• |
ide | kryesore

OKB: Humbjet në arsim nga pandemia në botë dhe në Shqipëri janë më të larta se sa priteshin

-Instant, Lajme, Të fundit



Një studim global i Fondi të Emergjencës të Kombeve të Bashkuara për Fëmijet (UNICEF) zbuloi së fundmi se humbjet që pandemia Covid-19 ka shkaktuar në arsim ishim më të mëdha sesa u parashikuan. Në vendet me të ardhura të mesme, ku bën pjesë edhe Shqipëria, UNICEF thotë se, aftësitë arsimore në lexim dhe matematikë janë shumë më të përkeqësuara se para pandemisë. Të dhënat që përfshijnë vende që nga Afrika deri në SHBA referojnë se, në vendet me të ardhura mesatare 70% e 10-vjeçarëve janë të paafatë për të lexuar dhe për të kuptuar një tekst të thjeshtë, nga 53% që ishte ky tregues para pandemisë në vitin 2019. Humbjet arsimore do të rezultojnë në fitime të munguara gjatë gjithë jetës të këtyre fëmijëve që sot përllogariten sa 14% e PBB-së aktuale globale.

“Në mars bëhen dy vjet ndërprerjesh të lidhura me COVID-19 në arsimin global. Humbjet në shkollimin e fëmijëve tashmë janë bërë të pakapërcyeshme” tha Robert Jenkins, Drejtor Departamentit të Arsimit në UNICEF.

Ai tha se, vetëm rihapja e shkollave nuk mjafton. Nxënësit dhe studentët kanë nevojë për mbështetje intensive për të rikuperuar arsimin e humbur. Shkollat gjithashtu duhet të synojnë përtej të mësuarit, duke ndihmuar në rindërtimin e shëndetit mendor dhe fizik, zhvillimin social dhe ushqimin e fëmijëve. UNICEF ndërtoi dy shembuj ekstreme. Në Etiopi, një nga vendet më të varfra të Afrikës, fëmijët e shkollave fillore vlerësohet të kenë mësuar nga 30 deri në 40% të matematikës që do të kishin mësuar nëse do të kishte qenë një vit normal shkollor.

Nga ana tjetër, SHBA me një nga sistemet arsimore më të zhvilluara të botës, humbjet e të mësuarit janë vërejtur në shumë shtete duke përfshirë Teksasin, Kaliforninë, Koloradon, Tenesin, Karolinën e Veriut, Ohajon, Virxhinia dhe Maryland. Në Teksas, për shembull, dy të tretat e fëmijëve në klasën e tretë rezultuan me njohuri me të dobëta se moshataret e tyre në vitin 2019. Në disa shtete braziliane, rreth 3 në 4 fëmijë në klasën e 2-të nuk janë të aftë në lexim, nga 1 në 4 fëmijë para pandemisë. Në të gjithë Brazilin, 1 në 10 nxënës të moshës 10-15 vjeç raportuan se nuk po planifikojnë të kthehen në shkollë pasi shkollat e tyre të rihapen.

Shqipëria zhvilloi arsimin në distancë për një vit të plotë shkollor, por ende nuk ka të dhëna kombëtare të besueshme për dëmin e krijuar në aftësitë e nxënësve.

Vendet e zhvilluara të Europës, gjatë dy viteve të pandemisë, aplikuan masa të ashpra kufizuese në të gjithë fushat e veprimtarisë, përveçse në shkolla, ku nxënësve iu la mundësia të ndjekjes së mësimit në klasë. Shkollat në Francë, Gjermani etj., nuk u mbyllën asnjë ditë, ndryshe nga bizneset dhe veprimtaritë e tjera, të cilat qëndruan për rreth një vit e gjysmë të mbyllura.

Ajo që po shihet qartë në Shqipëri është tendenca, pikërisht në vitet e pandemisë, e shkurtimit të fondeve për arsimin. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, fondet për arsimin ishin sa 10.2% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore, në krahasim me 11.4% në 2019. Fondet për arsimin në raport me shpenzimet e përgjithshme buxhetore ranë në nivelin më të ulët të paktën nga viti 2013. Ulja pritet të vijojë edhe këtë vit, për shkak të shkurtimeve që u bënë në qershor. Me gjithë fondet që administrohen nga Ministria e Financave për arsimin profesional, totali i buxhetit për arsimin arrin këtë vit në 43.7 miliardë lekë, ose 7.2% e totalit të shpenzimeve buxhetore./MONITOR



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *