• |
ide | kryesore

Makthi i Wilshere, mes dëmtimeve e sëmundjes së të birit: “E pashë të shtrirë në dysheme, mendova të tërhiqem”

-Instant, Sport



Karriera e Jack Wilshere është një nga ato që të lënë të shtangur. Anglezi, tashmë pa kontratë dhe në kërkim të një klubi të ri, ka kaluar gati dhjetë vjet në ekipin e parë te Arsenal, duke fituar dy FA Cup, ndër të tjera. Por për atë që mund të ketë qenë potenciali i tij, ndjesia është se mesfushori nuk arriti kurrë nivelet që mund të aspironte. Faji i një predispozite të caktuar për tu dëmtuar, të cilat shpesh e detyruan të ndalonte dhe kufizuan rritjen e tij. Në vitin 2015 erdhi fraktura e fibulës, e cila e mbajti larg fushave të lojës për gati një vit. Dhe gjatë asaj kohe, Wilshere mendoi shumë për tu tërhequr.

Por siç ka bërë të ditur Athlete’s Stance, nuk ishte dëmtimi që e hodhi në dëshpërim, por gjendja e djalit të tij Archie. “Ishte një kohë vërtet e keqe për tu përballuar, sepse po përpiqesha të kthehesha në nivelin tim dhe papritmas e shoh fëmijën tim katërvjeçar në dysheme me konvulsione”. Një skenë e tmerrshme, me një ndikim shkatërrues. “E harrova futbollin. Mbaj mend që i thashë gruas sime ‘nuk e di nëse mund të vazhdoj kështu’. Hyja dhe dilja në spitale, nuk flija për shkak të djalit tim, sepse krizat e tij pothuajse gjithmonë ndodhnin natën. E për të qenë i sinqertë nuk më interesonte rehabilitimi sepse mendimi im kryesor ishte ai. U shkëputa pak nga bota e jashtme”. Por për fat ishte dikush që e dinte dhe e ndihmoi: “Nuk do të ndalem kurrë së falenderuari Wenger, ai më tha ‘mendo për djalin tënd dhe merr kohën tënde’. Një gjest i bukur”.

Një periudhë që Wilshere e kujton si një makth të vërtetë. Dhe kjo duhet të shërbejë si një paralajmërim për ata që mendojnë se jeta e futbollistit është e gjitha zbavitëse. “Këto janë gjëra që të bëjnë të ndryshosh mënyrën se si e shikon jetën, sepse gjithçka mund të ndodhë. Dhe po, unë jam futbollist dhe është bukur, por familja është gjithmonë në vend të parë”. Në fund, sidoqoftë, Archie i vogël është më mirë e, edhe për shkak të tij mesfushori ka nisur sërish stërvitjen me një frymë tjetër, duke u larguar edhe nga Arsenal për të gjetur më shumë hapësirë, pavarësisht se dëmtimet nuk e lënë të qetë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *