• |
ide | kryesore

Analiza e Lubonjës: Dëmi i vendit pa opozitë dhe rreziku nga Edi Rama

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Publicisti dhe shkrimtari Fatos Lubonja e shikon dobësimin e opozitës në vend si një dëm për vendin, por edhe maxhorancën. Lubonja deklaroi në News24 se ndërkohë që merremi me sherrin e brendshëm në PD, kemi harruar të gjitha problemet e mëdha që ka qeverisja.

“Nuk e shikoj opozitën thjesht nga kaq afër sa ç’kërkoni ju ta shikoni, në kuptimin që çfarë po ndodh tek opozita, është më e fortë se “e mori apo kush s’e mori selinë. Unë e shikoj opozitën si mundësi që duhet të ketë vendi për të pasur opozitë për t’u marrë me problemet e mëdha që ka vendi si opozitë.

Dhe në këtë aspekt unë shikoj që ne vazhdojmë të merremi me sherrin e brendshëm Basha – Berisha, ndërkohë që kemi harruar fare gjithë problemet e mëdha që ka qeverisja e Shqipërisë. Pra, jemi pa opozitë.

Në këtë kuptim kemi të bëjmë me dy grupime që asgjësojnë njeri-tjetrin duke shpenzuar energjitë në luftë për njeri – tjetrin dhe për shqiptarët asgjësojnë ekzistencën e një opozite dhe kjo përveçse i vjen për shtat qeverisë dhe Edi Ramës, të tjerët kanë dëm. Paaftësia e tyre për ta parë këtë është mjaftueshëm për të thënë që kemi një opozitë gjithnjë e më të dobët.

Kjo gjë, mund të jetë pozitive në terma afatshkurtra sepse i rritet pushteti dhe kush ka synim që të ketë pushtetin sa më të madh, sa më të fuqishëm mund të jetë i kënaqur, por përtej maxhorancës i bën dëm Shqipërisë sepse në një vend ku ka pushtet absolut, ka korrupsion absolut.

Çdo pushtet korrupton dhe jo më një pushtet absolut siç kërkon të vendosë Edi Rama. Në këtë aspekt, në terma afatgjata, ky është një dëm i madh për gjithë Shqipërinë dhe për vetë maxhorancën dhe ata që e mbështesin maxhorancën”, – tha Lubonja.

Sipas tij, mungesa e çdo hapësire lirie shpesh e mbyt individin dhe e rrënon një shtet.

“Këtu nuk aplikojmë dot vetëm ligjet e fizikës (për vakuumin), por ato që na tregon historia, shembujt janë kundërthënës në këtë drejtim. Atje ku ka pushtet absolut siç ka qenë stalinizmi apo enverizmi, atje ka pasur eliminim kundërshtarësh dhe gjithnjë e më shumë kultin e një individi deri sa është krijuar…në rastin e Shqipërisë dihet se çfarë ndodhi, u shkatërrua shteti.

Pra, mungesa e çdo hapësire lirie shpesh e mbyt individin dhe e rrënon një shtet, ashtu sikurse atje ku ka më shumë hapësirë, më shumë mundësi disidence, siç ka ndodhur në Bashkimin Sovjetik pas goditjes së Stalinit, mund të krijohen hapësira që të vijë një Gorbaçov fjala vjen.

Gjërat janë të ndryshme sipas përvojave që kanë. Në rastin tonë çfarë po ndodh? Sigurisht nuk jemi në një regjim totalitar, por tendenca që shikoj unë që nga ardhja e Ramës në 2013-ën e këtej është një tendencë në rritje për të mbytur dhe eliminuar kundërshtarët jashtë partisë por dhe brenda partisë.

Sa vjet ka që nuk ka bërë as zgjedhje brenda partisë së tij. Aty është i rrethuar thjesht me jesmenë. Pra, në këto situata më shumë se një zhvillim i brendshëm në parti që mund të krijojë hapësira lirie, mund të vijë kolapsi nesër, kriza ku bashkë me udhëheqësin shkatërrohen dhe nuk ngelet asgjë nga ajo parti.

Krijohet një vakuum që mund të mbushet nga një lëvizje tjetër jashtë asaj partie. Ajo që gjykoj që është problematike me Ramën, që është dhe në përvojën e tij të qeverisjes që kemi parë është se ai ka prirjen e theksuar të personalizojë institucionin. Ashtu ka bërë në Ministrinë e Kulturës, pra ‘unë jam institucioni’, ashtu ka bërë dhe në bashki, ashtu po bën dhe në Kryeministri.

Pasoja është që kur ikën personi me të cilin identifikohet institucioni, nuk ngelet më institucion. Politikan i mirë, i zoti është ai që kur ikën, lë një institucion dhe pasi ai ikën, institucioni vazhdon të funksionojë. Në këtë aspekt ajo që thatë ju si shpresë se mund të lindin forca të reja më duket e zbehtë, por padyshim që vakuumi do mbushet. Ka të bëjë shumë me atë që lë mbrapa. Tek ne kur komunizmi ka rënë, mbrapa ngeli një shkretëtirë që u mbush dhe nuk u mbush nga PD-ja”, – tha Lubonja.

Lidhur me fatin e opozitës dhe situatën në PD, ai tha se shpjegohet me dy faktorë.

“Njëri, paaftësia e opozitës, në rastin konkret paaftësia e Lulzim Bashës për ta bërë këtë. Ka pasur raste, kur flitej për një Republikë të re ka pasur sugjerime që të krijohet një bashkësi ku të mos jetë pretendimi ky kryeministër dhe s’ka tjetër, një bashkësi opozitare shumë më e gjerë.

Ai këtë dimension ka treguar që nuk e ka sepse ai përtej vetvetes thotë le të bëhet qameti, në qoftë se nuk jam unë kryetar. Këtë dimension kanë, kjo është kulturë shqiptare. Asnjëherë kur ka ardhur momenti kur është për të zgjedhur mes interesit personal dhe interesit publik, nuk kanë zgjedhur interesin publik.

Kanë shitur edhe vendin për interesa personale, jo thjesht gjëra të vogla. Ky është njëri element. Elementi tjetër pse nuk bëhet ky bashkim është dhe strategjia e kundërshtarit, Edi Ramës, në këtë rast që ka punuar në mënyrë të vazhdueshme për ta eliminuar këtë mundësi, siç ishte rasti i Kodit zgjedhor”, – tha Lubonja që shtoi se krahasimi me Italinë është i vlefshëm për të kuptuar se çfarë na mungon ne.

“Gjëja kryesore që na mungon ne është ekzistenca e hapësirave të lirisë. Liria jo thjesht në kuptimin abstrakt, por dhe në kuptimin ekonomik të fjalës. Mundësia që ka pasur Itali dhe ka Italia për të nxjerrë individë të pavarur dhe lëvizje është shumë herë më e madhe.

Në Shqipëri tendenca për kontroll është duke u rritur. Tani gjithnjë e më shumë ekzistenca e njeriut varet nga një parti shtet. Tjetra është vetë-thërrmimi i individit. Këtu nuk kanë lindur dot… kanë dalë disa grupime të majta por janë krejtësisht pa domethënie që as e kanë zhvilluar idenë e përkatësisë klasore.

Më së shumit pjesa më e madhe kanë zgjedhur një tjetër parti, partinë e emigrimit. Unë kam mbështetur më herët lëvizje alternative ndaj partive të mëdha, siç ka qenë Bojaxhiu, apo Ben Blushi.

Realiteti tragjik shqiptar ka treguar që Tom Doshi një person i vetëm, oligark krijoi një parti dhe mori 3 deputetë, ndërkohë që këto lëvizje nuk morën asnjë deputet. Kjo kërkon një analizë. Unë mendoj që është një sistem agresiv që iu ngushton mundësitë këtyre forcave për të dalë dhe ky agresivitet që del nga sistemi është një faktor.

Hitleri e mori pushtetin me votë, por ndërtoi një strategji që të ngushtonte gjithmonë e më tepër. Nuk jemi në atë fazë totalitare, por jemi në atë fazë të grumbullimit të strategjive për të kontrolluar fatet e individëve.

Kjo maxhorancë po bën diçka dhe pse në terma afatshkurtëra dhe me pasojë dramatike. Mbijetesën e shqiptarëve po e garanton nëpërmjet rishpërndarjes së parave të krimit të organizuar.

Ka marrë përsipër të ndërtojë këtë narkoshtet që në terma afatgjata është dramatik sepse shqiptarët sundohen nga krimi, njerëzit e ndershëm ikin por për ta ka rëndësi interesi i tyre dhe jo interesi i publikut. Një ekonomi të shëndoshë nuk e shikoj”, – deklaroi Lubonja. /BW



5 Comments

  1. Ah more Gaz, me siguri nuk ke kuptuar asnje fjali nga ato qe shkruan Lubonja.
    Megjithate sufllaqen emfitove sot. Tani futja gjumit dhe shih endrra me kulla dhe koncesione.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *