• |
ide | kryesore

Kryeministri grek: Kompania që mirëmban rrugën do paguajë 2 mijë euro çdo qytetar që mbeti i bllokuar nga dëbora

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



36 orë pasi vala e motit të keq me emrin “Elpida” ka goditur Greqinë jugore, sidomos periferinë e kryeqytetit, forcat e ushtrisë, repartet zjarrfikëse dhe ekipet e shpëtimit vazhdojnë përpjekjet për të evakuuar njerëzit e bllokuar në makinat e tyre për më shumë se 24 orë në të ashtuquajturën Atiki Odos, unaza kryesore e Athinës, në mes të borës e të ftohtit.

Më shumë se 3,500 njerëz janë evakuuar deri tani, disa duke braktisur makinat e tyre në këmbë, ndërsa rreth 1,200 mjete janë ende të bllokuara në këtë rrugë.

Christos Stylianidhis ministri i mbrojtjes civile: “Mbrëmë ka qenë një natë tepër e vështirë, jemi përballur me situata të paprecedentë dhe dua të shpreh edhe një herë apologjine e shtetit për barrën me të cilën u përballën qytetarët tanë.”

Kryeministri grek ka deklaruar se kompania private që shfrytëzon këtë rrugë do të paguajë nga 2000 euro për çdo qytetar që mbeti i bllokuar atje, ndërkohe që zemërimi i grekëve me kritika të shumta në media dhe rrjetet sociale për menaxhimin e situatës nga aparati shtetëror, ka arritur kulmin.

Elena Karakoglou, mësuese piano: “Edhe një herë ne nuk ishim të përgatitur. Kjo është e keqja e këtij vendi, ne nuk jemi kurrë të përgatitur. Meqë e dinim qe po vinte stuhia pse nuk kishim disa borëpastrues këtu në qendër të Athinës? Është kryeqyteti, duhet të ishim më të përgatitur”.

Shumë zona të kryeqytetit ende nuk kanë energji elektrike dhe ngrohje, shumica e rrugëve edhe në qendër të Athinës janë të pakalueshme, dhjetëra pemë të thyera kanë shkaktuar kaos, shumë spitale kanë pasur probleme me furnizmin duke lënë edhe pacientët pa ushqim.

Autoritetet kanë vendosur që ashtu si ditën e martë, edhe e mërkura të jetë pushim për të gjithë sektorin publik në 6 periferi të vendit përfshi Atikën dhe Kretën, ndërsa edhe shkollat do të mbeten të mbyllura. Skena kaosi ka pasur edhe në aeroportin e Athinës, ku përveç udhëtarëve të bllokuar pas anulimit të mbi 200 fluturimeve, janë evakuuar edhe disa dhjetëra të tjerë nga autostrada e bllokuar./ TCh



3 Comments

  1. Ja pse lene vendin shqipetaret, shteti i tyre eshte i papergjegjeshem. Greqia qe ne shajme e urrejm terre diten se i kemi uler breket vet mban ere shteti ne cdo aspekt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *