• |
ide | kryesore

“Nuk donte të rinovojë, tani të ikë”: Barcelona i tregon ‘derën’ Dembelé

-Instant, Sport



Nuk mund të përfundonte më keq. Xavi nuk e ka thirrur Ousmane Dembélé për ndeshjen në Copa del Rey në Bilbao dhe klubi, me gojën e drejtorit sportiv Mateu Alemany, e ka ftuar francezin që të kërkojë një ekip në 11 ditët e mbetura në merkato.

Dembélé i kushtoi Barcelonës mbi 140 milionë euro, të paguar me nxitim te Borussia Dortmund në vitin 2017, kur klubi gjerman një vit më parë për francezin kishte paguar vetëm 15 milionë te Rennes. Një marrëveshje kolosale për klubin gjerman. Një dështim monstruoz për atë katalanas. Dembélé përflitej vetëm për arsyet e gabuara, mes shpërqendrimit dhe mungesës së disiplinës, zakoneve të këqija dhe, për më tepër dëmtimeve: në mënyrë të përsëritur dhe shpesh të rëndë.

Kur kthehej gjithmonë jepte idenë e një shpërthimi të mundshëm të talentit që nuk i mungon, e ndërkohë fitoi edhe Kupën e Botës me Francën. Por ai është dukur gjithmonë një talent anarkist, pak i prirur për disiplinën taktike të kërkuar nga Barça. Tani në Barcelonë janë të lodhur nga mungesa e interesit të Dembélé për një klub që varet shumë prej tij, si brenda dhe jashtë fushës, dhe kanë vendosur t’i tregojnë daljen.

Më 3 dhjetor, Joan Laporta duke folur në TV tha se ishte i sigurt për rinovimin e Dembélé: “Jam i sigurt, lojtari dëshiron të qëndrojë këtu, sepse ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer, ai është një super lojtar për ne dhe ne duam ai të qëndrojë. Unë jam entuziast për të, për mua ai është më i mirë se Mbappé”. Dicka më shumë se një muaj më pas, erdhi bomba. Dje Xavi tha se koha kishte mbaruar për Ousmane: “Është një situatë shumë delikate. Kemi 5 muaj që e presim, ose të rinovojë ose të ikë”.

Sot në mëngjes sulmuesi nuk u përfshi në listën e skuadrës për udhëtimin në vendin Bask dhe më pas Mateu Alemany u paraqit para kamerave: “Dembélé duhet të largohet nga klubi sa më shpejt të jetë e mundur. Që nga korriku i kemi bërë disa oferta dhe ai i ka refuzuar të gjitha. Ai nuk beson në projekt dhe për këtë arsye nuk është thirrur. Dhe tani ai duhet të ikë”.

Vetëm se nuk është një gjë e lehtë, sepse ai ka një rrogë shumë të lartë, dhe dëshiron të ruajë statusin e tij të privilegjuar. Mbetet për tu parë nëse në 10 ditët e ardhshme do të vijë një ofertë që lojtari do ta konsiderojë të vlefshme. Ndryshe e presin 6 muaj inaktivitet dhe një liri e shtrenjtë për të gjithë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *