Interi i Simone Inzaghit është i pashtershëm (goli i Sanchez në minutën e 121′ me Juven, i Ranocchias në të 92′ me Empolin, i Dzekos në të ’90 me Venecian) dhe duke pritur për Milan-Juventus sonte, merr arratinë në krye të renditjes në vigjilje të një pauze që vjen si dhuratë nga perëndia për zikaltrit, të cilët pas rifillimit pritet të kenë një “tur force” të vërtetë, siç e ka përcaktuar vetë Inzaghi, i cili pas ndeshjes në San Siro me Venecian, praktikisht ka ‘shpallur’ edhe një goditje në merkato në sulm.
“Një përforcim duke pasur parasysh dëmtimin e Correas? Ishim dakord me klubin që do të takoheshim pas kësaj ndeshje – tha Inzaghi pas fitores me Venecian – së shpejti do të kemi një takim për të vlerësuar gjithçka, do të jenë vlerësime të kujdesshme. Kam presidentin e shoqërinë këtu, do të përpiqemi të bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Sulmuesi argjentinas duhet të qëndrojë në infermieri për rreth një muaj, prandaj në mbledhjen e merkatos që u zhvillua dje në Appiano Gentile në prani të teknikut, mbi të gjitha u fol për një ndërhyrje në sulm dhe emri që i bën të gjithë të jenë dakord, sipas asaj që bën të ditur “La Gazzetta dello Sport”, është ai i Felipe Caicedos, të cilin Inzaghi e njeh shumë mirë dhe Genoa mund ta lejojë të largohet pa shumë probleme.
Ish-laciali konsiderohet si profili ideal për t’u integruar në skuadrën e Inzaghit si për aftësinë e tij për të shënuar gola (dhe shpesh në minutat e fundit), ashtu edhe për shkak se nuk do të kishte shumë probleme të fillonte nga pankina. Një kontakt i parë me menaxherin e tij është bërë tashmë dhe Genoa do ta lejonte të ikte edhe me formulën e huazimit, kështu që duket se Inzaghi dhe Caicedo do të mund të përqafohen sërish pas golave, siç kanë bërë shumë herë në Romë.