• |
ide | kryesore

Kreditë me probleme ulen në 5.65% në fund të vitit 2021, niveli më i ulët nga nëntori 2008

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Raporti i kredive me probleme shënoi përsëri rënie në muajin dhjetor dhe e mbylli vitin 2021 në nivelin 5.65%. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, ky është niveli më i ulët të raportit të kredive me probleme qysh prej nëntorit të vitit 2008. Për vitin kalendarik 2021, raporti i kredive me probleme shënoi një rënie me afërisht dy pikë e gjysëm përqindje. Vlerësohet se në fund të vitit 2021 sektori bankar shqiptar kishte afërsisht 40 miliardë lekë ose 330 milionë euro kredi të këqija.

Në vitin e parë të pandemisë, raporti i kredive me probleme rezistoi në nivele të qëndrueshme, edhe falë masave administrative për menaxhimin e situatës, siç ishin shtyrja e pagesave apo ristrukturimi i kredive, pa përkeqësuar statusin e huamarrësit. Ndërsa gjatë vitit 2021, rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e cilësisë së portofolit të bankave.


Treguesi kredive me probleme po shënon një ulje të qëndrueshme që prej vitit 2016, kur pati arritur pikun pranë nivelet të 25%. Një ndikim përcaktues në këtë rënie fillimisht pati rregullorja e Bankës së Shqipërisë që detyronte bankat të nxirrnin jashtë bilanceve kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh. Në fillim të vitit 2020, ky afat u shkurtua më tej në dy vjet. Gjatë periudhës janar 2015 – qershor 2021, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre rreth 70 miliardë lekë kredi të humbura.

Në pjesën dërrmuese këto fshirje i takojnë viteve të para të miratimit të rregullores, ndërsa gjatë vitit të kaluar shifrat vlerësohet se kanë qenë mjaft të ulëta. Megjithatë, duke qenë se procesi i fshirjes së kreidve kryhet sidomos para mbylljes së bilancit vjetor, edhe ky faktor mund të ketë pasur një lloj ndikimi në uljen e raportit të kredive me probleme për muajin dhjetor.

Në dy vitet e fundit, ndikim pozitiv në uljen e raportit të kredive me probleme po jep sidomos zmadhimi i portofolit total të kredisë, i lidhur edhe me ecurinë pozitive të kredidhënies së re. Në fund të muajit nëntor 2021, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 658.5 miliardë lekë, në rritje vjetore me 10.5%.

Në 11 muaj, bankat disbursuan rreth 223 miliardë lekë kredi të reja, 9.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 dhe afërsisht 4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në rritjen progresive të vjetore të kredisë për vitin 2021 kontributi kryesor ka ardhur nga individët, ku kredia e re është rritur me 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja ka ardhur sidomos nga kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme, ku huadhënia vitin e kaluar arriti nivelet më të larta historike.

Rritja e kreditimit dhe ulja e raportit të kreidve me probleme po jep një efekt pozitiv edhe në rezultatet financiare të sektorit bankar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 11-mujorin 2021, fitimi neto arriti vlerën e rreth 19.15 miliardë lekëve, me rritje prej 33.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pakësimi i kredive të këqija ka një ndikim shumë të rëndësishëm në rezultatet financiare, sepse sjell më pak shpenzime në formën e provigjioneve, duke e ndikuar pozitivisht përfitueshmërinë e bankave./ Monitor

https://www.monitor.al/kredite-me-probleme-ulen-ne-5-65-ne-fund-te-vitit-2021-niveli-me-i-ulet-nga-nentori-2008/

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu