• |
ide | kryesore

Rikthehet në fushë, në moshën 47 vjeçare, pas 12 vjetësh skualifikim: “Pagova për gabimet e mia”

-Instant, Sport



“Kush gabon duhet të paguajë. E tani kthehem në fushë me një dëshirë të madhe për të tundur rrjetën”. Francesco Flachi, ish-sulmuesi i Sampdorias, Fiorentinës, Empolit dhe Barit me mbi 40 gola në Serie A dhe me një thirrje në kombëtare, me Lippin në vitin 2004, rikthehet në fushë në moshën 47-vjeçare pas 12 vitesh pezullim për përdorim kokaine dhe është shumë i motivuar: “Jam kthyer një fëmijë, debutoj më 13 shkurt nëse trajneri më lejon”, tha ai për Corriere della Sera.

Më 13 shkurt, ose në rinisjen e kampionatit të Ekselencës, kur Signa e tij të përballet me Prato 2000. “Dymbëdhjetë vjet skualifikim më kanë bërë mirë për trupin dhe shpirtin – tha ai gjatë intervistës – Dënim që sapo e kam kryer plotësisht, pa drama dhe viktimizime. I gjithë faji është i imi, ndërlikova jetën time, hodha në kosh një karrierë të mirë, por nuk pushova kurrë së luftuari”.

E Flachi është një nga ata që asnjëherë nuk e humbi pasionin për futbollin: “Mos harroni kurrë. Dhimbja të ndihmon të ndryshosh, të rritesh. Vitet e para të skualifikimit ishin të tmerrshme. Të mungojnë stadiumet, shpirti konkurrues, tifozët. Ndonjë më trajtonte si narkoman. Unë kam gabuar disa herë, por nuk kam qenë kurrë narkoman. Nuk i dëgjoja, kisha ende forcë. Rindërtova veten, shkrova një kapitull të ri në jetën time”.

E tani Flachi është gati të shkruajë edhe një tjetër: “Në qershor do të filloj kursin për t’u bërë trajner, por ndihem ende futbollist dhe prandaj po e vë veten në merkato. Kam shumë dëshirë, frymë dhe një këmbë të mirë që të mund të tund rrjetat”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *