• |
ide | kryesore

Spiunazhi i Dinamos dhe polemikat e Longos: “Kishte më shumë se aq, por po e mbyll me kaq”

-Instant, Sport



“Mungesat? Nuk dua të gjej alibi. Dinamo fitoi, mbaroi. Nuk vij këtu të them se kishim mungesa, nuk kishim lojtarët e merkatos. Por luajtëm 11 kundër 11, ky është futbolli”. Diego Longo nuk e fsheh zhgënjimin për humbjen e rasteve të pastra nga Kukësi i tij, që në fund humbi edhe vetë ndeshjen, të fituar 0-1 nga Dinamo me një gol të Imamit. Tekniku italian nuk ka hezituar ti kthehet cështjes së spiunazhit me drejtuesit e Dinamos që studionin stërvitjen e Kukësit: “Unë publikova vetëm një foto, por kishte më shumë. Nuk dua të hyj në polemika. Unë them ta mbyllim këtë kapitull. Nuk ishte strategji, ishin aty, kemi foto dhe është e qartë. Por ta mbyllim, fituan. Edhe Partizani stërvitet me ne aty, por nuk ka ndodhur asnjëherë më parë”, tha Longo pas ndeshjes.

Goli i pësuar nga Tafas nuk e bën që tekniku ta shohë si një gabim individual me italianin që nuk i del inati me rastet e shpenzuara nga të tijtë: “Por nuk është vetëm portieri, janë të gjithë. Nuk mund ta pësosh një gol të tillë. Por e përsëris që duhet të mbyllësh ndeshjen. Kur ke raste ashtu, duhet ta mbyllësh ndeshjen, se një skuadër që ka ambicie duhet të mbyllë ndeshjen. Nuk jemi në shtator tani, tani peshon çdo gabim”.

Një kritikë edhe për drejtuesit e klubit, edhe pse italiani e bën me elegancën e zakonshme: “Jam i lumtur me lojtarët e rinj, falënderoj presidentin, por nuk jemi në kohë, Nëse do të fitosh duhet të jesh në kohë. I kërkova lojtarët me 6, jemi me 19 dhe jemi ende duke pritur që të vijnë. Janë të mirë por duan kohë të ambientohen, nuk janë ende me skuadrën. Këto nuk janë detaje të vogla, janë të mëdha. Jam shumë i lumtur për Mustën se është lojtar fantastik, por do të isha shumë i lumtur nëse do ta kisha në dispozicion – tha Longo duke shtuar -. Dragoshi ishte me infeksion 10 ditë, ishte shumë keq fizikisht, i kërkova të luante dhe na ndihmoi, por nuk ishte gati dhe e falënderoj që na ndihmoi. Basha ishte jashtë, Milunoviç e humba pas pak minutash. Daci vjen pas dëmtimit, nuk është gati të luajë. Formacionin nuk e vendosa unë, e vendosi periudha që po kalojmë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *