e njerëzve që shërbimet ruse të spiunazhit po dërgojnë në Belgjikë, ku synohen gjithashtu institucionet e BE-së dhe ato belge.

8 “diplomatët spiunë” rusë ishin Sergei Chesnokov, Oleg Demekhin, Vasily Epishkin, Dmitry Filippenok, Igor Kovalev, Nadezhda Obukhova, Alexander Smushko dhe Stanislav Telegin. Kjo sipas informacionit të marrë në një hetim të përbashkët nga Dossier Center, një OJQ me qendër në Londër dhe EUobserver.

Alexander Smushko ishte ai me lidhje në “nivelet e larta”. Me origjinë estoneze, ai u diplomua në fakultetin e gjuhëve të huaja dhe informacionit të huaj ushtarak në Universitetin Ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes (VUMO) në Moskë, duke u bërë nënkolonel dhe zv.shef i departamentit të VUMO.

Në një moment, ai u bashkua gjithashtu me shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë GRU. Përpara se të vinte në Bruksel, ai punoi si përkthyes personal për ministrin rus të mbrojtjes Sergei Shoigu, shefin e forcave të armatosura ruse Valery Gerasimov dhe ish-ministrin rus të mbrojtjes Anatoly Serdyukov, në bisedime me VIP-a të huaj në mbarë botën. Vetë Smushko foli për marrëdhënien e tij me Shoigun në një intervistë një stacion televiziv rus, në 2015.

“Në këtë lloj pune, mirëkuptimi i ndërsjellë është gjëja më e rëndësishme. Është më e lehtë të punosh me Sergei Kuzhugetovich [Shoigu]. Unë ulem gjithmonë në të majtë të tij. Shpesh duhet të përkthesh thënie dhe fjalë të urta të ndryshme. Unë jam gjithmonë gati për këtë, megjithëse, sigurisht, jo të gjitha thëniet ruse janë të lehta përkthyer në anglisht”, – shtoi Smushko.

Gruaja e Smushkos, Nina u largua gjithashtu nga Belgjika. Ajo nuk punonte zyrtarisht si diplomate në Bruksel dhe nuk u dëbua zyrtarisht, por profili i saj u bë shkak për shqetësim.

Nina Smushko, po ashtu, ishte diplomuar në VUMO, kishte marrë gradën kapitene në ushtari dhe kishte punuar gjithashtu si përkthyese në vizitat e oficerëve ushtarakë në VUMO nga Indonezia, Malajzia dhe Venezuela, në të cilat Rusia eksporton armë.

“Në Rusi, ndryshe nga shërbimet perëndimore, spiunazhi ka tendencë të kryhet brenda familjes,” – tha një oficer i kundërzbulimit të një vendi të NATO-s.

Dmitry Filippenok mund të ishte dërguar në Bruksel për të spiunuar rusët që jetojnë atje. Të paktën këtë tregoi prejardhja e tij. Rusia ka rreth 200 diplomatë dhe zyrtarë konsullorë në misione të ndryshme në Bruksel dhe në qytetin e dytë më të madh të Belgjikës, Antëerp.

Filippenok ishte zyrtarisht një sekretar i parë i ulët në ambasadën ruse të NATO-s, sipas profilit të tij në Linkedin. Por, në realitet, ai kishte të ngjarë të ishte dërguar në Belgjikë për të kërkuar tradhtarë në radhët e vetë Rusisë.

Dikur jetonte në Shën Petersburg të Rusisë dhe sipas të dhënave telefonike ruse të ekzaminuara nga Dossier Center ai ishte një anëtar i njësisë 55297 të shërbimit të brendshëm të spiunazhit të Rusisë, FSB. Kjo njësi është Drejtoria Ushtarake e Kundërzbulimit të FSB-së për Qarkun Ushtarak Perëndimor.

Filippenok dikur përzihej edhe në ngjarjet që ndodhnin në Bruksel. Në shtator 2018 ai mori pjesë në një konferencë mbi misionet paqendërtuese të BE-së të organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane. Në prill 2019, ai u regjistrua për të marrë pjesë në një konferencë mbi zgjedhjet e BE-së në Parlamentin Evropian të organizuar nga Defend Democracy, një OJQ. Por nëse ai ishte në kërkim të tradhtarëve rusë, atëherë disa nga shokët e tij spiunë duket se po kërkonin lloje të tjera sekretesh.

Vasily Epishkin, të cilin NATO e dëboi gjithashtu, dukej se ishte i interesuar për atë që Perëndimi po bënte në Big Data. Ai u diplomua si toger rezervë në departamentin 609 të Institutit të Aviacionit të Moskës (MAI), i cili mëson “Informatikë të Aplikuar” – softuere sistemesh, sisteme komunikimi kompjuterik, matematikë të aplikuar, inteligjencë artificiale dhe përpunim të të dhënave të mëdha.

Në një moment, ai iu bashkua shërbimit të inteligjencës së jashtme të Rusisë SVR. Ai gjithashtu përfshihej në ngjarje në Bruksel, për shembull në një seminar të ashtuquajtur ‘Big Data Europe’ në 2017, së bashku me ekspertë në këtë fushë nga BE, SHBA, India dhe Japonia.

Sergei Chesnokov, një tjetër nga 8 spiunët rusë, kishte një sfond të ngjashëm. Para mbërritjes së tij në Bruksel, ai punonte për Antaris-TP, një firmë ruse e lidhur me qeverinë, e cila kryente kërkime shkencore dhe krijoi baza të dhënash për ministrinë ruse të mbrojtjes dhe FSB.

VUMO dhe MAI, ku studionin Smushkin dhe Epishkin, janë qendra të njohura rekrutimi për inteligjencën ruse. I tillë është edhe Instituti Shtetëror i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë (MGIMO), ku Telegin dhe Oleg Demekhin, të cilët NATO-ja po ashtu i largoi.

“Si rregull, rekrutuesit fillojnë të shikojnë nga afër studentët që nga viti i parë, dhe pranë mbrojtjes së diplomave të tyre. Kandidatët ftohen në një bisedë konfidenciale dhe u bëhen oferta joshëse për të punuar për të mirën e atdheut,” – tha një burim rus.

Stanislav Telegin punonte për departamentin financiar të ministrisë së jashtme ruse në misione jashtë shtetit, por zyrtarisht u pagua me pikatore për punën e tij. Kjo deklaratave të tij tatimore të vitit 1999.
Telegin dhe Demekin kishin apartamente në komplekset e ndërtuara nga qeveria në autostradën prestigjioze Rublevskoye të Moskës dhe Michurinsky Prospect. Disa nga fqinjët e tyre ishin gjithashtu oficerë të inteligjencës ose oficerë ushtarakë, zyrtarë qeveritarë dhe punonjës të bankave shtetërore ruse, të cilët u dërguan në ambasada të huaja ose në punë bankash jashtë shtetit. Por nëse diplomimi nga VUMO, MAI ose MGIMO dhe të kesh një apartament në Rublevskoye ose Michurinsky ishin pjesë e profilit tipik të një spiuni rus, të tjerët ishin më pak të lehtë për t’u zgjedhur.

Igor Kovalev, për shembull, të cilin NATO e dëboi gjithashtu, ishte një moskovit që punonte për sindikatat e punëtorëve të transportit rrugor përpara se të angazhohej në depon e makinave të ministrisë së jashtme ruse.

Nadezhda Obukhova, e cila kishte qenë një “këshilltare” në ambasadën ruse të NATO-s përpara dëbimit, kishte lindur në një fshat të klasës punëtore pranë Noginskut, në Rusinë qendrore. Ajo filloi të postonte katalogë reklamash për një firmë qiprio-gjermane të quajtur Bler në shtëpi në vitin 2002.

Ajo iu bashkua ministrisë së jashtme ruse dhe më vonë u bë atashe në ambasadën ruse në Otava. Para se të shkonte në Bruksel, ajo mori një çmim nga presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2006 për shërbimet në përgatitjen dhe mbajtjen e takimit të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të G8 në Shën Petersburg.

Procesi i zbulimit të spiunëve filloi në vitin 2009, kur NATO dëboi Vasily Chizhov, djalin e ambasadorit të atëhershëm dhe aktual të Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, si dhe një diplomatin tjetër rus, Viktor Kochukov të akuzuar për spiunazh.

Kjo vazhdoi në vitin 2015, me një numër të pazbuluar dëbimesh që vlerësohet të jetë 30 ose më shumë si reagim ndaj pushtimit të parë të Ukrainës nga Rusia. NATO dëboi 7 rusë të tjerë në vitin 2018 pasi Rusia tentoi të vriste një nga ish-spiunët e saj, Sergei Skripal duke përdorur një lëndë kimike në Mbretërinë e Bashkuar.

Me gjithë këto, Rusia ende thuhet se ka mjaft operativë në Belgjikë. Të paktën gjysma (rreth 100) e diplomatëve të akredituar të Rusisë ishin oficerë të inteligjencës, ndërsa rreth 100 spiunë të tjerë rusë punonin nën mbulesë jodiplomatike në biznese, grupe kërkimore dhe OJQ në Belgjikë. Kjo sipas vlerësimeve të burimeve të inteligjencës perëndimore.

Spiunët rusë bashkëpunonin me biznesmenë, por edhe kriminelë rusë në Belgjikë, si dhe me ata shtetas të BE-së që Rusia rekrutoi për të tradhtuar vendet e tyre.
Shumica e 8 rusëve që NATO dëboi në vitin 2021, dhe ata të mbetur ende në Belgjikë, ishin ose nga GRU ose SVR.

GRU është kryesisht e interesuar për inteligjencën ushtarake dhe ushtarako-teknologjike, ndërsa SVR tenton të gjejë sekrete politike. GRU konsiderohet më e rrezikshme sepse operativët e saj janë të trajnuar si ushtarë dhe kanë kryer atentate dhe sulme kibernetike në Evropë. Por SVR është më elitare, oficerët e saj janë më të arsimuar dhe u nënshtrohen trajnimeve më të gjata në spiunazh.

Dëbimet e NATO-s në vitin 2021 u bazuan në informacionin e ndarë nga shërbimet e kundërzbulimit të shteteve perëndimore në Divizionin e Përbashkët të Inteligjencës dhe Sigurisë së NATO-s (JIS).
NATO krijoi JIS në vitin 2017 në selinë e saj në Bruksel, si reagim ndaj sjelljes gjithnjë e më armiqësore ruse dhe kineze. Shërbimi i brendshëm i inteligjencës i Belgjikës, VSSE, ka përgjegjësinë kryesore për kërkimin e spiunëve të huaj në territorin belg, sipas marrëveshjeve me NATO-n dhe institucionet e BE-së.

VSSE ka më pak se 20 oficerë të kundërzbulimit të specializuar në Rusi. Belgjika dhe institucionet e BE-së kanë një histori më të butë se NATO-ja në agresionin rus. Për shembull, Belgjika dëboi vetëm 1 spiun të dyshuar rus si reagim ndaj sulmit të Skripalit.

Por edhe me një vështrim të shkurtër në ambasadat dhe konsullatat e Rusisë në Belgjikë është e lehtë të identifikosh disa “diplomatë” të tjerë rusë që dërgojnë raporte në shërbimet e inteligjencës në Moskë.

“Institucionet e BE-së nuk kanë deklaruar kurrë ndonjë diplomat rus si “persona non grata”, – tha shërbimi i jashtëm i BE-së.

NATO, ministria e jashtme ruse dhe VSSE nuk pranuan të komentojnë. Por një diplomat i BE-së, duke folur në mënyrë anonime, shpjegoi pse spiunazhi rus në NATO dhe në qytetin e BE-së përbënte një kërcënim.

“Midis personelit diplomatik të vendeve perëndimore në qendrat e diplomacisë ndërkombëtare, mund të ketë edhe disa përfaqësues të shërbimeve të inteligjencës. Por në misionet ruse në NATO dhe BE, numri i spiunëve që kryejnë operacione agresive të inteligjencës është jashtëzakonisht i lartë.

Duhet të keni parasysh se në doktrinën ushtarake të Rusisë dhe strategjinë e sigurisë kombëtare, Rusia e përcakton NATO-n si armikun e saj kryesor. SVR dhe GRU kryejnë vrasje politike, rekrutojnë informatorë dhe agjentë dhe janë, sipas definicionit, 100% armiqësore ndaj NATO-s dhe BE-së,” – tha ai. ©Marrë nga EuObserver përshtati në shqip LAPSI.al



3 Comments

  1. paramendo ambasaden e yuri kim il unit ne tiran,mbush me sovjetik te spiro kolekes,beqir ballukut,kristaq rames etj.ve bast se te terit jan bij ish komunistesh.kurse edvini hapur perkrah vuqiqin si yuri kimi.per kokain pablo eskobari ta falkrejt ameriken,se i vrau velllan eskobar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *