• |
ide | kryesore

Trafiku i klandestinëve, arrestohet një tjetër anëtar i 4 grupeve kriminale

Arkiva, Lajme, Të fundit



Ka shkuar në 19-të numri i të arrestuarve në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Astrolabio“, që goditi 4 grupe kriminale që transportonin emigrantë të paligjshëm nga vendet e Lindjes së Mesme në Italinë e Jugut, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë.

Në pranga është vënë shtetasi K. L., i cili akuzohet për për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Më herët, në Shqipëri janë arrestuar 18 persona, në kuadër të operacionit “ASTROLABIO”, i cili u zhvillua në sinkron me autoritetet gjyqësore dhe ato të zbatimit të ligjit shqiptare, italiane dhe greke, në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore (JIT), e krijuar midis Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, Seksionit Antimafia të Prokurorisë së Lecces, Itali, dhe të Prokurorisë së Përgjithshme të Apelit Athinë, Greqi, me koordinimin e EUROJUST (AJA) dhe ndihmën e EUROPOL-it.

Gjatë hetimeve të kryera nga Skuadra e Përbashkët Hetimore (JIT) është dokumentuar fakti se pjesëtarët e katër grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim ndërmjet tyre, aktivitetin kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim drejt vendeve të tjera të BE-së. Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale, pasi siguronin persona të ndryshëm, kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera, kundrejt një shpërblimi monetar që varionte nga 5000 deri në 10000 euro, i kontrabandonin ata në rrugë tokësore dhe detare, duke iu mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin, me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Materialet i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *